SPORTI

Nderohen me mirënjohje mësimdhënësit e Kulturës Fizike dhe Sportit që dhanë kontribut ndër vite

Shoqata e Pedagogëve të Sportit Shkollor e Gjilanit ka nderuar me mirënjohje mësimdhënësit e Kulturës dhe të Sportit, të cilët ndër vite kanë kontribuuar në zhvillimin e sportit tek gjeneratat e reja.

Afrim Selimi, kryetar i kësaj shoqate, në një ceremoni të mbajtur me këtë rast, ka theksuar se Shoqata është e nderuar me pjesëmarrjen e këtyre mësimdhënësve, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh ndër viti. Ai ka thënë se që nga koha që ishte zgjedhur në krye të kësaj shoqate, i kishte lindur ideja për një organizim të tillë me qëllim që të nderohet puna që është bërë ndër vite në arsimimin e shumë brezave.

“Mos mendoni se karriera e juaj ka përfunduar me daljen tuaj në pension, por ka njerëz që ju nderojnë dhe vlerësojnë punën tuaj ndër vite”, ka thënë Afrim Selimi, që ka ndarë mirënjohje për mësimdhënësit, të cilët ishin udhërrëfyes edhe për mësimdhënësit e rinj, se si të punohet.

Mësimdhënësit që kanë marrë mirënjohje, secili në mënyrën e vet ka mbajtur nga një fjalim të shkurtër, ku kanë sjellë përvojat e tyre në arsimimin e gjeneratave të reja, sikurse që kanë dhënë edhe mesazhe për mësimdhënësit e rinj.

Fjalë miradije janë dhënë edhe për Florim Zukën (Tali), që kanë përkrahur mbajtjen e këtij manifestimi.

You Might Also Like