Libri

Nisi “Vjeshta Letrare e Gjilanit”

Ka nisur “Vjeshta e Letrare e Gjilanit”, ngjarje kulturore e librit, që secilën vjeshtë mbahet në Gjilan e organizuar nga Ars Club “Beqir Musliu” dhe drejtuesi i saj poeti Sabit Rrustemi.

Ky edicion është i gjashtëmbëdhjeti me radhë dhe do të zgjas nga kjo e shtunë deri të shtunën e 18 dhjetorit të sivjetmë, shkruan kryelajmi.com.

Edhe sivjet kjo festë e librit do të jetë e pasur me larushi botimesh të librave që ndodhën gjatë vitit 2025 nga Shtëpitë Botuese “Beqir Musliu” dhe “Rozafa” që drejtohet nga poeti Ramadan Mehmeti.

Fillimisht të pranishmëve u është drejtuar Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës Ndërajonake “Fan S. Noli” në Gjilan, i cili ka theksuar se “Vjeshta Letrare e Gjilanit” është ngjarja më e madhe dhe më jetëgjatë e librit në Gjilan e më gjerë, andaj ai ka thënë fjalë miradije për drejtuesin e Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemin, i cili është më meritori për këtë.

Në këtë ngjarje të madhe të librit u deklamuan poezi të autorëve të ndryshëm nga Linditë Ramushi Dushku si dhe krijuesja e re, Blinerë Hajdari, kurse kritiku e letrari Prend Buzhala foli për dy libra të botuar nga Shtëpia Botuese “Rozafa”, librin e autorit Ramadan Mehmeti me titull “77 poezi për qytetin tim (nëpër fletët e kujtimeve)” dhe librin “Shprush nëpër dej” të autorit Sabit Rrustemi.

Letrari e kritiku Nexhat Rexha është paraqitur me një vështrim kritik për librat e botuara nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, libra të cilët do të shtjellohen në të shtunat e ardhshme të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”.

Bibliotekës Ndërajonale “Fan. S. Noli” u janë dhuruar disa libra, sikurse edhe pjesëmarrësve në këtë ngjarje kulturore. /kryelajmi.com/

You Might Also Like