OPINION

Në përkujtim të atdhetarit të devotshëm, Jusuf Baftjari, alias Hoxhë Lipovica 1883-1948

aliriza Shkruan: Mr. Aliriza Selmani

 

Kontributi i klerit shqiptar në favor të çështjes kombëtare, gjatë historisë ka qenë i pa kontestueshëm. Ata luftonin si kundër pushtuesve osman ashtu edhe kundër atyre serb e jugosllav. Studiuesi ynë Lefter Nasi në punimin e tij, për kontributin e klerit shqiptarë kundër gjenocidit serbomadh në Kosovë, pos tjerash thotë: “Është për të theksuar se kudo në Shqipëri kombi ka qenë në unitet me fetë me besimet fetare. Parimi themelor që i kanë qëndruar besnik udhëheqësit fetar të të gjitha besimeve, ka qenë ai që fetë gjithnjë dhe me të gjitha mënyrat duhet t’i ndihmojnë popullit dhe të jenë përkrah tij…”. Kështu ishte përherë, pra edhe gjatë LDB dhe pas përfundimit të saj.

Mbështetur në të dhënat dokumentare të proveniencës gjyqësore, të plotësuara me të dhëna memoriale, morëm në shqyrtim, jetën dhe veprën patriotike, të njërit ndër personalitetet e shquara të Anamoravës, i cili, në luftë për liri dhe bashkim kombëtarë, nuk kurseu asgjë, sakrifikoi pronë e familje dhe deri në flijim.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Jusuf Baftjari i njohur si Hoxhë Lipovica, ishte njëri ndër udhëheqësit e njësive guerile të rezistencës shqiptare ndër bashkëluftëtarët më të afërm të Mulla Idriz Gjilanit dhe njëri ndër komandantët e njësive vullnetare të mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore. Në radhët e bashkëluftëtarëve të tij, përveç familjarëve të tjerë ishin edhe djemtë e tij-Selimi e Qazimi dhe vëllai Rifati.

Dokumentet arkivore të suplimuara me ato memoriale, dëshmojnë për aktivitetin patriotik të Hoxhë Lipovicës dhe familjes së tij, të filluar që nga okupimi serb i këtyre trojeve më 1912, gjë që atëbotë i kishte kushtuar me djegien e të shtatë shtëpive të kësaj familje-të lagjes Selimi në Lipovicë. Ripushtimin serb dhe vendosja e administratës okupuese në vjeshtën e vitit 1918, shqiptarët kudo e pritën me armë dhe kryengritje të armatosur, duke kërkuar liri dhe bashkim kombëtar. Për shuarjen kryengritjes dhe çarmatosjen shqiptarëve, Serbia vendosi pushtetin ushtarak në Kosovë dhe ndërmori masa të ashpra terrori e gjenocidi. Një nga familjet shqiptare të Karadakut që kishin pësuar nga ky terror, ishte edhe familja e Hoxhë Lipovicës, ndaj së cilës atëbotë ishte ndërmarrë një operacion ndëshkues policor, në bashkëpunim me disa nga serbët vendës dhe të rrethinës, me ç’rast kishin pësuar tre anëtarë të kësaj familjeje. Masakrës  familjare i vetmi nga të rriturit i kishte shpëtuar rastësisht vetëm Hoxha. Vrasja mizore e më të afërmve dhe keqtrajtimi i së shoqes në burgun e Gjilanit, bëri që Hoxha pas pak ditësh të hakmerrej, duke e vra bashkëvendësit të tij, organizatorë të kësaj ekspedite, dhe për një kohë i bashkohet njësitit të lëvizjes kaçake antiokupuese serbe të udhëhequr nga Salih Staneci. Lidhur me këtë ngjarje, Hoxhë Lipovica gjatë hetuesisë, para organeve zyrtare të UDB-ës së Rrethit të Ferizajt, më 10.03 1947, do të deklaronte: “Me ardhjen e ushtrisë serbe e franceze në këto anë (tetor 1918 AS), Cena Stojkoviç nga Lipovica me 4-5 serb të tjerë dhe me një numër xhandarësh e rrethuan shtëpinë tonë dhe i kapën babën-Baftjarin, vllaun-Hamzën, dhe nipin-Zymerin. Ata, të lidhur, i dërgojnë në drejtim të Kopilaqës dhe te fshati Korbliç i therën. Pas dhjet ditësh, për t’u hakmarrë, e kam vrarë Cena Stojkoviçin. Për një kohë kam qëndruar i fshehur në mal. Me konsolidimin e Mbretërisë Jugosllave, duke e ditur se ka ligj, jam dorëzuar më 1921, pas tre muaj hetuesie dola para gjyqit dhe jam dënuar me 20 vjet burg. Burgun e mbajta në Zenicë të Bosnjës, dhe më  1932, kur jam liruar”. Siç mësojmë nga dëshmitë memoriale, pjesën më të gjatë kohës Hoxha e kishte kaluar në qeli burgu.

 

Aktiviteti gjatë Luftës së Dytë Botërore

Pas okupimit dhe copëtimit të Kosovës midis shteteve fashiste, nga gjysma e majit 1941 pjesa më e madhe e Rrethit të Gjilanit iu bashkua Shqipërisë së okupuar nga Italia fashiste, kurse fshatrat mëtanë Moravës me viset e Karadakut, mbetën nën administrimin bullgar, dhe aty ishin formuar komunat e Zhegrës, Pasjanit dhe Ranillugut, të cilat hynin në kuadër të Rrethit të Kaçanikut. Popullata shqiptare nuk do të pajtohej me okupimin bullgar, kurse popullsia serbe e këtij rrethi në masë të madhe u deklaruan si “Bullgar të Moravës”, dhe u vunë në shërbim të okupatorit kundër popullatës shqiptare. Kjo bëri që shumë familje shqiptare të këtyre fshatrave, për shkak të zullumit bullgar dhe bashkëpunëtorëve të tyre serb, ishin detyruar që t’i lëshonin shtëpitë e veta, për tu vendosur në fshatrat këndej Moravës. Në mesin e këtyre familjeve ishin edhe ato të lagjes së Hoxhë Lipovicës, të cilat që nga marsi vitit 1942, ishin vendosur te disa miq në fshatin Capar dhe në fshatin Malishevë, ku kishin qëndruar deri me kapitullimin e Bullgarisë fashiste më 9 shtator 1944. Për gjendjen e vështirë të këtyre familjeve, flitet edhe në një shkresë të dërguar Inspektorisë së Tokave të Liruara në Prizren, më 25 korrik 1942,  nga nënprefekti i Gjilanit, Rifat Berisha, ku pos të tjerash, thuhet: ”… Në rrethin e këtushëm kanë hy gati 3.000 frymë shqiptarë të emigruam nga tokat nën kontrollin bullgar. Këta kanë lanë pasunin e tyne ç’kanë pasë, andej kufinit dhe pothuaj se këtu kanë ardhe pa pru kurgjo me vedi. Jetojnë mizorisht, kanë mbetë pa strehë e banojnë përjashta ndër hajate, kopshtie e fusha”. Meqenëse numri i të ikurve ishte tepër i madh, kurse Nënprefektura dhe popullata vendore nuk kishte mundësi t’i përballonte tërë atij fluksi, të popullatës së emigruar, Nënprefekti, për këtë e kishte njoftuar Qeverinë e Tiranës, së cilës i propozon ndihmë për ushqim dhe kushte për strehim, për të gjithë të emigruarit. Se largimi i detyrueshëm i familjeve shqiptare nga okupatori bullgar, kishte vazhduar gjatë gjithë kohës, gjë që shihet edhe nga dokumentet tjera. Kështu në një dokument të proveniencës gjyqësore, thuhet se në janar të vitit 1944, 23 familje shqiptare të fshatrave Lipovicë dhe Burincë janë larguar dhe janë vendosur në fshatrat këndej Moravës.

Që nga ditët e para të okupimit bullgar, Hoxhë Lipovica formoi njësitin e tij të rezistencës, në kuadër të cilit, përveç familjarëve të tij, hynin edhe fshatarë të tjerë të vendit e rrethinës me të cilët do të qëndronte me armë në dorë në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së popullatës shqiptare të kësaj ane nga keqpërdoruesit fashist bullgar dhe bashkëpunëtorët e tyre serb. Aktiviteti i tyre pasqyrohej edhe në pengimin e aktivitetit subversiv komuniso-çetnik të serbëve të kësaj ane, dhe në lidhjet e tyre me qendrat në Serbi e Maqedoni. Këtë aktivitet Hoxha me njerëzit e tij e zhvillonte në koordinim me organet e Nënprefekturës së Gjilanit. Të zbuluarit në këtë aktivitet, pasi i çarmatosnin i sillnin të lidhur në burgun e Gjilanit. Mirëpo, siç shihet nga të dhënat dokumentare dhe ato memoriale, disa prej tyre liroheshin shpejtë dhe i ktheheshin aktivitetit të mëparshëm. Disa nga të liruarit ishin bashkëpunëtorë të okupatorit bullgar dhe liroheshin pas intervenimit të organeve okupuese bullgare tek ato italiane në Gjilan, kurse disa të tjerë liroheshin edhe përmes organizatës së PKJ-së në Gjilan dhe në mënyra të tjera. Në vijim ja disa nga shembujt e tillë. Njëri nga eprorët e njësiteve partizano-çetnike, serb nga Lipovica banor i Pasjanit, në dëshminë e tij gjatë hetuesisë kundër Hoxhës dhe djemve të tij, përveç tjerash, thotë: “Më 1941, Vukoslav Mladenoviq dhe Stanojko N. nga Llashtica, ishin duke bartur armë nga Pçinji për fshatin Llashticë, dhe gjatë rrugës janë kapur nga Hoxhë Lipovica dhe njerëzit e tij e pasi janë çarmatos dhe, të lidhur, janë dërguar në burgun Gjilanit. I kam parë në Uglar, të lidhur, në përcjellje të Hoxhës. Që të dy me intervenimin e majorit bullgar ishin liruar si sllavo-bullgar”. Ngjashëm flet edhe e veja e Stojan Antiçit nga Llashtica, e cila në dëshminë e saj thotë: “Stojani bartte armë nga Crna Trava, por në një rast ishte kapur nga Hoxha dhe njerëzit e tij e ishte dërguar në burgun e Gjilanit, prej nga, me intervenimin e bullgarëve, që liruar me kusht që t’i ndihmonte bullgarët në likuidimin e Hoxhës. Pikërisht për këtë arsye ishte vrarë më 3 prill 1942, nga njerëzit e Hoxhës.” Në një dëshmi tjetër thuhet se më 1942, dy serb (kolonist) nga Llashtica qenë kapur prej njësitit të Hoxhës, me tri pushkë që po i sillnin nga Crna Trava në Llashticë, dhe ata qenë dorëzuar në burgun  Gjilanit, por pas tetë muajve qenë liruar me intervenimin e komandantit të xhandarmerisë bullgare të komunës së Zhegrës. Raste të tilla pati edhe të tjera, për të cilat flitet në dokumente. Si rrjedhojë e bashkëpunimit të serbëve të kësaj ane me okupatorin bullgar në luftë kundër shqiptarëve, ishin konfliktet e armatosura me pasoja tragjike, sikur që ishte përleshja e armatosur në fshatin Lipovicë më 20 mars 1943, ku kishin mbetur të vrarë katër serbë. Po pati edhe raste të ngjashme , për të cilat më vonë do të fajësoheshin Hoxhë Lipovica dhe njerëzit  etij, pa marrë parasysh se nga kush ishin kryer vrasjet.

 

Në mbrojtje të kufirit

Pas kapitullimit të Italisë, me 8 shtator 1943, u krijuan rrethana të reja për aktivitetet në drejtim të bashkimit dhe mbrojtjes së Shqipërisë etnike. Kjo i shtyri forcat nacionaliste të Kosovës për të mbrojtur interesat kombëtare nga depërtimi dhe kthimi dhe kthimi i pushtetit jugosllav pas largimit të trupave gjermane. Për këtë qëllim më 16 shtator 1943, në Prizren, formuan organizatën politiko-ushtarake Lidhjen e Dytë të Prizrenit, në të cilën përfaqësoheshin të gjitha viset, pra edhe ato nën administrimin gjerman dhe bullgar. Komiteti i rrethit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për nënprefekturën e Gjilanit e formoi Shtabin e Mbrojtjes së forcave vullnetare, të cilat edhe e kishin barrën kryesore në mbrojtjen e kufirit të Kosovës lindore nga sulmet partizano-çetnike. Në krye të shtabit ishte emëruar Mulla Idrizi si komandanti, i cili i përgjigjej kolonel Fuad Dibrës, komandantit të Regjimentit të IV të ushtrisë shqiptare me qendër në Prishtinës, kurse Mulla Idrizit i përgjigjeshin udhëheqësit e njësive vullnetare, nga të cilët edhe Hoxhë Lipovica.

Pas kapitullimit të Bullgarisë, më 9 shtator 1944, konform urdhëresës së KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për organizimin e strukturës politiko-ushtarake në territoret e çliruara nga okupatori bullgar, dhe mbrojtjes së këtyre tokave nga sulmet partizano-çetnike. Me iniciativën e nënprefektit të Gjilanit Hamit Kroj, u themeluan organet politiko-ushtarake të nënprefekturës së Preshevës. Nënprefekt u zgjodh Limon Staneci kurse komandant të operacionit ushtarak u zgjodh Ibrahim Kelmendi, filloi mobilizimi i vullnetarëve dhe u caktuan komandat e zonave mbrojtëse. Kufiri mbrohej me forcat vullnetare shqiptare në vijën hekurudhore Kumanovë-Preshevë-Bujanoc, të udhëhequr nga njerëzit me ndikim si Ibrahim Kelmendi, Xheladin Kurbalia, Limon Staneci, Hoxhë Lipovica, Sylë Hotla, etj. Fronti në këtë vijë qëndroi deri nga gjysma e nëntorit 1944.

Forcave vullnetare, duke filluar nga shtatori e deri në gjysmën e nëntorit, u shkaktuan humbje  të konsiderueshme njësiteve çetnike e partizane serbe, maqedone dhe bullgare të cilat tentonin të hynin në Kosovë. Edhe nga të dhënat dokumentare të proveniencës gjyqësore për Hoxhë Lipovicën dhe djemve të tij, shihet se Hoxha ishte njëri ndër komandantët e forcave nacionaliste shqiptare, i angazhuar në mbrojtje të kufirit në Luginën e Preshevës në sektorin Shistajë-Corroticë-Raincë. Angazhimi i tij në këtë sektor ishte bërë me kërkesën e Nënprefektit të Gjilanit Hamit Kroj, dhe të ushtruesit të detyrës së Nënprefektit të Preshevës Limon Staneci, me detyrë të komandimit të forcave vullnetare në luftë kundër sulmeve partizano-çetnike. Po sipas këtyre të dhënave, shihet se Hoxha kishte gradën e majorit, shtabin e kishte në Corroticë, dhe për zëvendës kishte Qahil Hajrullahun nga Corrotica. Ai në këtë vijë të frontit kishte qëndruar mbi dy muaj rresht. Gjatë asaj kohe pati luftime të ashpra me shumë të vrarë e të plagosur.

Më 15 shtator formohet divizioni 42 Sulmues i Maqedonisë në kuadër te cilit ishin Brigada e III, VIII dhe XII sulmuese, formohen brigada e II dhe III e Kosovës dhe njësi të tjera të UNÇJ-së. Këto njësi pasi i hartuan planin për ta sulmuar Preshevën, në ditën e Bajramit, më 19 shtator 1944, sulmuan forcat partizane dhe hynë në Luginën e Raincës, por pas më shumë se 12 orë luftimesh të ashpra, u thyen nga forcat vullnetare të komanduara nga Hoxhë Lipovica me të tjerë. Nga luftimet mbetën të vrarë mbi 100 partizano-çetnik dhe u zu rob një batalion i Brigadës së Dytë të Kosovës prej 206 vetësh. Të zënët rob qenë dërguar në burgun e Preshevës dhe më vonë qenë liruar, kurse të vrarët qenë varrosur nga fshatarët e Raincës. Mirëpo, pas depërtimit të forcave partizane, ata qenë detyruar t’i zhvarrosin 102 kufomat e partizanëve të vrarë. Në historikun e këtij divizioni thuhej: ”Në prag të agimit bandat shqiptare të grumbulluara nga të gjitha anët u futen në luftë me njësitë tona dhe gjatë tërë ditës dhe natës janë zhvilluar luftime të përgjakshme. Humbjet tona ishin 103 të vrarë dhe 194 të plagosur…”. Kurse sipas Ibahim Kelmendit, numri i partizaneve të vrarë ishte shume i madh, dhe sipas tij vetëm “në përrua të Raincës, ka pasur rreth 500 ushtar, prej të cilëve asnjë nuk mundi të shpëtonte…përveç 117 të zënën rob”

Të nesërmen më 20 shtator 1944, në Preshevë mblidhet Shtabi i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës për nënprefekturën e Gjilanit, i prirë nga Mulla Idrizi-komandant, ku para masës u mbajt një tubim, në të cilin pas urimit për fitore të forcave vullnetare u kërkua syqeltësi dhe gatishmëri sepse do të ketë konfrontime të reja me armikun. Luftimet sporadike, gjatë muajit tetor 1944, ndërmjet vullnetarëve shqiptar dhe aradheve partizane jugosllave, ishin të shpeshta, por pa ndonjë rezultat konkret. Ardhja e brigadave partizane bullgare në fund të tetorit situata politiko-ushtarake në rrethet e Kumanovës, Preshevës e Bujanocit ndryshoi në dëm të forcave vullnetare shqiptare.Pas dy muaj  qëndrese, më 11 nëntor 1944, do të zhvillohen luftimet e fundit në mbrojtjen të kufirit në këtë vijë të frontit. Pas kësaj kohe kishin mbetur vetëm një numër i vullnetarëve më të vendosur me udhëheqësit e tyre, për të vazhduar rezistencën, në mesin e të cilëve ishte edhe Hoxhë Lipovica, i cili me njësitin e tij kaloi në Hashani për të vazhduar rezistencën, dhe mori pjesë në tubimin e udhëheqësve të njësiteve të rezistencës të Kosovës Lindore me Mulla Idrizin në krye, më 17 nëntor 1944 në Suharne, ku u betuan për vazhdimin e luftës kundër ushtrisë komunisto-çetnike.

Më 26 dhjetor 1944, u mbajt Kuvendi i Krerëve të Karadakut te “Livadhi i Shehut”, mbi Preshevë, nën drejtimin Ymer Saqës. Në kuvend marrin pjesë: Mulla Idrizi, Adem Stançiqi,  Limon Staneci, Xheladin Kurbalia, Hoxhë Lipovica e të tjerë. Në këtë kuvend u aprovua kërkesa për lidhjen e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore me Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare në viset tjera të Kosovës dhe Maqedonisë, drejtuar prej një trupi organizativ e luftarak.

Shtabi i Zonës IV për Mbrojtjen e Kosovës, i formuar në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me Adem Gllavicën në krye, që kishte për obligim mbrojtjen e zonës Ferizaj-Kaçanik-Gjilan. Në takimin e Tërpezës (Viti), më 1 dhjetor 1944, u vendos të tubohen të gjitha forcat nacionaliste shqiptare, për të çliruar dhe shpëtuar Ferizajn e Gjilanin nga masakrat e komunistëve dhe çetnikëve sllav. Pas këtij takimi, me qëllim që të merreshin hapa të shpejtë mbrojtës nga sulmet partizano-çetnike, më 17 dhjetor 1944, në Zarbincë u themelua Shtabi Drejtues i Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore me Mulla Idrizin komandant, Muharrem Fejzën sekretar, Syl Zarbincën zëvendës komandant, kurse për anëtarë të shtabit u emëruan të gjithë komandantët e njësive të rezistencës, nga viset e Gallapit e të Karadakut si Xheladin Kurbalia,  Hoxhë Lipovica, Ymer Saqa- Myqybaba, Sylë Hotla, Qazim Zekbasha i Depcës, Lot Vaka, Ajet Rainca, Faik Taliri, Ajet Kosovica etj.

Pas thyerjes së njësive të Brigadës së XVII maqedone në viset e Gallapit më 19 dhjetor 1944, dhe mësymjes së forcave vullnetare për ta çliruar Gjilanin, më 23 dhjetor 1944, Hoxhë Lipovica mori urdhër nga Mulla Idrizi që me njësitin e tij të kalonte në drejtim të Malësisë së Bujanocit e të Preshevës, që së bashku me grupet tjera të rezistencës në Karadak, të siguroheshin nga sulmet partizane nga ajo anë.

 

Lufta e Myqybabës

Më 30 nëntor 1944, u zhvilluan luftime midis forcave vullnetare dhe atyre partizano-çetnike, në vijën e frontit Myqybabë-gryka e Llapushnicës, e cila njihet si Lufta e Myqybabës. Organizatorë të luftës ishin Ymer Saqa i Myqybabës dhe Hoxhë Lipovica. Pasi nuk iu dha leje kalimi nga Gjilani për Preshevë, një brigadë partizane serbe, e shoqëruar prej njësisë paramilitare serbe të Pasjanit dhe fshatrave tjera, patën sulmuar para agimit të 30 nëntorit nga tri drejtime. Pasi i strehuan gratë e fëmijët, forcat vullnetare shqiptare bënë rezistencë për disa orë, por, të ndodhur para forcave që sa vente e  shtoheshin, kurse forcave vullnetare në pamundësi që t’u arrinin ndihma nga viset tjera të Karadakut, dhe siç thotë Ibrahim Kelmendi në kujtimet e tij, “Luftëtarëve të Myqybabës nuk u erdhën ndihma të mëdha mbasi mijëra partizanë i qenë afrua skutave të Karadakut, si nga ana e Gjilanit ashtu edhe nga ana e Preshevës. Prezenca e tyre në pika të ndryshme i pengoi, vullnetarët tanë të gjuhen në Myqybabë”. Forcat vullnetare në tërheqje vazhduan rezistencën në Grykën e Llapushnicës dhe në disa fshatra të tjerë të Karadakut. Në këtë luftë pati të vrarë e të plagosur nga të dy anët, në mesin e të cilëve edhe Ymer Saqa, vëllai i Hoxhë Lipovicës Rifati dhe kushërini Kadriu, kurse qe plagosur i biri i Hoxhës Selimi. Rifati (45), i plagosur, vdiq pas dy javësh në Grykën e Lapushnicës dhe u varros në shpatet e Llocës, ku ndodhet edhe sot varri i tij. Serbët, nga mllefi për humbjet e tyre në këto luftëra, u vunë zjarrin 73 shtëpive, stallave e plevicave në fshatin Myqybabë dhe shumë shtëpive në fshatra tjera të Karadakut, ndër të cilat ishin edhe shtëpitë e lagjes së Hoxhë Lipovicës, nga ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur e forcave vullnetare. Bashkëkohësit kujtojnë se zjarri i shtëpive shqiptare ato ditë shihej edhe nga Gjilani dhe dukej sikur po digjej flakë i tërë Karadaku.

Pas Luftës së Myqybabës forca të mëdha ushtarake partizan-çetnike sulmuan Karadakun, nga shumë drejtime, prej Gjilanit, Preshevës, Ferizajt, Kaçanikut e Kumanovës duke djegë shtëpi, plaçkitë dhe vra shqiptarë pa mëshirë. Para kësaj golgote popullatën përfshiu paniku dhe filloi të ikte e shpërndahej nëpër male e skuta për t’u fshehur.

 

Aktiviteti në arrati

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe riokupimit sllavo-komunist të viseve shqiptare, siç dihet, një pjesë e personaliteteve ushtarake e politike nacionaliste të Kosovës, nuk do të largoheshin nga vendi, por do t’i qëndronin besnik Programit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në mesin e tyre ishte edhe Hoxhë Lipovica, i cili, së bashku me djemtë- Selimin e Qazimin dhe me disa nga bashkëluftëtarët, për një kohë do të qëndronin të fshehur në malet e Karadakut, në strehimoret-bunkerët e tyre dhe ndër miq e bashkëpunëtorë. Strehimoret (që sipas deklarimit të tyre ishin pesë), të bërë me mjeshtri, ndodheshin në mal mes fshatrave Lipovicë e Pogragjë në Grykën e Llapushnikut, në largësi rreth 10-15 minuta rrugë nga njëri-tjetri. Nga të dhënat memoriale mësuam se strehimoret  e tyre shtriheshin në një hapësirë shumë më të gjerë të fshatrave të rrethinës. Pas dorëzimit të tyre, më 20 shkurt 1947, për të mos i rënduar strehuesit dhe furnizuesit me ushqim dhe informatorët, për lëvizjet ushtarake e policore, që të tre në hetuesi do të deklaronin se gjatë gjithë kohës ishin strehuar në bunkerët tyre, kurse me ushqim ishin furnizuar nga familja dhe nga mulliri ku merrnin miell dhe gatuanim bukën. Në fakt bunkerët u shërbenin më tepër për t’u strehuar gjatë operacioneve të ndërmarra kundër tyre nga ana e ushtrisë dhe milicisë popullore dhe pas konflikteve të armatosura, operacione në të cilat, sipas të dhënave të OZN-ës, nuk kishte pasur të vrarë. Në bazë të deklarimit të tyre, dimrin e vitit 1944/45, Hoxha me djalin Selimin e kishin kaluar në strehimore te “Uji i Bardhë”, kurse pas dezertimit nga APJ, atyre u ishin bashkuar edhe tre të tjerë, djali tjetër Qazimi nga muaji shkurt, Saqip Mehmeti nga muaji prill dhe Zymber Ajvazi nga muaji nëntor i vitit 1945. Ky i fundit pas ikjes nga burgu i Ferizajt. Këta të rinj, ashtu si shumë të rinj të tjerë shqiptarë, për të shpëtuar nga likuidimet pa gjyq, me propozimin e Hoxhës, qenë inkuadruar në brigadat e UNÇ-së, por ata, më vonë, duke parë se disa të rinj shqiptarë, pa asnjë faj nxirreshin nga rreshti dhe pushkatoheshin, sikur kishte ndodhur me nipin e Hoxhës, Jasharin, kishin vendosur të dezertonin. Qazimi i pyetur në hetuesi për shkaqet e dezertimit nga APJ, do të deklaronte: “Kur e pashë se Jasharin e nxorën nga rreshti dhe e pushkatuan pa faj, u frikësova dhe vendosa për të ikur.”

Edhe në dokumentet e UDB-së së Rrethit të Gjilanit, dorëzuar Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, flitet për lidhjet e rregullta bashkëpunimi të grupit të Hoxhë Lipovicës me grupet e tjera në arrati, si me ato të Karadakut ashtu edhe me ato në vise të tjera, si me  grupin e Ali Stanecit, Hetë Kokës, Hasan Ali Remnikut, Hajdar Malishevës dhe me grupe të tjera. Për bashkëpunimin me Hetë Kokën, Hoxha do të pranonte edhe në hetuesi, duke thënë se me Hetë Kokën dhe vëllanë e tij, Muharremin, jam takuar më 1946. Po në këto të dhëna bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Hoxhës dhe të përfaqësuesve të grupeve tjera të Karadakut në Kongresin  e Kopilaçës më 15 e 16 gusht 1945, të organizuar nga KQ i NDSH-së për Kosovë e Maqedoni dhe Shtabit Suprem të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare anti-jugosllave. Krerët e ilegales shqiptare dhe përfaqësuesit e NDSH-së i kishte ftuar Adem Gllavica, si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës. Tubimi u mbajt në Kopilaçë më 15-16 gusht 1945, dhe në të, përveç delegatëve të NDSH-së, nga përfaqësuesit e rezistencës shqiptare, krahas Adem Gllavicës, Hysen Tërpezës, Luan Gashi, Ibrahim Kelmendit e të tjerëve, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e grupeve të rezistencës nga viset e Karadakut të Gjilanit: Hoxhë Lipovica, Ali Staneci, Qazim Zekbasha, Hasan Ali-Remniku, Hajdar Malisheva e të tjerë. Në tetor 1945, Rezistencës shqiptare i arriti shkresa në emër të Muharrem Bajraktarit dhe Mithat Frashërit, që të kalohej në Greqi. Ndaj kësaj kërkese reagoi Mulla Idrizi, i cili i lajmëroi njësitë e rezistencës që të mos lëshohet Kosova, po të luftohet për të. Urdhrit të Mulla Idrizit do t’i qëndronte besnik edhe Hoxhë Lipovica me grupin e tij.

Në fund të vitit 1946, pushteti jugosllav mori një aksion me të gjitha forcat kundër forcave të Rezistencës Shqiptare në tërë Kosovën dhe, në fund, prej 1735 luftëtarëve shqiptarë të shpërndarë në 55  grupe guerilje, pas marsit 1947, në arrati do të ngelin vetëm 36 persona.

 

Dorëzimi

Pas shumë operacioneve të pasuksesshme për të kapur apo likuiduar Hoxhë Lipovicën dhe grupin e tij, OZN-a përdori dredhinë. Shefi i OZN-ës, malazezi Vojo Vojvodiç, i kishte dhënë besën Hoxhës se, nëse dorëzohej, kishte për t’u dënuar me burg sipas Ligjit mbi amnistinë, por jo me vrasje. Torturat e OZN-ës ndaj familjes dhe miqve, zbulimi i jatakëve etj., nuk mundi t’i përballonte më tutje, edhe Hoxhë Lipovica, duke i parë të gjitha mundësit  për të vazhduar rezistencën, të mbyllura, pas më shumë se dy vjet qëndrimi në ilegalitet, më 20 shkurt të vitit 1947, u dorëzua me të dy djemtë-Selimin dhe Qazimin, në Uglar. Po atë ditë ishte dorëzuar edhe anëtari i katërt i këtij grupi-Saqip Mehmeti, kurse i pesti ishte dorëzuar në dhjetor të vitit 1946. “Kam qen i pranishëm kur e sollën në Pogragjë”- vërteton ish veprimtari i kohës, Daut Xhelili i Pogragjës. “Nuk e dorëzonte automatikun dhe ia puthte kondakun”, Vujo Vojvodiçit, shef i OZN-ës i tha: “T’u kam dorëzuar, sepse je malazez dhe duhet ta kish besën e shqiptarit, se përndryshe Ushtria e Kuqe nuk do të më kishte kapur të gjallë”.

Në      të dhënat e botuara nga njerëzit e OZN-ës, përveç tjerash, thuhet: “Në periudhën janar-mars 1947, në Gjilan janë dorëzuar: Hoxhë Lipovica dhe Hetë Koka me 9 veta; Shaban Smira me 6 veta; në Kamenicë Ajet Kosovica me 3 veta; Limon Staneci; në Kamenicë Ajet Kosovica me 3 veta. Po ashtu më parë janë dorëzuar Jusuf Ibrahim Gjilani dhe Raif Halimi nga Cernica, komandanti dhe komisari i batalionit të Rinisë të Brigadës së parë të Kosovës, të cilët në Drenicë dezertuan me tërë batalionin dhe dolën në anën e “kryengritësve”.

Gjykimi

Pas dorëzimit (më 20. 02.1947), Hoxhë Lipovica dhe djemtë e tij Selimi e Qazimi, fillimisht dërgohen në burgun e Ferizajt, ku më 23.02.1947, Titullari i Zyrës së UDB-ës së Rrethit, majori Dimitrije Kolkoviq, bie Vendimin e hapjes së procedurës penale ndaj tyre, bazuar në nenin 3 pika 3 dhe 7 të Ligjit për vepër penale kundër popullit dhe shtetit. Procedura e hetuesisë e filluar në Ferizaj, pas një muaji do të vazhdojë në burgun e OZN-ës Gjilan.

Pas grumbullimit të të dhënave, aktakuzën nr. 32/47, ndaj të pandehurve e ngrit Prokurori Publik i Rrethit të Gjilanit Dragutin Zekoviq, kurse shqyrtimi kryesor u mbajt në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, më 5.05.1947, nën drejtimin e Këshillit gjyqësor të përbërë nga kryetari-rusi Zaharije Orgjinikitze, dhe gjykatësit porotë Stanko Qeliq dhe Beqir Zeqiri. Avokat ishte Momir Neshiq nga Gjilani, procesmbajtës Milorad Nikoliq. Para gjyqit dolën Jusuf B. Selimi i njohur si Hoxhë Lipovica i lindur më 1883, nga baba Baftjar dhe nëna Sejdije e lindur Mahmuti, vejan, kishte tre fëmijë, më parë i dënuar me 20 vjet burg. Selim Baftjari i lindur më 1908, nga baba Jusuf dhe nëna Qamile e lindur Haziri i martuar kishte katër fëmijë, i pa dënuar. Qazimi Baftjari, i lindur më 1911, nga baba Jusuf dhe nëna Qamile e lindur Haziri, me profesion bujk, i pamartuar, i padënuar. Aktakuza i ngarkonte për vepër penale nga neni 3 pika 3 dhe 7 të Ligjit kundër popullit dhe shtetit, për pjesëmarrje në luftë kundër forcave partizane. HoxhëLipovica fajësohej për pjesëmarrje në luftë, në frontin e Preshevës, në cilësinë e komandantit, të forcave vullnetare me gradë majori, në sektorin Corroticë-Raincë ku pati shumë të vrarë nga ana e forcave partizane. Të akuzuarit fajësoheshin edhe për organizim dhe pjesëmarrje në  përleshjen e armatosur, që kishte ndodhur më 20.03.1943, mes dy grupeve të armatosura me ç’rast kishin mbetur 4 serb të vrarë, nga fshatit Lipovicë, në mesin e tyre tre veta nga familja Stojkoviq, me të cilët Hoxha ishte në hasmëri që nga koha e Luftës së Parë Botërore. Nga dokumentacioni i shqyrtuar në seancën gjyqësore, shihet se Aktakuza e fajësisë ndaj tyre ishte përpiluar në bazë të dëshmive të anëtarëve të familjeve serbe të dëmtuara gjatë luftës, nga fshatrat Lipovicë, Pasjan, Llashticë dhe Corroticë e Preshevës etj., kurse dëshmitë e dëshmitarëve shqiptarë nga fshatrat: Pogragjë, Capar, Lloc, Depcë etj. nuk do të merren parasysh. Siç ishte rasti i dëshmisë së Daut Halimit nga Capari, i cili, para organeve të hetuesisë argumentonte, se mu në kohën e përleshjes së armatosur në Lipovicë, Hoxha ndodhej në një tubim në Gjilan, i thirrur nga ana e Prefektit të Prishtinës Tahir Kolgeci, por ato nuk do të mirën parasysh.

Pas shumë seancave të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut në Gjilan bien Aktvendimin P. nr. 69/47, më 22.05.1957, me të cilin të pandehurit i shpalli fajtorë, sipas nenit 3, alineja 3, dhe 7, të Ligjit për vepër penale kundër popullit dhe shtetit, me të cilin Hoxhë Lipovica dënohet me vdekje–pushkatim, kurse djemtë Selimi me 15 vjet dhe Qazimi me 12 vjet burg të rëndë.

Gjykata Supreme e Serbisë, në seancën e mbajtur më 25.06.1947, shqyrtoi ankesat e të dënuarve dhe Aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, dhe duke hasur në të dhëna jo bindëse dhe kontradiktore, të dëshmitarëve serb, nxori Vendimin k. zh. 1142/47, me të cilin anulon në tërësi Aktgjykimin e shkallës së parë, dhe ktheu lëndën në rigjykim.

Në procesin e rishqyrtuar gjyqësor, më 18 dhe 26 dhjetor 1947, Gjykata e Qarkut në Gjilan, në përbërje të mëparshme të këshillit gjyqësor, nxjerr Aktvendimin P. nr. 88/47, më 3.01.1948, me të cilin, Hoxhë Lipovica dënohet me 20 vjet burg, kurse Selimi dhe Qazimi, me nga 16 vjet burg të rëndë.

Kundër këtij Aktvendimi, pasojnë ankesat e qytetarëve serb të kësaj ane, të organizuara nga ana e pushtetarëve komunist në Gjilan, drejtuar Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe instancave të larta shtetërore të Serbisë, me kërkesë për dënime maksimale ndaj të pandehurve. E ndodhur para këtij presioni, Gjykata Supreme e Serbisë, pasi shqyrtoi ankesën Kzh. nr. 32/47, më 10.01.1948, të Prokurorit Publik të Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe ankesat tjera, nxori Vendimin P. nr. 179/48, më 1.03.1948, me të cilin anuloi Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, P. nr. 88/47, më 3.01.1948, dhe urdhëroi rigjykim, me të dhëna shtesë.

Për t’i ikur Ligjit mbi amnistinë e të arratisurve, pas dorëzimit vullnetarë, dhe të arrihej dënimi maksimal, Gjykata e Qarkut në Gjilan, kërkoi të dhëna shtesë nga organet e UDB-ës së Rrethit. Ky organ përpiloi Raportin nr. 176, më 7.04.1948, me të cilën “argumentohej”, se të pandehurit janë dorëzuar, pas aksioneve të shpeshta ushtarako-policore ndaj tyre dhe jatakëve të tyre. Në këtë bazë Gjykata e Qarkut në Gjilan organizoi rigjykim, në përbërje të re të këshillit gjyqësorë; Marko Erakoviq-kryetar dhe gjykatësve porotë Mehmet Gjelës dhe Blagoje Zhivkoviq. Avokat Velibor Borisavleviq nga Gjilani. Aktakuzën plotësuese me akuza shtesë të improvizuara dhe të pa bazë e paraqiti prokurori i mëparshëm publik i rrethit Dragutin Zekoviq. Kjo gjykatë bazuar në dispozitat shtesë të aktakuzës nxori Aktgjykimin P. nr. 37/48, më 23. 04.1948, për fajësinë e të akuzuarve, sipas Ligjit për vepër penale kundër popullit dhe shtetit sipas nenit 3 pika 3 dhe 7, me të cilin Hoxhë Lipovica dënohet me dënim maksimal vdekje pushkatim, kurse djemtë Selimi me 17 vjet dhe Qazimi me 14 vjet burg të rëndë dhe me tri vjet humbje të drejtave qytetare.

Kështu pas një zvarritje (odisejade) 17 mujore gjykimi e rigjykimi dhe seancave të shumta gjyqësore, Hoxhë Lipovica do të dënohet me dënimin maksimal, sepse sipas dëshmitarëve serb Hoxha ishte “tmerr e frikë” (strah i trepet), për aktivitetin komunisto-çetnikë të serbëve të kësaj ane, andaj edhe duhej të likuidohej me çdo kusht. Në realitet faji i tyre i vetëm ishte lufta e pa kompromis kundër riokupimit sllavo-komunist të trojeve shqiptare dhe lufta për liri e bashkim kombëtar.

Gjykata Supreme e RP të Serbisë, me Aktvendimin Kzh. nr. 1003/48, të datës 11.06.1948, e shpall të plotfuqishëm Aktgjykimin e fundit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, me ndryshim që Qazimit, i zbutej dënimi nga 14, në 12 vjet heqje lirie. Presidiumi i Kuvendit të RFPJ-ës, me kërkesën e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, nxjerr Vendimin Po. nr. 5064/48, më 13.07.1948, Ba/133, me të cilin refuzon lutjen për faljen e Hoxhës dhe me aktin e datës 17.07.1948, urdhëron ekzekutimin e Hoxhë Lipovicës.

Për anëtarin e katërt të grupit të Hoxhë Lipovicës, Saqip Mehmet Shabanin (1911), të dorëzuar po në atë ditë, ishte organizuar një gjykim i veçantë në Gjyqin e Qarkut të Gjilanit, ku në bazë të nenit 3 pika 3, të LP, më 14.04.1947, dënohet me 11 vjet burg të rëndë.

 

Ekzekutimi

Nga lënda me dokumentet e kompletuar të Proveniencës gjyqësore për të akuzuarit- Hoxhë Lipovicën dhe djemtë e tij, Selimin e Qazimin, me shifrën K. 37/48, që ruhen në AK, në f. GJQGJ, P., shihet se deri më datën 17 .07.1948, kur edhe ishte dhënë urdhëri për ekzekutim, Hoxhë Lipovica (Jusuf Baftjari), ndodhej në burgun e OZN-ës të Gjilanit, kurse për kohën dhe vendin e ekzekutimit mungojnë të dhënat. Nga të dhënat memoriale, për kohën e ekzekutimit, mësojmë se një serb me emrin Zarije-tregtar nga Gjilani, i cili ato ditë ndodhej në burgun e OZN-ës të Gjilan, kishte deklaruar: “Pas dënimit të Hoxhës me pushkatim, kur një ditë erdhi në oborrin e burgut Vuja- shef i OZN-ës, Hoxha, posa e pa nga dritarja iu drejtua: “ku mbeti besa jote e malaziasit ?…”. Vuja, vetëm kishte ulur kokën dhe kishte shkuar”. Sikur e thamë më parë, në bazë të premtimit të tij,  ishin dorëzuar Hoxha me djemtë. I njëjti serb kishte shtuar: “As para pushkatimit, Hoxha nuk epej dhe as që frikësohej fare. Gjatë përshëndetjes me djemtë, i porositi të mos mërziteshin, sepse: Zoti jep shpirt dhe Ai merr, kemi luftuar për vatan, për atë edhe duhet të vdesim”! Sipas të moshuarve dhe bindjes së tyre, Hoxhë Lipovica është pushkatuar dhe varrosur diku te Gllama, në veri të qytetit të Gjilanit. Po sipas tyre, gjatë ekzekutimit Hoxha nuk kishte pranuar t’ia mbyllnin sytë dhe të kthente shpinën, por e kishte hapur gjoksin dhe kishte thënë: “ Ja, qitni se nuk trembem…”

Pas  përfundimit të procesit gjyqësor dhe ekzekutimit të Hoxhë Lipovicës, djemtë e Hoxhës dërgohen në vuajtje të dënimit, Selimi në burgun e Mitrovicës së Sremit kurse Qazimi në burgun e Nishit. Pas vuajtjes së dënimit, pa asnjë ditë falje, kthehen në vendlindje në fshatin Lipovicë, por nuk kishin se ku të vendoseshin, sepse në bazë të Ligjit mbi “Krime të luftës” dhe konfiskim të pasurisë, të gjitha i kishin të djegura dhe të konfiskuara nga ana e pushtetit sllavo-komunist.

(Për shkak të natyrës së portalit nga punimi janë hequr fusnotat)

You Might Also Like