Gjilan

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni: Sot përkujtojmë themelet mbi të cilët është ngritur ky shtet

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni: Sot përkujtojmë themelet mbi të cilët është ngritur ky shtet

Gjilani po kremton sot 24-vjetorin e çlirimit, përvjetor ky që po shënohet me një varg aktivitetesh, të cilat po mbahen nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Fillimisht, janë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, me ç`rast kryetari Alban Hyseni ka thënë se sot nderojmë dëshmorët dhe të rënët për liri për të përkujtuar përgjithmonë themelet mbi të cilat është ngritur ky shtet.

“Sot nderojmë dëshmorët dhe të rënët për liri për të përkujtuar përgjithmonë themelet mbi të cilat është ngritur ky shtet dhe bazën e vlerave të cilat duhet t`i respektojë shoqëria jonë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Për më tepër, ai ka theksuar se sakrifica e madhe që është bërë për shtetin, duhet të jetë gjithmonë në kujtesën tonë gjatë punës së përditshme.

Në emër të Komunës së Gjilanit, kryetari Hyseni u ka uruar të gjithë qytetarëve ditën e çlirimit, me shpresën dhe me besimin që këto kujtime që i bëjmë në këta përvjetorë, të jenë gjithmonë në punën tonë të përditshme si kujtesë e shoqërisë për sakrificën e madhe që është bërë për të ndërtuar shtetin tonë.

Kurse ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi ka thënë se para 24 vitesh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me aleatin e saj më të fuqishëm, Ushtrinë Amerikane hynë në Gjilan dhe e bënë qytetin e lirë, ditë kjo që erdhi pas një përpjekje dhe sakrifice shekullore të brezave.

Shënimi i 24-vjetroit të lirisë do të vazhdojë sot e nesër me aktivitete të tjera kulturore e sportive.

Për shkak të motit me shi, Panairi i punimeve artizanale u shty për më vonë. Drejtori i Kulturës, Kushtrim Zeqiri, ka thënë se panairi do të organizohet gjatë ditëve të ardhshme, pasi që punimet artizanale nuk mund të ekspozohen në këto kushte të motit.

You Might Also Like