Tridhjetenjë vite pas martirizimit ( varje në litar ) të Havzi Nelës, poetit dhe intelektualit që me ngulm kërkoi lirinë e shprehjes, të lëvizjes dhe në përgjithësi, të drejtat e shqiptarëve në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, në Gjilan, paraqitet dhe vlerësohet poezia e tij e plotë, e përgatitur dhe e botuar përmes Shtëpisë botuese ” KLUBI I POEZISË, nga Tirana, që drejtohet prej shkrimtarit Rexhep Shahu.
Janë SHTATË FLETORET e Havzi nelës,të cilat i ruajti kujtesa e poetit,lapsi i tij që mes hapësirës së shkurtër të dy dënimeve, la ngjyrën në këto hapësira të zbrazëta e të bardha, të cilat shpëtuan falë dheut të kësaj toke ku u fshehën dhe tash, shohin dritën e i afrohen lexuesit me krejt hallet e një kohe që la gjurmë të thella vuajtjeje e poshtërimi në kurrizin e shqiptarëve të këtij nënqielli, andej e këndej kufirit.
Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani, bashkë me Bibliotekën e Qytetit, kanë nderin t’i mirëpresin këto vargje dhembjeje e krenarie,sepse ato nderojnë krijuesit e të gjitha moshave, artdashësit por edhe vetë qytetin e Gjilanit, që njihet si qytet i kulturës e demokracisë.
Për botimin e këtyre poezive flasin: Rexhep Shahu, si botues, Izet Duraku si redaktor i këtij botimi të veçantë po edhe Skënder Zogaj, poet e vlerësues letrar.
Poezi nga opusi krijues i Havzi Nelës deklamon artistja e skenës letrare, Helenë Hajdari, ndërsa e tërë kjo veprimtari letrare mbahet në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i dhjetë, në Bibliotekën e re të Gjilanit dhe fillon si rëndom, në ora dymbëdhjetë ….