NGA HULLITË E VITEVE TË MIA JETËSORE
NJ Ë D A T Ë E SH Ë N U A R N Ë J E T Ë N T I M E
Në një shekull jete të njeriut, doemos, do ketë përvjetorë e data që i lënë vrajë të shënuara, për të mirë, por gjithsesi aso që lënë gjurmë, dhe domosdo, do ndikojnë, në një apo mënyrë tjetër, edhe në ndryshimin e mentalitetit, karakterin, mbase edhe rrugët jetësore…
Si sot, këtu e 59 vite më parë, më 20 tetor 1964, kur tashmë goxha kishim “hyrë” në plan-programet mësimore të vitit të IV-të, në Seksionin e Kontabilitetit të Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan, si maturantë, pikërisht në orën e profesorit të po kësaj lënde, serbi Lubisha Vanushiq, në vlugun e shpjegimit të njësisë së re metodike mësimore, papritmas rrëmbyeshëm u hap dera e në të shfaq pastruesi serb, njëfarë Radiqi (i cili sillej hiç më “poshtë” se vetë drejtori) me një fletore të madhe të njoftimeve, e të cilën, “solemnisht” ia dha profesorit. Në klasë mbretëroi një heshtje varri, sepse, dihej se këto “fletore të mëdha”, thuaja kurrë nuk sillnin njoftime për të mirë, sepse gjithëherë sillnin ndonjë kumt. Zakonisht, në këso rastesh, as kisha përse brengosesha fare për veten, ama kësaj radhe, sikur më sëmboi diçka përbrenda, paçka se që me kohë isha i përgatitur për çfarëdo të papritur. Profa. kur e hapi faqen disa rrudha iu krijuan në ballë, u ngrys, për një kohë sikur ngeli i habitur, e pastaj me një ngjyrim të ngjirur të zërit, që i dridhej, nisi të lexonte “përmbajtjen e verdiktit” të Drejtorisë së Shkollës, me të cilin, mbase edhe më parë ishte tashmë i njoftuar, e i cili, pasi përshkruante gjërë e gjatë “…veprimtarinë time armiqësore… shoviniste… antishtetërore … antijugosllave…” e edhe përplot të tjera këso “anti e anti…”, po e jepte “aktgjykimin”: “Për të gjitha këto veprimtari të rrezikshme për socializmin tonë vetëqeverisës, i lartcekuri, Hasan Bunjakut i shqiptohet dënimi: përjashtim nga procesi edukativo-mësimor, pa të drejtë regjistrimi në asnjë shkollë tjetër – në një afat të pacaktuar…”. Djersët ia kishin mbuluar ballin profës. i cili, pasi e nxori një shami nga xhepi, e thau me të fytyrën, dhe ia dha me nervozë “Fletoren e Madhe të Njoftimeve”, Radiqit, i cili, triumfalisht, doli nga klasa duke e përplasur derën… Në klasë kishte mbretëruar një heshtje varri e në fytyrat e shokëve tashmë ishte “vizatuar” dhembja, ndërkaq, unë, që tashmë edhe ma thoshte mendja se kjo edhe do më ndodh, sepse që të gjitha ato “atribute” që i përmbante “Aktakuza” e Drejtorisë, në fakt, në një formë gjithsesi më të “butë”, e që më atribuoheshin mua, edhe qëndronin… Tek Profa., ndonëse i përkatësisë serbe, duke mos qenë “i ngarkuar” mbizotëroi njerëzorja para çështjeve shtetërore e nacionale: “Po, i ka jeta këto, dhe, që të ta them të drejtën, kaq shumë po më dhembesh, sepse, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, po e po, por madje mund të garantoj edhe për ato me mësim në gjuhën serbokroate, kësi nxënësi të mirë, kaherë nuk kam pas, por një gjë dije: çdo gjë së sot nuk është e drejtë në një të nesërme do të jetë e drejtë fare… Paç fat në jetë!” – e përmbylli ai një fjali të cilën kurrë nuk e prisja nga një individ të nacionalitetit të tij atëbotë, kur satrapi më i madh antishqiptar, A. Rankoviqi, po bënte kërdi mbi popullatën joserbe, në fakt shqiptare në Kosovë… Pas këtyre fjalëve, me ndjesi pikëllimi që po ndahesha nga shokët e klasës (disa nga të cilët, si Skënder Kastratin, bie fjala, i kisha “kolegë” që nga shkollimi fillor), u ngrita dhe me secilin nga shokët u përshëndeta ngrohtësisht, ndërkaq që gjithandej shpërtheu një e qarë kolektive e shpirtrave të padjallëzuar, paçka se ishim maturantë… ndërkaq që profesori, po më lutej që të qëndroja deri në përfundim të asaj ore, madje qoftë edhe ajo ditë, por unë, nuk doja të qëndroj më asnjë minutë, andaj, së fundmi, u përshëndeta edhe me të dhe dola nga klasa, e pastaj edhe nga objekti….
Tërë kësaj, në fakt, i kishte paraprirë aderimi im në Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, të cilit i printe Adem Demaçi, e me atë rregullën e “treshes”, isha me Beqir Musliun dhe Teki Dërvishin… Organizata, u zbulua nga ndonjë zhbirues, dhe Rexhep Elmazin, Tekiun, Beqirin, e disa të tjerë u burgosën me të parin Ademin… Meqë UDB-ja, ndonëse nuk la qosh e buxhak pa kontrolluar, nuk gjeti “material armiqësor”, sepse që me kohë kisha fsheh apo zhdukur çdo gjë (ndonëse disa herë e patën në dorë romanin e Demaçit “Gjarpijt e gjakut”, i cili kaherë ishte ndaluar dhe po të të gjendej, me nenin 133 të LPJ, “i haje” të paktën nja 10 vite “të mira” burgim të rëndë), u mjaftuan të më maltretonte agjenti Obrad Saviq një muaj të plotë në zyrën e tij të Sigurimit shtetëror, me kishte maltretuar kaq shumë, dhe së fundmi, meqë nuk “nxori” gjë nga unë, ditën e fundit më tha se nuk duhej më t’i paraqitesha në zyre, por “… që të mësoja shkollë e të mos merrem me politikë subversive…”. Kështu që ndërsa të tjerët tek të cilët u gjend edhe “material armiqësor”, u burgosën, me mua u mjaftuan me një dënim më të madhin që mund t’i jipeshte një nxënësi: “embargo” në shkollim të mëtejmë askund në vend, e ajo “për kohë të pacaktuar” e A.Rankoviqit, në fakt po donte të thonte “kurrë më”. Mirëpo, për fatin e popullatës shqiptare anë e kënd shtetit që tash nuk është më, e edhe fatin tim, ky gjakpirës i shqiptarëve siç duket po ia rrezikonte pozicionin edhe vetë kryeparin e shtetit, andaj më 1966, do të eliminohej politikisht, dhe brenda një afati, privatisht, me korrespondencë, i kreva provimet e të gjitha lëndëve të vitit të IV_të, sikundër edhe diplomimit tek po ai profi. Vanushiq, i cili, pasi ma komunikoi suksesin e shkëlqyeshëm, duke ma uruar më tha: “… Eh, or Bunjaku, a s’ta kam thënë që para dy viteve se “… çdo gjë që sot nuk bënë, nesër do të bëjë…”! “Po, profesor, ju faleminderit, se kaq më keni pas dhënë kurajo me fjali, sa vërtetë shumë më lehtë i kam përballuar këto vite…!”. Po atë vit, u regjistrova, fillimisht në SHNP në Prizren, e më vonë, pa ndërprerje nga puna, edhe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degët Gjuhë dhe Letërsi Shqipe…
Dhe, sot, kur më nuk ekziston më ajo krijesë artificiale shtetërore që ishte kaq e padrejtë ndaj ne shqiptarëve, dhe e kemi “njëfarë shteti tonin”, them: “… Në një jetë njeriu ka kaq kthesa, sa nuk është edhe aq e çuditshme ajo thënia e ndonjë të moshuari të “thellë”, kur thotë – Çka kam përjetuar – thuaj 100 vjet i kam…”
HASAN BUNJAKU