Një delegacion i lartë ushtarako-civil nga Republika e Turqisë, i udhëhequr nga gjenerali Özcan i ka bërë një vizitë Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”, ku janë pritur nga drejtori e shkollës në krye me drejtorin Bekim Mustafa e ku e pranishme ishte edhe nënkryatarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku, shkruan kryelajmi.com.

Fillimisht në një bashkëbisedim me delegacionin nga Turqia, drejtori i shkollës Bekim Mustafa i ka falënderuar mysafirët për vizitën dhe i ka njoftuar ata për shkollën që e drejton, duke theksuar se shkolla ka mbi 730 nxënës, në të cilën mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe atë turke. Në interesimet e gjeneralit Özcan, Mustafa është përgjigjur se Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” është njëra ndër shkollat më te mira në nivel vendi dhe se nxënësit e kësaj shkolle rregullisht janë ndër fituesit e garave në të gjitha lëmitë. Mustafa ka thënë se rreth 60 përqind e nxënësve janë vajza, se shkolla është e pajisur me kabinete të bilogjisë, fizikës, astronomisë, kimisë, TIK-ut e kabinete të tjera, sikurse që ka edhe kabinetin e robotikës, që është donacion nga shteti turk.
Drejtori Bekim Mustafa, ka falënderuar qeverinë turke për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se shpreson se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjenerali Özcan, i cili është interesuar edhe për personalitetin e Xhavit Ahmetit, emër që e mbanë shkolla, ka thënë se rinia është e ardhmja e një vendi dhe se ata duhet arsimuar e edukuar që vendi të përparojë. Ai nuk ka lënë anash pa përmendur miqësinë që e kanë Kosova e Turqia, të cilat ndajnë vlera të përbashkëta, sikurse që foli edhe për perspektivat e të ardhmes.

Edhe Leonora Morina Bunjaku, nënkryetare, ka folur për përpjekjet që po bënë komuna për rritjen e cilësisë në arsim, për bashkëpunimin që kanë me qytete e organizata turke dhe për mundësinë e thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, duke shtuar se në komunën e Gjilanit nuk diskrimonohet asnjë komunitet dhe se vazhdimisht të gjithë trajtohen barabartë, duke u hapur perspektiva për mësim, edukim, shkollim e më pas edhe punësim.
Orhan Sait, mësimdhënës i gjuhës turke dhe letërsisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka folur për rrjedhën e mësimit në gjuhën turke, proces i cili po zhvillohet vazhdimisht, marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërnjerëzore që janë në këtë shkollë, sikurse edhe për ndihmën që po ofron qeveria turke për këta nxënës.


Mysafirët nga Turqia, kanë vizituar edhe Kabinetin modern të Robotikës, që është donacion nga shteti turk dhe nga nxënësi Blend Sherifi, udhëheqës i Klubit të Robotikës janë njoftuar me punët e gjertanishme që janë bërë atë, duke demonstruar disa nga aktivitetet e këtij klubi, që është e ardhmja e shkencës.
Gjenerali Özcan dhe Mysafirët nga Turqia janë ndalë në një bashkëbisedim me nxënësit me mësim në gjuhën shqipe dhe turke, duke u zotuar se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen./kryelajmi.com/