Në qytetin e Gjilanit u shënua një moment i rëndësishëm për artin dhe kulturën, me organizimin e Festivalit të Parë të Baletit dhe Kërcimit Modern në Kosovë. Ky festival unik mblodhi mbi 300 fëmijë dhe të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke e shndërruar Gjilanin në qendër të kërcimit dhe artit skenik.
Pjesëmarrësit u paraqitën me koreografi të ndryshme nga baleti klasik deri te kërcimi modern, duke demonstruar talent, përkushtim dhe kreativitet të jashtëzakonshëm. Performancat u vlerësuan nga një juri profesionale ndërkombëtare, e përbërë nga njohës dhe profesionistë të fushës së baletit dhe kërcimit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Festivali kishte për qëllim promovimin e artit të kërcimit, shkëmbimin e përvojave mes shkollave dhe grupeve të ndryshme, si dhe mbështetjen e talenteve të reja. Organizimi i këtij festivali përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit kulturor dhe artistik, si dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e artit.
Ky aktivitet u prit me entuziazëm të madh nga publiku dhe konsiderohet si një ngjarje që pritet të kthehet në traditë në vitet në vijim.




