OPINION

NËNTORËT E LAVDISË

Shkruan: Nexhmedin SEJDIU, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan

Muaji nëntor për shqiptarët nuk shënohet vetëm si muaji i njëmbëdhjetë në kalendarin e vitit, mirëpo ai në vete përbën shumë më tepër se kaq. Nëntori ngërthen në vete sakrificën, luftën, përpjekjet e paepura të popullit tonë për liri e pavarësi nga zgjedha e huaj. Andaj, kur jemi te ditët e nëntorit ne gjithmonë kujtojmë mundin, gjakun dhe sakrificën e paraardhësve tanë për të dalur nga robëria e pushtuesve të shumtë, me të vetmin qëllim që t’i sjellim atdheut tonë lirinë. Shqiptarët përgjatë rrjedhave të historisë asnjëherë nuk i kanë ndalur përpjekjet e tyre për të pasur një shtet brenda të cilit mund të jetojnë të lirë e të emancipuar krah popujve të tjerë evropian dhe botëror.

 Kthimi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Krujë 28 Nëntor 1443

Madje, këto përpjekje për liri e pavarësi i kanë të ngulitura thellë në kujtesën e tyre që nga Epoka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Që në motin e largët të datës 28 Nëntor të vitit 1443, në muret e kështjellës së Krujës u valvit për herë të parë flamuri Kuq e Zi të cilin e kemi edhe sot ne si komb. Ky moment do të ngulitej thellë në kujtesën e popullit arbëror dhe siç na kujton Barleti “të gjithë e kishin në gojë lirinë, kudo oshtinte zëri i ëmbël i lirisë”.  Ky lajm për ngritjen e flamurit të lirisë jehoi anë e mbanë trojeve arbërore dhe do të trashëgohej ndër breza si momenti më i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare, i cili do të shërbente edhe më vonë si pikënisje e çdo përpjekje për luftërat e popullit tonë për çlirim nga pushtuesit shekullor.

Shqiptarët gjithmonë kanë ditur të organizohen rreth flamurit kombëtar me qëllimin e vetëm që të arrijnë lirinë dhe pavarësinë kombëtare pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificës nëpër të cilat kanë kaluar deri në çlirimin përfundimtar.

Epoka e Skënderbeut dhe e betejave të tij epike do të mbante ndezur shkëndijën e luftës për liri edhe pavarësi edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në vazhdën e përpjekjeve për çlirim dhe bashkim të mbarë trojeve shqiptare. Kjo luftë përmes pushkës e penës ndikoi thellë në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndër shqiptarë për të kërkuar një shtet të vetëm sikur shtetet e tjera të qytetëruara. Dhe këtu duhet shtuar se patriotët shqiptarë qoftë ata jashtë atdheut apo brenda tij kanë dhënë kontribut në çdo periudhë historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

           Kongresi i Manastirit 16-22 Nëntor 1908

Muaji nëntor nuk është një përvjetor i thjeshtë, sepse ai është kremtim i idealeve, vlerave dhe identitetit të kombit shqiptar. Ky muaj ka shënjuar plot ngjarje të rëndësishme, andaj padyshim se këtu renditet edhe Kongresi i Manastirit apo ndryshe i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe.  Në nëntor të vitit 1908, u bë takimi i dijetarëve shqiptarë të cilët i kishin vu vetës kusht për të përcaktuar një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe. Dhe padyshim se historia e alfabetit të shqipes është shumë e gjatë, mirëpo ajo lidhet ngushtë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Kongresi i Manastirit ishte një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore e gjuhësore me karakter kombëtar, i cili do të shërbente edhe si model unifikues politik për t’u bashkuar në mendime e ideale të gjithë patriotët shqiptarë deri në çlirimin përfundimtar nga zgjedha e huaj. Ky kongres nuk paraqiste rëndësi të veçantë vetëm për gjuhën, por ai mbi të gjitha po e bashkonte kombin shqiptar apo thënë ndryshe procesi politik i rilindësve përmes alfabetit të gjuhës shqipe po e krijonte kombin.

I gjithë kontributi i patriotëve shqiptarë do të kulmonte me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Ngritja e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali 28 Nëntor 1912

Ky akt padyshim se përbënë ngjarjen më të rëndësishme në historinë e mbarë popullit shqiptar. Ismail Qemali kështu do ta përshkruante më vonë në kujtimet e tij këtë moment:”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.

Ngitja e flamurit kombëtar në Vlorën historike ishte fryt i luftërave dhe i përpjekjeve shekullore kundër zgjedhës së huaj, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Me shpalljen e pavarësisë edhe kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë dhe i pavarur sikur popujt e tjerë të evropës dhe botës mbarë.

Kjo datë kaq e rëndësishme për shqiptarët shënon kthesën historike për popullin tonë, ngase nga njëra anë mori fund sundimi pothuajse pesë shekullor i Perandorisë Osmane, e në anën tjetër u krijuan kushtet e volitshme politike për të dal nga prapambetja e madhe, në të cilën e kishte lënë vendin sundimi i huaj. Tani ishin krijuar rrethana të tjera për zhvillim më të shpejtë të vendit si në aspektin ekonomik, kulturor e shoqëror.

Akti historik i Shpalljes së Pavarësisë ishte një fitore e madhe në shumë drejtime, sepse me këtë rast u ndal edhe politika antishqiptare e monarkive ballkanike, të cilat kishin synime të qarta kundrejt popullit shqiptar dhe coptimit të plotë të Shqipërisë. Padyshim se Shpallja e Pavarësisë me aktin e ngritjes së flamurin kombëtar në Vlorë, përbënte fitore të përbashkët për të gjithë popullin shqiptar, e po ashtu edhe për të gjithë protagonistët që kishin marrë pjesë në një formë ose tjetër në luftën për çlirim kombëtar, qoftë përmes pushkës apo penës, nga Kosova në veri e deri në Çamëri në jug, si dhe për të gjithë shqiptarët anë e kënd botës.

Në kronologjinë e ngjarjeve historike nëntori do të vazhdonte të ishte i lidhur me shqiptarët dhe ngjarjet e tyre historike. Në historinë më të re të Kosovës, po në këtë datë të rëndësishme historike ka lindur Adem Jashari, i cili njihet si “Kryekomandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe frymëzimi kryesor për mbarë kombin shqiptar deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.

Adem Jashari- Kryekomandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në figurën e Adem Jasharit gërshetohen tri aspekte shumë të rëndësishme të cilat e bëjnë të pavdekshëm dhe të paharruar ndër breza: atdhedashuria, trimëria dhe heroizmi. Siç duket historia ia kishte rezervuar vendin e merituar në analet e saj ngase data e lindjes së tij 28 Nëntori nuk do të kujtohej vetëm si datë kremte e ditëlindjeve të tij por, do të mbetej për jetë e mot në histori si ditëlindja e njeriut i cili me tërë familjen e tij do të bënte aktin më sublim deri në vetëmohim për të mbrojtur, pragun e shtëpisë, nderin dhe kombin dhe për të rënë dëshmor së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij. Kjo ngjarje paraqet aktin më unikat në historinë e të gjitha luftërave botërore.

Kur përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bëmat e saj përsëri na shkon mendja te 28 Nëntori ngase pikërisht me këtë datë në vitin 1997, për herë të parë shfaqen publikisht përfaqësuesit e saj në fshatin Llaushë të Skënderajt , në ceremoninë e varrosjes së mësuesit Halit Geci.

Dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 28 Nëntor 1997

Nëntorët për shqiptarët duke filluar nga viti 1443, 1908, 1912, 1955, 1997 i kanë dhënë njëra-tjetrës kurajo dhe energji në përpjekjet e gjeneratave të tëra lidhur me vullnetin shekullor për liri dhe pavarësi të mbarë trojeve shqiptare.

Kruja, Manastiri, Vlora, Drenica me një fjalë harta gjeografike e trojeve shqiptare lidhet me muajin nëntor. E kur flasim për nëntorin ne flasim për nëntorin e Skënderbeut, të Manastirit, të Ismail Qemalit, të Adem Jasharit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pra, 28 Nëntori është festë kombëtare e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë si brenda trojeve të tyre apo edhe në botë. Ata të gjithë kremtojnë me krenari dhe emocion të njëjtë Ditën e Flamurit.

Përkujtimet e nëntorëve na rikujtojnë fatet historike të kombit shqiptar përgjatë shekujve dhe rrugën e përshkuar me kaq shumë vuajtje dhe mund, madje duke flijuar edhe jetën me qëllimin e vetëm që të jetojmë të lirë dhe të pavarur. Liria nuk është vëtëm një e drejtë e patjetërsueshme e çdonjërit, ajo mbi të gjitha është një vlerë e rëndësishme i të qenët i lirë, pa shtypje, pa pengesa e pa kufizime për të zhvilluar veprimtaritë politike, ekonomike e shoqërore të çdo vendi, e për të cilën liri kombi ynë ka dhënë shumë djersë e gjak.

Prandaj, të gjithë ne duhet të punojmë fortë që ëndërrat dhe amanetin e të parëve tanë ta çojmë në vend e i cili amanet kishte të bënte me atë që edhe kombi shqiptar të renditet krahas kombeve të përparauara të botës.

Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!

You Might Also Like