Po vazhdojnë aktivitetet e shumta kulturore e artistike në kuadër të edicionit të 34-të të manifestimit mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit”, që mbahet në nderim të dëshmorëve, me këtë rast sot u bë promovimi i librit “Tivari” i autorit Hajrush Redenica, në një aktivitet të organizuar nga Lëvizja Atdhetare “Iliria”, për synimet e të cilës Lëvizje u fol në këtë takim, ku përveç nga Kosova pati të pranishëm mysafirë edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
Përfaqësues të kësaj Lëvizje thanë se po kontribuojnë në formësimin e mozaikut kulturor, duke përuruar libra nga mjedise të ndryshme, po aq të njëjta të atdheut, si dhe duke u shpalosur qëllimet e Lëvizjes dhe synimet që ajo i ka para vetës.
Përndryshe, Hajrush Redenica, kryesues i degës së Lëvizjes Atdhetare “Iliria” për Kosovë, njëherësh autor i romanit “Tivari” në fjalën e tij foli për rrethanat e ndryshme politike në Ballkan dhe pozitën e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar në këto periudha duke kujtuar periudhat e rënda për trojet shqiptare, copëtimin e atyre trojeve nga armiqtë dhe përpjekjet që shqiptarët të jenë në një trung, për çka, Redenica kujtoi se Lëvizja Atdhetare “Iliria”, ka një gjuhë të përbashkët për të ecur përpara në këtë drejtim.
Redenica tha se edhe si fëmijë i Nënës Shqipëri e gjen qetësinë në gjoksin e saj vetëm nën një flamur.
I pranishëm në këtë aktivitet promovues ishte edhe Shemsi Syla zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes, njëri nga nismëtarët e “Flakës së Janarit”, i cili tha se i vije mirë që ky manifestim po pasurohet me aktivitete të shumta dhe edhe ky aktivitet po madhështon edhe më shumë idenë dhe qëllimin e krijimit të atëhershëm të këtij mekanizmi që bartë me vite të tëra flakadanin e ndezur, të luftëtarëve të lirisë, ideologëve që ranë në fushën e nderit, duke e kryer detyrën për atdhe, për çlirim dhe bashkim kombëtar
Syla shtoi se ndonëse tani jemi shtet i pavarur kjo ide nuk ka përfunduar edhe nuk duhet të përfundojë deri në realizimin e synimit tonë përfundimtar, bashkimin kombëtar. Përndryshe, ai vlerësoi edhe faktin që sot po përurohet një libër i tillë, por edhe angazhimet që po i bënë kjo Lëvizje.
Referuesi tjetër, Aziz Jakupi i cili vije nga Dega e kësaj Lëvizje nga Tetova, në emër të delegacionit nga Maqedonia e Veriut, kujtoi se vije nga Tetova e dy universiteteve, Tetova e rezistencës, e cila kurrë nuk u pajtua me pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se edhe pse lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e lëvizi pozitën e shqiptarëve e cila u përmirësua pak, prapë se prapë, tha ai, “ne nuk jemi të kënaqur dhe jemi të mendimit se çështja jonë të zgjidhet në kuadër të zgjidhjes së përgjithshme të çështjes shqiptare, atëherë kur shqiptarët të bashkohen”.
Jakupi tha se janë rreshtuar në Lëvizjen Atdhetare “Iliria”, e cila program dhe qëllim e ka bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Historiani Blerim Haziri ka dhënë mendimin e tij rreth manifestimit “Flaka e Janarit”, duke treguar se pse dhe si u organizuar, derisa përmendi personalitete të ndryshme që i dhanë shkëndijë Janarit.
Ai ka folur edhe për programin e kësaj “Flake…”, duke përmendur tryezën shkencore kushtuar “Masakrës së Gjilanit”, zbulimin e pllakës në kujtim të kësaj ngjarje, pastaj është folur për kontributin e Mulla Idrizit, si dhe të Nënës Stanë, për të kujtuar unitetin që patëm pa dallime.
Edhe Albena Reshitaj, folësja tjetër vlerësoi se “Flaka e Janarit,” është për të nderuar jo vetëm kujtesën tonë historike, por edhe forcën e fjalës, artit dhe mendimit që mban gjallë frymën e kombit tonë.
Ajo shtoi se epiqendra e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” është Gjilani, pasi ky qytet ka një rëndësi të veçantë historike dhe simbolike për ngjarjet dhe figurat që përkujtohen në këtë aktivitet.
Ndërsa duke folur për romanin “Tivari” të Hajrush Radenicës ajo tha se kjo vepër nuk është vetëm një roman, por një testament i dhimbjes, guximit dhe të vërtetës sonë kombëtare. “Tivari” i autorit Hajrush Redenica është një thirrje që vjen nga thellësitë e historisë, një thirrje për të mos harruar, për të kujtuar dhe për të mësuar nga plagët tona.
“Në faqet e tij, Radenica nuk përpiqet vetëm të tregojë atë që ndodhi, por edhe të na kujtojë se kemi detyrën të flasim, të kujtojmë dhe të mos lejojmë që historia të harrohet. Fjalët e tij janë një klithmë drejt drejtësisë dhe një thirrje për të mbrojtur të vërtetën nga harresa”, ka thënë, ndër tjerash, Albena Reshitaj.
Setki Jashari nga Lëvizja Atdhetare “Iliria”, në Shqipëri vlerësoi Gjilanin për manifestimin që e Ka, “flakën e janarit”, duke thënë se duke kujtuar të kaluar duhet të rrugëtojmë në rrugën e duhur, e kontribut në këtë ngjarje kanë dhënë edh Mazllum Bajraliu, Yll Isufi e të tjerë.
+4
Të gjitha reagimet:
1