Shëndeti

Nxënësit tregojnë përformancë të shkëlqyer në dhënien e ndihmës së parë

Në një ngjarje të mbajtur me ngjashmëri me një situatë reale aksidenti, para Teatrit të Qytetit të Gjilanit u organizua me sukses garë regjionale e ndihmës së parë. Kjo garë e organizuar nga Kryqi i Kuq, pati si qëllim sensibilizimin dhe trajnimin e të rinjve për reagimin e duhur në situata të emergjencës. Skuadrat e pjesëmarrës, përfaqësues të shkollave të ndryshme nga Gjilani, Vitia, Kamenica dhe Artana, dhanë një paraqitje të shkëlqyer në demonstrimin e aftësive të tyre në dhënien e ndihmës së parë. Çdo skuadër bëri reagimin, për një skenar të mundshëm të aksidentit dhe tregoi si do të reagonin në një situatë të tillë. Komisioni profesionist, i cili përbëhej nga Dr. Rabit Dërmaku, Dr. Esma Mustafa, Fazli Osmani, Lulzim Mustafa, dhe Blerina Selimi, ndoqi me kujdes performancën e secilës skuadër. Ata vlerësuan jo vetëm aftësitë teknike të nxënësve, por edhe aftësinë e tyre për të menaxhuar dhe koordinuar situatat emergjente në mënyrë të organizuar dhe efikase.

Pas një sërë demonstrimesh dhe situatash simuluese, vendin e parë e fitoi SH.M. Ekonomike nga Artana, duke treguar një nivel të lartë të përgatitjes dhe aftësisë për të vepruar në rrethana të vështira. Ndërsa vendin e dytë e mori SH.M.L.M “Sejdi Kryeziu” nga Roganë – Kamenicë, dhe vendin e tretë SH.M.M “Dr. Asllan Elezi” nga Gjilani, të cilat gjithashtu treguan një performancë të shkëlqyer në demonstrimin e njohurive të tyre të ndihmës së parë. Sekretari i Kryqit të Kuq dega në Gjilan, Ilmi Shala, theksoi rëndësinë e këtyre garave për të rritur ndërgjegjësimin dhe aftësitë e të rinjve në situata emergjente. Ai shtoi se trajnimet dhe garat e ndihmës së parë janë jo vetëm për të testuar aftësitë praktike, por gjithashtu për të ndihmuar në përgatitjen psikologjike të të rinjve për të vepruar në momente të rëndësishme. “Qëllimi i garave është të rriten njohurit se si duhet dhënë ndihma e parë një të aksidentuari apo të lënduari. Këto ushtrime garuese bëhen në forma të demostrimit sa më reale, për të arritur objektivat e synuara”. Pjesëmarrësit në fund u shpërblyen me mirënjohje dhe kupa për angazhimin dhe aftësitë e tyre në këtë fushë. Organizatorët e garës njoftuan se garat e tilla do të vazhdojnë edhe në nivelin regjional dhe shtetëror, duke u përqëndruar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjes për veprime të shpejta dhe efikase në rrethana të vështira. Ky ngjarje e suksesshme jo vetëm që promovoi aftësitë e nxënësve në ndihmën e parë, por gjithashtu theu tabut dhe ndërgjegjësoi komunitetin për rëndësinë e përgatitjes për emergjenca në nivel personal dhe shoqëror.

You Might Also Like