Në Sallën e Vogël të Teatrit të Gjilanit, në kuadër të Festivalit të Dramës Kombëtare „Talia e Flakës 2025“ është mbajtur “Talia Diskutimi 2025”, në të cilën me temën “Dramaturgjia shqiptare dhe teatri kosovar në raport me atë ndërkombëtar” ka folur Alban Beqiraj, temë e cila ka ngjallë interesim te audienca, të cilët më pas edhe vetë janë kyçur në një bashkëbisedim për teatrin dikur, sot dhe kahet e tij në të nesërmen.
Alban Beqiraj, që ka studiuar për regji teatri dhe shkenca intermediale në Kosovë dhe Austri nga viti 2018, bashkëthemelues i organizatës “Stralli” dhe festivalit të artit “Nën braza të kohës” në Kosovë. Ai është regjisor dhe bashkëpunëtor në projekte e shfaqje të ndryshme teatrore, në Prishtinë dhe Vjenë.
Në “Talia Diskutimi 2025”, ai ka trajtuar temën “Dramaturgjia shqiptare dhe teatri kosovar në raport me atë ndërkombëtar” dhe me shembuj të ndryshëm nga dramaturgjia botërore, kosovare dhe ajo e Shqipërisë ai kryesisht është fokusuar tek transformimet dramatike, duke folur edhe për rëndësinë e këtyre transformimeve në krijimtarinë skenike të hapësirave shqiptare, por edhe në strategjitë dhe perspektivat e të shkruarit skenik, gjegjësisht të prodhimit skenik.
Duke përdorur shembuj nga dramaturgjia botërore, ai ka thënë se ngjarjet në Kosovë kanë ndikuar te autorë të huaj për të bërë shfaqje, duke marrë si shembull debatin që në Gjermani që kishin nxitur sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë, gjë e cila kishte ngjallë dilema në Gjermani, për dhe kundër dhe që kjo i kishte shërbyer autorit gjerman Christoph Schlingensief për të realizuar shfaqjen – performancë “Deutschlandsuche” (1999), “Kampe pa kufij” (1999), që ishin drama me temë nga lufta në Kosovë. Beqiraj më pas ka përmendur edhe autorët Robert Ëilson – “Einstein on the beach”, por edhe autorët kosovarë si Bekim Lumi – “Çifti martesor” të Eugène Ionesco me një përvojë të lartë estetike. Shembuj si Michael Thailheim “Emilia Galotti” të Lesingut kanë bërë që Beqiraj të ngre paralele në mes të resë dhe të vjetrës në teatër, duke thënë se edhe në Kosovë Jeton Beqiraj kishte bërë një shfaqje mbi atë se si neve na shohin të huajt, kurse tek transferimet dramatike ka përmendur edhe shfaqjen e Erson Zymberit “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me motive të shkrimtarit Beqir Musliu, shfaqje e cila flet për historinë tonë e në të cilën nga katër tekste është krijuar një tekst në vete.
Alban Beqiraj, ka marrë edhe shembuj të tjerë nga dramaturgjia botërore me situata të përditshme, duke shtuar se transferime të tilla janë bërë edhe në Teatrin e Kosovës, duke thënë se avantazh i transferimeve është reduktimi i skenave. Beqiraj ka folur edhe për monodramën si refleksion dhe si shembull ka marrë shfaqjen “Fausti prej Tirane”.
Gjithsesi se Beqiraj është ndalë edhe te tendencat e reja dramatike, kurse në debatin që është hapur më pas janë kyçur bashkëbisedues si Adriana Tolka e Rajmonda Bulku, aktore nga Tirana, drejtori i Teatrit Eksperimental nga Tirana, kritiku Avni Rudaku e aktori Avni Shkodra, ku në këtë debat është vënë në pah se mungon çelësi i tërheqjes së publikut, pastaj mungon intriga që e tërheq shikuesin dhe se tregimi është esenca e teatrit dhe u ra në ujdi se ne nuk qëndrojmë aq mirë me dramaturgjinë kombëtare dhe se teatri duhet të jetë i kuptueshëm nga të gjithë e jo vetëm nga një shtresë e spektatorëve.
Pëlqej
Komento
Dërgo
Ndaj