Në Gjilan hapet panairi dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’ për promovimin e bizneseve shqiptare
Gjilan, 27 korrik 2022 – Është hapur sot në Gjilan panairi dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’, i cili u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, në ngjarjen ku mori pjesë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Hekuran Murati, e përfaqësues të bizneseve e përfaqësues nga niveli lokal dhe qendror.
Kreu i Komunës, Alban Hyseni, në ceremoninë e hapjes, ka thënë se ky panair është një mundësi e mirë që të njihen dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet prodhuesve e tregtarëve.
Ai pohoi se panairi synohet të jetë i përvitshëm, duke shtuar se Gjilani do të kthehet në një kryeqendër për takimin e bizneseve, ndërkohë që e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndihmën në organizim, sikurse edhe kompaninë CEO.
“Qëllimi ynë ka qenë që të mbledhim shqiptarët kudo që janë, ndërkohë që Gjilani si kryeqendra e Anamoravës, si vendi që përreth ka shqiptarët në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Likovë e Kumanovë, e po ashtu si qendër e si qytet ku gravitojnë shqiptarët nga të gjitha trojet, po mbledh mes nesh shqiptarët që janë veprimtarë në fushën e biznesit dhe ekonomisë, në mënyrë që të mund të bashkëbisedojmë dhe të lidhim marrëveshje të reja e të shtojmë bashkëpunimin”, ka thënë kryetari Hyseni.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përgëzuar Komunën e Gjilanit për këtë iniciativë, duke thënë se do ta vendosë Gjilanin në fokus të bizneseve dhe të përpjekjeve për investime të qëndrueshme.
“Ju përgëzoj nga zemra për këtë iniciativë, e cila i tejkalon suazat e qytetit të Gjilanit, iniciativë kjo që të gjithë rajonin e Anamoravës do ta vendosë në fokus të bizneseve dhe të përpjekjeve për investime më të qëndrueshme dhe investime më serioze, jo vetëm të bizneseve vendore dhe të shteteve fqinje, por edhe të mërgatës kudo që është. Pra, presim një ringjallje në të ardhmen jo vetëm të industrisë në Gjilan, por presim një forcim të bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat gjithmonë kanë qenë e ardhmja e rajonit”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pasi ka uruar për panairin, ka kërkuar nga qytetarët që të blejnë prodhime vendore.
“Është e kuptueshme që për të krijuar një zhvillim të hovshëm ekonomik nevojiten investime të huaja direkte, por asnjëherë nuk duhet harruar shtyllën kurrizore të ekonomisë së vendit – bizneset dhe prodhuesit vendorë. Në këtë aspekt, ne si qeveri jemi munduar që ta bëjmë maksimumin e mundshëm që t’i mbështesim sa më shumë këto biznese (prodhuesit) në mënyrë që duke e ndihmuar njëri-tjetrin të ngritemi të gjithë si ekonomi”, ka deklaruar ministri Murati.
Drejtori i kompanisë CEO, Bekim Xhafa, tha se ‘e JONA’ do të jetë model jo vetëm për komunat tjera, por edhe për vendet fqinje.
Panairi dhe festivali E JONA do të zgjas tri ditë me radhë.
Ky event përfshinë tri aktivitete paralele, Panairin e bizneseve mbarëkombëtare dhe takime të bizneseve (B2B), Panairin shitës në sheshin e qytetit me bizneset e vogla (B2C) i cili do jetë i hapur për vizitorë tre ditë ora 14:00 deri në 22:00 në datat 27, 28 dhe 29 korrik 2022 dhe koncerti festiv i përcjellë me ushqime, festën e birrës e të verës, ku do ofrojë atmosferë të paharruar me zhanre të ndryshme të muzikës për tre ditë radhazi.
Ndërkohë, në ora 17:00 do të bëhet ceremonia e hapjes së Karavanit të Diasporës, në ora 18:30 Festivali për Fëmijë “LYRA”, derisa në ora 20:00, festa në sheshin “Idriz Seferi”, ku do të performojnë artistë të muzikës popullore nga Kosova e Shqipëria.
Kurse, agjenda për dy ditët e ardhshme të panairit dhe festivalit ‘e JONA’ është si vijon:
28 KORRIK 2022 – DITA II
14:00 – 15:00 – Panel diskutimi ll
Përvoja e e të bërit biznes dhe rëndësia e përkrahjes nga qeverisja lokale
Folësit:
Folësit:
• Kryetari i Komunës së Gjilanit – z. Alban Hyseni
• PO FIX – biznes nga komuna e Tetovës – z. Naim Ismaili
• Palma mobilje, biznes nga komuna e Gjilanit – z. Ekrem Shahini
• Kompania Albimi, biznes nga komuna e Gjilan – z. Ibrahim Krivaqa
18:30 – 23:00 – Festa në sheshin “Idriz Seferi”
• Vallëzim modern dhe bashkëkohor për fëmijë dhe të rritur ‘’Dancing House’’
• DJ Nyke
• Vesa Smolica & Agron Peni – Gitare & band
• Denik Prizreni & Astrit Stafai – Gitare & band
• Dren Abazi & Zig Zag Orchestra
29 KORRIK 2022 – Dita III
13:00 – 14:00 – Shpërndarja e certifikatave për Ekspozuesit bëhet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe bashkëorganizatori CEO shpk Bekim Xhafa
20:00 – 23:00 – Festa në sheshin “Idriz Seferi”
Në koncertin final do të përformojnë këto Rock bende
• AVI “Zenel Hajdini”
• Eufonia
• Dardanet
• Rinia
• Magjistaret
• Dellorien
• Premiera
• Albina`s Band
• Zani band