Gjilan

Në Gjilan inaugurohet shtëpia mobile e librit ABC

 

Gjilan, 9 dhjetor 2020 – Është inauguruar sot në Gjilan shtëpia mobile e librit ABC, të cilën tash e tutje do ta shfrytëzojë librashitësi i njohur në Gjilan, Fehmi Halimi.

Kreu i Komunës, Lutfi Haziri, e ka falënderuar klubin rotarian Gjilani për këtë projekt, duke thënë kjo shtëpi është shembull i mirë i kudjesit ndaj njerëzve

“E falënderoj klubin rotarian “Gjilani”, Gëzim Kllokoqin e Fadil Rrahmanin, me të cilët kemi punuar për rregullimin e shtëpisë së librit ABC bashkëqytetarin, bashkëveprimtarin dhe ish-të burgosurin politik të kohës, Fehmi Halimi. Do të bëjmë edhe shtëpi tjera dhe kënde të leximit, përfshirë edhe përfundimin e bibliotekës së fëmijëve në lagjen Dardania. Urime Fehmi sepse tashmë jeni bartës i librit në Gjilan”, ka thënë Haziri.

“Unë i ftoj dashamirët e librit që të vijnë e ta shohin librin, të blejnë libra e të sjellin libra sepse kjo shtëpi është shembull i mirë i kudjesit ndaj njerëzve që e duan librin dhe ndaj klubit të lexuesve në bibliotekën e Gjilanit”, shtoi kreu i Gjilanit.

Gëzim Kllokoqi, president i klubit rotarian Gjilani, ka thënë se në bashkëpunim me Komunën e kanë gjetur vendin meritor për njeriun e librit në Gjilan, duke shtuar se do të vazhdojnë edhe me projekte të tjera të kësaj natyre në mënyrë që të mos shiten librat në rrugë.

Sekretari i klubit rotarian Gjilan, Fadil Rrahmani, që është edhe donatori i shtëpisë së librit ABC, ka shfaqur zotimin se do të vazhdojnë edhe më tutje me projekte të tjera në të mirë të komunitetit.

Kurse, librashitësi i njohur nga Gjilani, Fehmi Halimi, ka shprehur fjalë falënderimi për Komunën dhe këtë klub për mundësinë që ia kanë krijuar për shitjen e librave në këtë shtëpi.

“Tash e tutje nuk do t’i barti më librat me vete. Ju faleminderit shumë”, tha ai.

You Might Also Like