Libri

NËN VETULLËN E HËNËS

Rudina Muharremi BEJA

NËN VETULLËN E HËNËS

( Buqetë poetike nga krijimet më të reja )

***

Përpjekjes jetë,

netët lëvrojmë me parmenda egoizmi,

mëngjeset zgjojmë me trok makthesh,

heshtjes së gjatë i përgjigjemi një ligësie.

Ndërsa dora ime

mbetet përherë shtrirë…

Me trëndafilë që veshin petalet e paqes

mbjell ugarët e vlagët të vjeshtës,

larg irnimit të kësaj bote,

larg portave të errëta të Hadit…

***

Tërë ditën

valët më folën për ty,

dhe zogjtë

dhe pulëbardhat në gjuhën e tyre,

më folën dhe retë,

e rrezet zhburgosën frëngjive…

***

…dhe koha me nofullat e saj të padukshme

vijon të përtypë mynxyra,

teksa luan me zare t’fildishta,

moda tek lëvron me thonjtë e ndyra,

kurmet, me zemra e frymë të mpira…

Rrënqethin shëmbëlltyrat pa emocione e me vështrime të ngrira,

me buzë të fryra e gjokse të përkryera,

përplot me shpresa të thyera….

Turravrapit vërtik,

vdes pa zë përditë natyra…

***

Vera e fundit?

…dhe në pak orë,

klepsidra përmbyset…

Lamtumirat ulërijnë,

dhe flokët e tyre shpalosur nëpër erë…

Vdesin ëndrrat…

dhe sytë të tmerruar nga ç’ panë

sepse ata e dinë,

që të jesh grua,

do të thotë dhunë, torturë…

sepse ata e dinë,

se do të jenë, vetëm numra, pazar…

Ata,

sytë e fshehur nën një burkë,

mund të ishin, sytë tanë!

***

Vështrimi kthehet në çast,

zbathur, para një fotografie,

zhgënjimit në vite,

tek-tuk, ndonjë fitore e trishtë

e koha më shkel me zinxhirë melankolie,

rrëmujës së mendimeve,

qerpikut nën hije…

***

Pleksej, shpleksej tablosë së gjallë

imazhi, që si gjethet dyndej

kahëve nga frynin erërat,

e vetvetja, kurrë s’mund të ishte…

Ndërsa bindesha,

se s’kishte varfëri më të madhe

se boshi që fshihte ai imazh sqimë endur,

i atij gjoksi n’gufim,

mbushur përplot me veten… .

***

Natyra jep shfaqjen e saj më të madhe,

dhe lagjet varfanjake me rrugët e shtrembëra,

për të ngazëllyer veç një grimë shpirtin tim të krisur

pushtuar nga mallëngjimi i ndarjeve,

teksa qielli shkrihet në të kaltër,

lartësive kalamendëse.

***

Në fund,

të mëdhenjtë mbetën të mëdhenj,

të vegjlit, njësoj,

u thelluan humnerat,

avionët krahët thyen,

direkë anijesh thërrmuan stuhitë,

u trembën dallëndyshet

lavdia udhëtoi me shputa ere,

pajtonëve imagjinarë,

ndërsa gjërat e rralla

arna qepën bërrylave

e mbetën ashtu,

nën vetullën e hënës, si një far!

***

…dhe fati rrokullisej si ortek,

nën qiellin që prej mallit ndizej,

dheut, që prej pritjes digjej,

për t’u përhumbur sfondeve pa fjalë

e dhembjes që mbarte frymën e fundit,

nën cergën e bardhë…!

***

Plugoi tejendanë truallin e shpirtit

nën vezullimin argjendor të hënës që mbushej,

kujës së botës që mbahej n’zgrip të jetës

rrënqethjes shkretane të heshtjes,

e ndjeu, fuqitë ta braktisnin,

mbi një kapicë fletësh

që me ngulm,

drejt gjumit grishnin…!

VALIXHJA E MALLIT

Valixhja është gati…

Oh sa e rëndë!

Ka brenda vetëm një grusht dhè;

aromën e bukës,

të ujit të pusit

Të kodrës së mallit…

Në xhepa, ca dhimbje…

një muzg agimi,

një zhytje dielli.

Lidhur me një fjongo të kuqe,

kujtimet…

I ruaj me kujdes,

si rripin bojëhini që kam në brez,

Gjallë frymën të më mbajnë

rrugëve të botës,

në kërkim të vetvetes,

të kafshatës pa shije,

të njerëzve të ftohtë,

ditëve të shkurtra,

fjalëve njërrokëshe,

apo verave të varfra, pa këngë e valle…

Dimrat kërrusur plot borë e halle,

Sakrifica që s’shihen,

të afërm që s’njihen…

Njëlloj, valixhja, vit pas viti!

Asgjë s’ndryshon, veç ne plakemi,

Harrohemi fjalëve të kota,

mbi shpinë të tjera torba.

Nyjë mallëngjimi, lidhur për fyti,

mbi krye padronë,

e malli,

brenda brinjësh gjëmon…

Dita, muaji, viti jeta,

sa hap e mbyll sytë shkon.

E unë me të shuhem

brigjeve të një dheu të huaj…

Një ditë, tri vjeshta…

Mallin në valixhe ruaj.

VIZATIM ME AKUAREL

Ja gjurmët e mia nën qiellin që stis retë

e dritëhijeve luan me shkimëza rrezesh

Ja shpirti im shndërruar në frymë

tek flet me zhargonë stërkalash…

Ja ndjenjat përhumbur nëpër atë qerthull

që ngjyrat ka zverdhur stinësh,

Ja stigmat fshehur fasadave të rreme

e dhimbjet përtej kornizash…

Ja troku drithërues përhumbur hapave

enigmave që vetëm thellohen,

Ja flatrat ngarkuar me dëshira të pafajshme

shkëmbijve të egër tek thërmohen…

Ja ti, tek vjen si një fllad pranvere

më përkëdhel e lule ndjej të çelin

buisin ngjyra e njëmijë vezullime

mbi fletën ku vizatoj akuarelin…

( 8/08/2021 )

MES QIELLIT E FERRIT

Mes qiellit dhe ferrit,

frika linte një frengji kaq të vogël,

përmes së cilës e përditshmja,

mbante ngujuar jetën…

Zhubravitur dhimbjeve,

irnosur përjetimeve,

pengesave,

kacavjerrë hijeve të erës,

e dënesit të një loti,

që pasi u lodh stuhive, u këput…

Ra për t’i qartësuar vështrimin,

veten për të gjetur…!

You Might Also Like