Prend BUZHALA
NJË ROMAN SHUMËPALËSH QË SFIDON KOHËT DHE SHOQËRINË
(Romani “Vegjetariania” i Han Kang, botoi “Onufri”, Tiranë 2019)
Romanin “Vegjetariania” të Han Kang, romansiere koreanojugore, mund ta konsiderojmë njërën ndër veprat e rëndësishme të letërsisë së sotme botërore, meqë ka një vend të veçantë me çmimet e vlerësimet që i janë bërë: që nga Çmimi Man Brooker International e deri te Çmimi Nobel, që e fitoi këtë vit. Tema të tilla si identiteti, trupi, dhimbja, izolimi dhe çështjet etike, kriza ekzistenciale dhe vetasgjësimi etj. autorja i pleks me një analizë të thuktë artistike të natyrës njerëzore. “Vegjetariania” ka një qasje tejet të veçantë për sa i përket shpërbërjes së identitetit dhe dëshirave të brendshme. Dallohet, sidomos, për prirjen depërtuese psiko-narrative në shtresat më të padukshme e më të errëta të natyrës njerëzore, që mbeten të pakapshme për masën e madhe të lexuesve të rëndomtë. Autorja na ballafaqon me një personazhe që kalon në një transformim të thellë: nga të ushqyerit në refuzim të ushqimit, nga refuzimi i trupit te refuzimi i zakoneve të shoqërisë, nga mbijetesa deri te shenjat e dhimbjes dhe të çmendurisë.
Romani ndahet në tri pjesë dhe rrëfehet nga tre personazhe të ndryshëm, që janë të lidhur me protagonisten, Yong-hye. Është rrëfimi për një grua, Yeong-hye, e cila, pas një periudhe të tërë jete të zakonshme, vendos të bëhet vegjetariane, duke hequr dorë nga konsumimi i mishit dhe duke ndryshuar rrënjësisht jetën e saj. Vendimi i saj nuk është thjesht një zgjedhje dietike, por një akt i fuqishëm që paraqet refuzimin e trupit të saj dhe të gjithë shoqërisë që e rrethon. Refuzon ushqimin dhe vetveten, familjen, miqtë dhe shoqërinë. Mbetet e vetmuar dhe e izoluar.
Tri perspektivat e ndryshme rrëfyese në roman – nga burri, vëllai dhe motra e Yeong-hye – i japin një strukturë shumë të pasur dhe shumëdimensionale veprës. Kjo strukturë është një veçori e shquar e romanit; strukturë e ndërliqshme që i jep veprës thellësi psikologjike dhe filozofike. Vegjetariania” shtron çështje të rëndësishme mbi shoqërinë dhe normat kulturore dhe mbi individët që bëhen viktima të këtyre normave.
1. Perspektivat narrative
Rrëfimi në këtë roman është i ndërliqshëm, në të gjitha shkallët diegjetike: kur ngjarjet rrëfehen nga disa rrëfimtarë. Madje, edhe në këtë nivel (diegjetik), rrëfimi përthyhet në disa veta. Historia e Yeong-hye është rrëfyer përmes tri perspektivave të ndryshme: të burrit të saj, kunatit të saj dhe motrës së saj. Te pjesa e parë “Vegjetariania”, pjesë e rrëfyer nga bashkëshorti i Yeong-hye, i quajtur zoti Cheong, rrëfyesi e përshkruan Yeong-hye si grua të zakonshme, të qetë dhe pa ndonjë veçori të jashtëzakonshme, deri në momentin që ajo bën vendimin radikal për të hequr dorë nga ngrënia e mishit dhe të bëhet vegjetariane. Kështu, që në fjalinë e parë sugjerohet tipari i jashtëzakonshëm: “Kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend se gruaja ime ishte sadopak e veçantë, deri sa u bë vegjetarianë”. Do të thotë se deri atëherë gjithçka ishte krejtësisht e rëndomtë; kjo rëndomtësi rrëfehet nga teksti në vazhdim. Së këndejmi, tema e të qenit vegjetariane është përdorur në roman si akt radikal, që shërben si metaforë për refuzimin e normave shoqërore, për destruktivitetin e identitetit personal, si dhe për përpjekjen për të dalë nga një sistem i dhunshëm i shtypjes. Shkas bëhet një ëndërr që merr vlera figurative. Trajta e rrëfimit në veten e parë nga të dy personazhet: i burrit të kryeprotagonistes Yeong-hye, zotit Chong, si personazh rrëfyes dhe i vetë personazhes, hyjnë në kuadrin e rrëfimit kompleks autodiegjetik.
Perspektiva rrëfimtare e burrit, te kjo pjesë, është e lidhur ngushtë me shqetësimet e tij për këtë ndryshim dhe, gjithashtu, me ndjenjat e tij të keqkuptimit dhe frikës nga ky vendim, duke e konsideruar atë një çrregullim të papritur dhe të pakuptueshëm. Ai përpiqet ta kontrollojë situatën dhe t’i kuptojë arsyet pas këtij vendimi, por ai është gjithashtu i paaftë t’i kuptojë ndjenjat dhe dëshirat e gruas së tij. Në këtë pjesë rrëfimi zhvillohet në veten e parë nga dy perspektiva narrative: nga burri i protagonistes dhe nga vetë ajo, kur tekstet e ëndrrës jepen në kursiv. Akti i gruas, që qëndron para frigoriferit dhe deklaratave se ka pasur një ëndërr, shënjon fillimin e një ndryshimi të thellë. Ëndrra është paralajmërim për daljen e saj nga kufijtë e shoqërisë. Ndërsa frigoriferi (simbol i ftohtësisë dhe ruajtjes) kontraston me intensitetin e brendshëm të gruas, kurse zbulimi i ëndrrës sugjeron një dimension të papritur dhe misterioz që do të thellohet më tepër në roman. Përmes rrëfimit të ngarkuar me detaje rutinore dhe të zakonshme, Han Kang ndërton një atmosferë tensioni dhe misteri. Përdorimi i vetës së parë nga burri i Yeong-hye bëhet për ta krijuar një ndjesi të theksuar tjetërsimi dhe mospërputhjeje. Rrëfimi paraqitet në mënyrë lineare, por me një ton introspektiv e emocional.
Në të dy pjesët tjera rrëfimi diegjetik ndodh në veten e tretë: rrëfimtari “i gjithëdijshëm” i paemërtuar (omniprezent), i cili ka njohuri të plota mbi gjithçka që ndodh në këtë ngjarjes; përshkruan mendimet dhe ndjenjat e të gjithë personazheve (të kunatit artist te pjesa e dytë dhe të së motrës te pjesa e tretë); di për ndodhitë jashtë këndshikimit të protagonistëve. Kësisoj, perspektivat e rrëfimit paraqiten më të ndërliqshme se sa që duken në shikim-lexim të parë. Rrëfyesi i vetes së tretë ndërthur disa perspektiva këndshikimesh tek të dy pjesët: kalimi nga një personazh në një tjetër dhe përshkrimi i mendimeve dhe veprimeve të të gjithëve pa kufizime.
Kështu, në pjesën e dytë “Njolla mongoliane”, rrëfimi, tash në veten e tretë, si rrëfim diegjetik, bëhet për kunatin, i cili është artist. Ai është i fiksuar me Yeong-hye dhe ka një lidhje të ndërlikuar me të, jo vetëm si një marrëdhënie familjare, por gjithashtu një dëshirë dhe pasion të papërmbajtur për trupin e saj. Në pjesën e tretë “Përflakja e pemëve”, protagonistja e vendosur në spital, e shpallur e çmendur, shkon drejt shkatërrimit psikologjik dhe izolimit, duke e sfiduar çdo formë të ekzistencës së zakonshme. Fijet e rrëfimit në veten e tretë i merr në dorë motra e saj, përmes rrëfyesit të gjithëdijshëm. Pjesa e tretë rrëfehet nga këndvështrimi motrës së Yeong-hye, e cila, në krahasim me të tjerët, është më shumë një shikuese pasive e zhvillimeve që ndodhin me Yeong-hye. Humbin lidhjet me motrën e saj, ndërsa Yeong-hye vazhdon të ndryshojë dhe të distancohet gjithnjë e më shumë nga ata që e rrethojnë. Perspektiva narrative e motrës është pamje e një ndjesie të thellë të moskuptimit dhe shqetësimit për Yeong-hye, por edhe e përbuzjes ndaj saj dhe situatës së saj të vështirë.
Në pjesën e tretë të romanit “Vegjetariania” të Han Kang, ndryshimi në rrëfimin diegjetik, është i rëndësishëm, sepse sjell një perspektivë tjetër dhe një thellim të përvojës së Yeong-hye, që i jep lexuesit pamje tjetër të shpërbërjes dhe transformimit të saj. Në këtë pjesë In-hye është protagonistja që rrëfen për Yeong-hye dhe për ato që ndodhin me të. Rrëfimi nga In-hye, sjell këndvështrime më të ndjeshme dhe më përmbajtur. Ajo ka një lidhje më të ngushtë me Yeong-hye. Ndërsa ajo përshkruan sjelljen dhe ndryshimet e motrës së saj, narratori i rrëfimit të In-hye ofron analizë më të thellë të ndikimit që ky transformim. Narratori është një diegjetik i jashtëm, i cili nuk është pjesë e ngjarjeve, por tregon për to nga një perspektivë e jashtme. Në këtë rast, rrëfimtari i tretë diegjetik tregon ngjarjet nga një perspektivë më objektive dhe neutrale.
Përdorimi i tri perspektivave të ndryshme narrative ia jep lexuesit mundësinë për t’i parë ngjarjet dhe personazhet nga këndvështrime të ndryshme, duke nxjerrë në pah diferencat dhe kontradiktat në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë realitetin dhe marrëdhëniet. Secila nga këto perspektiva është e ngarkuar me subjektivizëm dhe përjetime të ndryshme. Kjo shumëllojshmëri shërben për ta thelluar analizën e personazheve dhe për të krijuar pamje më të pasura të asaj që ndodh me Yeong-hye dhe rreth saj. Çdo pjesë ka një ton të ndryshëm, mbasi të gjithë ata janë të ngarkuar me perceptime të ndryshme të realitetit dhe për personazhin Yeong-hye.
2. Simbolizmi i tekstit të ëndrrës
Te pjesa e parë janë gjashtë tekste në kursiv që ajo i rrëfen në veten e parë për ëndrrën; në të vërtetë, gërshetohen ëndrra dhe realiteti me përhumbjen e protagonistes, e cila sheh gjak, egërsira dhe thika. Tashmë e jashtëzakonshmja merr të tjera përmasa. Ëndrra është shkas i fuqishëm për veprimin e saj radikal. Ëndrra si arketip jungian, është ai momenti kyç që thekson pasigurinë dhe motivimin në lidhje me trupin dhe jetën e saj. Vegjetarianizmi, në fakt, më shumë është një akt i thellë psikologjik dhe shpirtëror, është kërkim për çlirimin nga normat që ajo ndien. Kjo është përpjekja e saj për të shpëtuar nga trupi dhe identiteti që e shikon si të huaj:
“… dhe hyra. Befas, pashë disa qindra copëra mishi. Në trarët e gjatë prej bambuje vareshin trupa të mëdhenj, të kuq, kafshësh të therura. Prej disave ende pikonte gjaku ngjyrë alle i pampiksur. U vërsula përpara, por një e dy veç përplasesha në mishin, e shmangia nga vetja, por nuk dukej dalja në skajin tjetër. Rrobat e mia të bardha u njomën krejt me gjak. Nuk e mora vesh se si dola prej andej. U ktheva mbrapa përmes grykës dhe vrapova më tej. Befas pylli filloi të ndriçohej, u shfaqën drurët pranverorë me kurorë të gjelbër të dendur. Kudo gumëzhinin fëmijë, ndihej një aromë e këndshme. Këtu ishin mbledhur familje, shumë familje që kishin ardhur për piknik. Kjo tablo dukej tmerrësisht e qartë. Gurgullonin gëzueshëm përrenjtë, pranë tyre ishin ulur mbi qilima njerëz që hanin kimpan. Diku piqej mish, dëgjohej një këngë, kumbonte një e qeshur e hareshme. Por nuk kisha frikë. Petkat e mia, si edhe më parë, gjithë me gjak. Sa kohë nuk më pikasi njeri, u fsheha pas drurëve. Duart e mia me gjak. Goja ime me gjak. Sepse rrëmbeva dhe hëngra një copë që ra. Mishi i freskët i pagatuar fërkohej në mishrat e dhëmbëve dhe në qiellzë, duke lënë pas gjurmë gjaku. Në pellgjet e gjakut në dyshemenë e plevicës vezullonin sytë e mi. Nuk mund të jetë kaq reale shija e mishit të papjekur që po përtypja. Dhe shikimi im, fytyra ime. Ajo duket e huaj, por ajo është pikërisht fytyra ime. Jo, përkundrazi. E pashë kaq herë, por kjo nuk është fytyra ime. Nuk mundem ta shpjegoj. E zakonshme dhe në të njëjtën kohë, e panjohur… e gjallë dhe e frikshme, gjer në tmerr e çuditshme kjo ndjenjë.”
Ky tekst është pjesë e rrëfimit të ëndrrës që e përshkruan një përjetim tejet intensiv dhe simbolik. Është rrëfim ëndërrimtar që i shpjegon shenjtat e realitetit të jashtëm. Teksti ka formë introspektive dhe psikoanalitike, ku personazhi përsiat mbi përvojën tejet të çuditshme dhe të panjohur për të, ndonëse është pjesë e saj! Paradoks, apo jo! Kjo formë e rrëfimit është e ngjashme me përshkrimet e ëndrrave që përdoren në letërsi për të theksuar përjetime të thella dhe të panjohura e që janë të vështira për t’u shpjeguar në një realitet të zakonshëm. Përshkrimi i mishit të therur dhe gjakut janë simbole të dhunës, të instinkteve të errëta dhe të shthurjes së normave të shoqërisë. Gjak dhe mish janë tregues që simbolizojnë konsumimin e trupit dhe energjisë, si dhe konfrontimin me të vërtetat e errëta të vetvetes. Gjaku që vazhdon të pikojë dhe mbulon trupin e protagonistes, simbolizon shkatërrimin e pastërtisë dhe kalimin në një realitet më të dhunshëm dhe të turbullt. Mandej shfaqet ndjesia e të qenit jashtë vetes si e huaj: (“Ajo duket e huaj, por ajo është pikërisht fytyra ime. Jo, përkundrazi. E pashë kaq herë, por kjo nuk është fytyra ime.”) e që përbën përshkrimin e identitetit të çorganizuar, ku protagonistja ndien copëzimin e vetvetes. Ky moment i theksuar shënjon humbje të vetëdijes, tëhuajësimin brenda vetes që lidhet me një krizë të identitetit, aty ku ndodhin ndryshime të mëdha brenda personazhit. Pjesa tjetër e ëndrrës, kur protagonistja sheh familjet që përjetojnë një atmosferë të qetë dhe të këndshme, kontraston me pjesën e mëparshme të ëndrrës ku ka dhunë dhe gjak. Është shenjë e kontrastit midis realitetit të jashtëm dhe të brendshëm, i shoqërisë që jeton pa e kuptuar dhunën e brendshme që ndodh tek njerëzit! Ajo që duket si skenë idilike familjare ose shoqërore, është maskim i realitetit të vërtetë, ku dhuna dhe konsumimi janë të pandërgjegjshme. E çuditshmja (ëndrrat gjithnjë janë të çuditshme) është pjesa ku ajo përtyp mishin e papjekur, si akt i kthimit të njeriut në origjinën e tij fillestare të ekzistencës: të kohës së instinkteve të egra, të njeriut në kohën e egërsisë së bashkësisë së parë primitive (paranjerëzore), ku njerëzimi është larguar nga normat shoqërore dhe etiketa e civilizimit. Kjo ndjesi (ëndrra e realiteti tash përzihen), ka të bëjë me kthimin tek natyra, tek instinktet e egra, dhe te një formë e pranimit të një të vërtete të errët. Në tekstin e ëndrrës, përtypja e mishit të papjekur e shënjon ketë akt primitiv. Në shkallën simbolike, ky veprim (përtypja e mishit të papjekur) dëfton një akt dhune dhe përpjekjen për ta çliruar veten nga një shtypje psikologjike, kërkon të kthehet tek një identitet më i thellë… Ky kuptim përmbyset me kërkimin e një domethënieje tjetër: ndoshta kthimin në një gjendje më të pastër dhe më të natyrshme, por që ende ka frikë dhe aspak vetëpërmbajtje!? Përjetimi i tillë prodhon konflikt të brendshëm, pasi protagonistja (përgjithësisht qenia njerëzore) është e copëzuar në mes kërkesës për të qenë e lirë dhe autentike, si dhe frikës se a do të ketë mundësi t’i përballojë pasojat e kësaj lirie. Sikur autorja na kthen në kohët biblike të Adamit që bëri zgjedhjen e tij të lirisë dhe të Pemës së Njohjes! Ndërkaq, në kontekstin e veprës, ëndrra shërben si katalizator për ndryshimin që ndodh në jetën e protagonistes, si simboli për procesin e çlirimit nga normat shoqërore dhe përpjekjen për të shpëtuar nga presionet e jetës sociale. Në një shkallë më të lartë, ky tekst kumtohet si kritikë ndaj dhunës, konsumizmit dhe shthurjes së normave, ku personazhja kërkon një mënyrë të re jetese dhe një identitet më të vërtetë dhe të sinqertë, edhe nëse ky hap e shpie në ballafaqim me aspekte të errëta të vetes. Rrëfimi i ëndrrës në vetën e parë nga Yeong-hye tregon përvojën e brendshme që është e vështirë të kuptohet nga të tjerët, mbasi ajo është e thellë dhe ka një natyrë të pasigurt dhe misterioze. Përdorimi i vetës së parë është funksional dhe i rëndësishëm, pasi na mundëson të hyjmë në mendjen dhe trupin e Yeong-hye-s dhe ta përjetojmë pasigurinë dhe tronditjen e saj.
3. Simbolika e njollës:
trupi dhe mendja janë shkërmoqur nga realiteti
Në kontrast me pjesën e parë, në pjesën e dytë romani trajton temën e trupit: se si njerëzit kanë kontroll mbi trupin e gruas si objekt.
Trupi bëhet një hapësirë për dhimbje, refuzim dhe transformim. Në pjesën e dytë “Njolla mongoliane”, Yeong-hye është qendra e një projekti artistik të kunatit, burrit të motrës së saj, i cili e sheh atë si objekt të dëshirave dhe inspirimit, duke qëmtuar dhe trajtuar idenë e trupit si kanavacë artistike. Trupi i Yeong-hye-së, që humb peshë, është simbol i dobësisë dhe shenjës së luftës së saj të brendshme. Te kjo pjesë rrëfimi ndjek një strukturë të thyer dhe të ndërlikuar: ka kalime të menjëhershme nga ngjarjet e dhunshme si ajo e vjehrrit, në kujtime dhe detaje të tjera që theksojnë psikologjinë e personazheve. Një ngjarje tjetër e rëndësishme është kafshimi i personazhit nga qeni. Kjo ngjarje ka një simbolikë të tillë, pasi kafshimi është një tip luftimi dhe një ndjenjë e papërballueshme e dhimbjes. Vjehrri është figurë autoritare. Dhuna që ai ushtron është reflektim i natyrës së tij me mendësi patriarkale. Një zog i shqyer ose një trup i plagosur shfaqen si metafora imazhesh të shkatërrimit emocional. Dhimbja nuk është vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Protagonistja e veprës vuan nga dhimbje të thella në gjoks. Ky është akti i hapjes dhe i mbylljes së jetës, është reflektim i traumatizmit dhe i pasigurisë së brendshme të personazhit. Ndodhin edhe dramat familjare. Sikur gjithçka është në shkërmoqje, në dekompozim: shorushet qenia e individit, shprishen e shpërbëhen familjet (e Yeong-hye te pjesa e parë, e kunatit të dy pjesët tjera), shprishen shoqëria me normat e saj të gjymta. Kunati i protagonistes humb gruan. Pjesët e rrëfimit që lidhen me kunatin, janë mjaft komplekse dhe i referohen një tensioni që ka lindur mes burrit dhe gruas, por edhe burrit artist dhe kunatës.
Tematika e seksualitetit është shumë e pranishme në këtë pjesë. Dëshira e burrit për kunatën, e filtruar përmes imagjinatës dhe tensioneve të brendshme, tregon për trishtimin si metaforë e nënkuptimt tek lidhjet mes të kaluarës primitive dhe shfaqjes moderne të trupit. Pikturimi i trupit të gruas ka simbolikë të shumëfishtë; shpreh një pjesë të thellë dhe të ngarkuar emocionale të protagonistes Yeong-hye, si dhe përvojës me trupin dhe identitetin e saj. Te pjesa e parë ajo e refuzon këtë aspekt me anë të ushqimit vegjetarian, te kjo pjesë ndodh një tjetër veprim destruktiv, tashmë i lidhur ngushtë me çështjet e identitetit, trupit dhe kontrollit, si dhe me marrëdhëniet mes individit dhe shoqërisë. Pikturimi në trupin e gruas është akt simbolik dhe ndërhyrje në intimitetin e saj, që vë në pah tensionet dhe ndërlikimet e përvojave personale.
Një nga momentet më të rëndësishme në roman është pikturimi i trupit të Yeong-hye nga kunati, një artist i pasionuar për trupin njerëzor dhe pikturën. Ky akt i pikturimit shkon përtej atij estetik; është akt i transformimit dhe i identifikimit, i lidhur me vullnetin për ta kontrolluar trupin dhe identitetin e Yeong-hye. Trupi i Yeong-hye, për artistin, është një tablo e papërpunuar, një hapësirë që kërkon të qëmtohet dhe të kuptohet, me kërkesën për ndarje nga shoqëria dhe nga normat që e rrethojnë atë. Për kunatin artist, femra është objekt i dëshirës artistike, por gjithashtu edhe mënyrë e shprehjes së konflikteve të tij emocionale dhe artistike. Pikturimi i trupit të saj është akt i pasivizuar, aq sa edhe akt i fuqisë dhe shprehjes përmes trupit të gruas. Pas vendosjes së saj për të mos ngrënë mish, Yeong-hye fillon të heqë dorë nga identiteti i formuar nga trupi dhe shoqëria, dhe ky akt i pikturimit të trupit shihet si përpjekje për ta hulumtuar e trajtuar trupin e saj në mënyrë të re, për ta shprehur një formë të brendshme të lirisë. Trupi i saj tashmë është jo vetëm mjet për mbijetesë dhe dëshirë, është trup që bëhet kanavacë arti. Kritika e romanit është me dy tehe: edhe kundër normave të vjetra patriarkale, edhe kundër normave të reja shoqërore që kërkon kontroll (nga ai seksual e deri te ai i bizaritetit të biznesit) mbi trupin e gruas! Gruaja është objekt i vështrimeve dhe dëshirave të të tjerëve, por përpiqet të bëhet subjekt i vetvetes. Së këndejmi, ajo aspak nuk refuzon pikturimin!
Piktori e shikon trupin e saj si objekt për t’i realizuar dëshirat dhe fantazitë e tij artistike, por kjo gjithashtu shpërfaq një element të objektifikimit të trupit të gruas. Trupi i Yeong-hye bëhet si një kanavacë për fantazitë dhe dëshirat e një burri. Përshkrimi i trupit të gruas ka ngarkesë emocionale dhe shoqërore, që shpërfaq çështje të fuqisë dhe lidhjes së trupit të gruas me seksualitetin dhe dominimin, si dhe pasojat e kësaj në jetën dhe vendimet e saj. Në këtë kuptim, Yeong-hye shihet si simbol i lirisë dhe i frikës nga vlerat dhe nga pritjet e shoqërisë, nga ana tjetër. Trupi i Yeong-hye është një fushë beteje ku luftohet për identitetin dhe pavarësinë e qenies së saj.
Pikturimi i trupit të saj si akt estetik, shkon më tutje: si pasqyrë e brendshme e mundimeve dhe ndryshimeve që ajo kalon, si konflikt me trupin vetjak dhe me shoqërinë. Ky është proces i transformimi personal dhe shpirtëror, siç e përmendëm kah fillimi. Trupi i saj ka rol aktiv në shfaqjen me vrull të lirisë personale. Ky pikturim, nga ana tjetër, shqipton aktin simbolik të ndërhyrjes në trupin e saj si një hapësirë për identitetin, transformimin dhe rebelimin ndaj normave shoqërore.
Trupi dhe mendja e saj janë shkërmoqur nga realiteti dhe kjo i jep asaj një natyrë të mistershme dhe të pasigurt.
Pjesa e dytë e romanit “Vegjetariania” titullohet “Njolla mongoliane”.
Çka është kjo njollë? Çka simbolizon ajo!
Vërtet, kjo autore nuk i përdor figura artistike romanore të mahnitshme dhe jo sa për sy e faqe as për stoli stilistike. Njolla e përmendur i referohet një njolle të kaltër, një shenjë që shpesh shfaqet në lëkurën e disa fëmijëve që kanë një ngjyrë blu, të shfaqur në lëkurë, veçanërisht në pjesën e pasme. Është një fenomen natyror që ndodhin tek disa individë, kryesisht ata të përkatësisë aziatike, siç janë fëmijët e lindur në Kore, Japoni dhe Kinë. Ajo është një njollë zakonisht pa dhimbje dhe hiqet me kalimin e kohës, por në traditat aziatike shihet si simbol i fatit ose i natyrshmërisë që ndodh gjatë jetës. Përdorimi i saj në roman është një figurë simbolike që shpreh një pjesë të identitetit të protagonistëve dhe që shpjegon se si shenja të natyrshme të trupit kanë një kuptim më të thellë dhe lidhen me përjetimet e botën emocionale të protagonistëve (kunati artist sheh këtë njollë fati te fëmija i vet). Në këtë roman njolla mongoliane është simbol i mbeturinave të së kaluarës, i një ngarkese emocionale dhe i një trupi që mban gjurmët e jetës dhe të vendimeve të ndryshme që marrin protagonistët, si Yeong-hye. Kjo shenjë gjithashtu është e lidhur ngushtë me tensionet e brendshme dhe krizat që përjeton Yeong-hye, sidomos lidhur me vendimin e saj për ta braktisur mishin dhe jetën si vegjetariane. Njolla është shenjë që ajo nuk mund ta fshehë dhe që i kujton kufizimet e trupit dhe pengesat sociale, duke vënë së spikamë se identiteti i saj dhe trupi i saj, janë të lidhur ngushtë me vështrimet e jashtme dhe me presionet e shoqërisë. Njollat e tilla, nga ana tjetër, kanë simbolikë të dyfishtë: për një ndarje mes asaj që është natyrale dhe asaj që është formuar për shkak të kërkesave shoqërore. Kjo njollë shfaqet si kujtim i padëshiruar që i ngjitet trupit: se Yeong-hye ka kaluar përmes disa përvojave të hidhura dhe është e lidhur ngushtë me vendimet që ka marrë, veçanërisht ato që lidhen me vetëidentifikimin dhe ndryshimin e pamjes së saj trupore. Ky term është përdorur për herë të parë në literaturën mjekësore për t’i përshkruar njollat e kaltra që ndodhin kryesisht tek individët e origjinës mongoloide, pra ata që kanë një përkatësi etnike dhe gjenetike nga rajonet aziatike, që i përkasin grupeve të ashtuquajtura “mongoloide” sipas klasifikimit të vjetër etnografik. Kjo njollë përdoret për ta shfaqur një shenjë të identitetit të protagonistëve, e cila përfaqëson lidhjet e tyre me të kaluarën e shthurur, kumton një ndjenjë të thellë të trupit, natyrshmërisë dhe origjinës që është e lidhur me një gjurmë të pashlyer të jetës së tyre. Njolla shqip nënkupton “veprim a sjellje që cenon emrin e mirë të dikujt; gjurmë a pasojë morale që lë diçka e pandershme”… Edhe këtu te kjo vepër, kjo fjalë ka një dimension metaforik dhe simbolizon jo veç një shenjë fizike në lëkurën e protagonistëve, por edhe një shenjë të shpërfilljes shoqërore dhe ndryshimeve të brendshme të individëve që ndodhin për shkak të vendimeve drastike dhe sfidave që ata përjetojnë. Kjo njollë është vërtet një fenomen fizik, por edhe një shenjë e brendshme dhe emocionale që lidhet me përvojat dhe ndryshimet e thella të personazheve. Dhe kështu, autorja na e sugjeron në shumë faqe libri. Njolla simbolizon një pikë kthese të jetës, një shenjë që nuk mund të fshihet dhe që mbetet si ndikim i brendshëm në jetën e personazheve, pavarësisht se si ata tentojnë të shpëtojnë prej saj.
Në një nivel tjetër kuptimor, tematik e romanor, njolla shfaqet si simbol i ndryshimeve të thella emocionale dhe psikologjike që i përjeton Yeong-hye. Ky akt është një mënyrë për ta shprehur transformimin e brendshëm, dhe njolla mund të shfaqet si një metaforë për ndryshimet e trupit dhe mendjes, të cilat janë të dukshme dhe të vështira për t’u fshehur. Le ta lexojmë edhe si një metaforë për dhunën psikologjike dhe fizike që shoqëria iu bën individëve që zgjedhin të ndjekin rrugë të ndryshme nga normat shoqërore. Për shembull, Yeong-hye, duke braktisur mishin dhe duke u shndërruar në vegjetariane, shihet si një njollë në shoqëri, një njeri që del jashtë rregullave dhe normave të pranuara dhe kështu bëhet një objekt vëmendjeje dhe dënimi. Njolla, në këtë kuptim, është një simbol i kufizimeve shoqërore që i vendosen individëve që përpiqen t’i shpërfillin normat. Po kjo njollë nënkupton gjithashtu edhe një kumtim të dhimbjes dhe shpërbërjes së individit.
4. Protagonistja, simbol i tragjikes
së shumëfishtë dhe Pema e Përflakur
Një motiv i fortë artistik i pjesës së tretë “Pema e përflakur” është copëzimi i trupit të venitur dhe çrregullimeve të mendjes. Në nivelet e përjetimeve të thella, kjo pjesë përshkohet nga tematika e vdekjes, pasigurisë ekzistenciale dhe tensioneve: Yeongye shpreh dëshirën për vdekje dhe përgjigjja e motrës së saj, Inhye-s, është element që parqet një gjendje shpirtërore të ndërlikuar dhe mjaft të thellë. Inhye, Motra e Yeong-hye, është dëshmitare e përkeqësimit të gjendjes së motrës së saj dhe e komenteve të saj. Yeong-hye është një kërkim të vdekjes si një mundësi e mundshme e lirimit nga vuajtjet, pasiguria dhe dhimbjet që e kanë kapluar. Tensionet e pasiguria i kaplojnë edhe familjet. Frika dhe vetëvrasja përmes trenit, është një pasqyrë e dhimbjes emocionale, e cila lidhet me ndjenjat e saj dhe shkëputjet nga realiteti. Pema shikohet si simbol i rritjes organike e natyrore dhe si akt i transformimit dhe ripërtëritjes, shënjon një mundësi për Yeong-hye, që t’i kapërcejë kufizimet që i kanë vendosur trupi i saj dhe shoqëria. Ajo duket se ka një dëshirë të brendshme për t’u bërë pjesë e natyrës dhe për të shpëtuar nga të gjitha presionet sociale dhe trupore. Fryma e vetmisë dhe pasiviteti jepet me një përshkrim të fjalëve të “ftohta” dhe “mizore” të Yeong-hye për t’u mbrojtur. Ajo kërkon mundësi për t’i ikur dhimbjes dhe vuajtjes, por nuk gjen një “pemë” që do të mund t’ia “merrte jetën” e saj. Ky imazh i mbytjes dhe i pafuqisë sugjeron një fjalë të thellë emocionale dhe një ndjenjë të thellë të pashpresës.
Vuajtja është fizike dhe shpirtërore. Yeong-hye është personifikimi i një qenieje që përballet me këto sfida. Vijnë e thellohen pjesë rrëfimi për ëndrrat dhe reflektimet e thella mbi jetën, familjet dhe dhimbjet. Autorja krijon një atmosferë introspektive dhe poetike. Shpaloset kontrasti midis jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe vdekjes. Ëndrra dhe realiteti janë tema të rëndësishme që janë ndërthurur gjatë gjithë rrëfimit. Kjo ndërthurje e bën të vështirë të dihet se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është ëndërr.
Pjesa e tretë e romanit “Vegjetariania” të Han Kang, e titulluar “Pema e Përflakur”, trajton pasojat e vendimeve të Yeong-hye për t’i braktisur normat sociale dhe trupin e saj, si dhe mënyrën se si kjo ndikon te ata që janë afër saj. Në këtë pjesë, Yeong-hye është tashmë e larguar më tej nga shoqëria dhe bota si dikur e ka njohur,
“Pema e Përflakur” është një metaforë që paraqet dëshirat, konfliktet dhe pasigurinë e Yeong-hye. Si një pemë që digjet, Yeong-hye është e shkatërruar dhe e shkrumbuar, që rrezatojnë një transformim të thellë dhe të dhimbshëm, si fizik ashtu edhe shpirtëror. Kjo pemë shërben si simbol i shpërbërjes dhe ringjalljes; ajo është një strukturë që kalon nëpërmjet procesit të skatërrimit dhe shpërbërjes, krijon mundësinë për ripërtëritje të mundshme, por gjithashtu edhe për një përfundim të dhimbshëm të një cikli të jetës.
Gjithashtu, pjesa e tretë jep përmasat e çmendurisë së lidhur ngushtë me çlirimin dhe kërkimin e një forme të re të jetës për Yeong-hye. Ajo është gjithnjë e më shumë e detyruar të ndahet nga ato pengesa që e mbajnë të lidhur me botën e jashtme, me përpjekjen për ta gjetur një identitet të ri dhe një kuptim më domethënës për trupin e saj e për botën. Ndërsa Yeong-hye zhytet gjithnjë e më thellë në një gjendje të pasigurt dhe të çrregulluar mendore, ajo përballet me pyetje të rëndësishme rreth përjetimeve të trupit dhe jetës që ajo përjeton. “Pema e Përflakur” është një pjesë që hedh dritë mbi dështimin e normave shoqërore dhe përpjekjet e njerëzve për t’i rishikuar dhe riformuar identitetin dhe trupin e tyre, duke përfshirë gjithashtu konfliktet emocionale dhe mendore që lindin nga këto përpjekje.
Në fund të romanit “Vegjetariania”, protagonistja Yeong-hye përfundon në spitalin psikiatrik. Pas një periudhe të gjatë të transformimeve të çuditshme dhe të dhimbshme që përfshijnë refuzimin e mishit, ngatërrimin e identitetit, si dhe veprimeve të çrregullta dhe të papritura, Yeong-hye kalon në gjendje krize të thellë shpirtërore dhe mendore. Kjo përfundon në hospitalizim në një institucion përkatës, ku trajtohet për çrregullime të mendjes. Ky përfundim nënkupton pasojat e skajshme, ekstreme, të zgjedhjeve dhe transformimeve të saj.
Në këtë kontekst, hospitalizimi i Yeong-hye është shenjë e shpërbërjes së saj të plotë – një shkatërrim të brendshëm që ka lindur nga vendimi i saj për t’u çliruar nga normat sociale dhe trupore, si dhe nga përpjekja që të gjejë një formë të re ekzistence, por që nuk mund të realizohej pa pasur pasoja të rënda. Ajo është simbol i shpërbërjes së identitetit dhe psikikës. Ajo e ka kaluar kufirin dhe ka kërkuar një jetë të re, ku ndjenjat e saj dhe trupi janë të shkëputura nga realiteti. Ky hap tragjik është shenjë e humbjes së kontrollit dhe tërheqjes nga shoqëria. Është simbol i tragjikes së shumëfishtë: simbol i dështimit të kërkimit të lirisë. Ky kërkim tragjik ka sjellë një largim të thellë nga realiteti dhe nga vetvetja. Ajo i ka shkuar deri në fund të këtij kërkimi dhe është tërhequr nga shoqëria dhe marrëdhëniet me të tjerët, duke u izoluar në një botë të brendshme që nuk është më në harmoni me të jashtmen. Hospitalizimi shihet si formë dështimi, sepse përpjekja e saj për ta arritur lirinë dhe pastrimin nga normat e shoqërisë, ka sjellë vetëm degradim të shëndetit të saj mendor dhe trupor. Teksti ku ajo mbyllet në një institucion për trajtim mendor, paraqet një reagim të shoqërisë ndaj atyre njerëzve që sfidojnë dhe errësojnë normat dhe konvencat shoqërore. Do të na i kujtojnë ato rebelimet e jetës së bohemëve, vetëm se këtu nga një kënd krejtësisht tjetër. Hospitalizimi është një mënyrë “e ligjshme” që t’i rregullojë ato gjëra ku shoqëria i sheh si “çrregullime”. Ndërhyrja e institucioneve të shëndetit mendor është një përpjekje për ta rikthyer atë në normalitet, duke e detyruar atë të përshtatet me standardet e shoqërisë. Ky akt, megjithatë, është i dhimbshëm, sepse dëshmon se liria e Yeong-hye është shuar në mënyrë radikale, dhe ajo nuk mund ta përballojë ndryshimin dhe shpërbërjen pa u shndërruar në një objekt të trajtimit dhe kontrollit nga shoqëria.
Hospitalizimi gjithashtu shikohet si mbyllje e mundësisë për një rrugë të re dhe autentike për Yeong-hye. Dëshira e saj për t’u larguar nga trupi dhe shoqëria, duke refuzuar mishin dhe gjithashtu duke bërë një shpërbërje të thellë të vetes, është e parealizuar, sepse ajo nuk mund të ballafaqohet me pasojat e një ndryshimi kaq të madh. Në vend të gjetjes së një lirie të thellë dhe shpëtimi nga normat, ajo përfundon duke kërkuar ndihmë profesionale për ta rimarrë kontrollin mbi mendjen dhe trupin e saj. Gjithçka çon në humbje të drejtpeshimit mendor dhe shpirtëror.
Pema në romanin “Vegjetariania” të Han Kang ka domethënie simbolike dhe komplekse. Ajo shfaqet si simbol i ndryshimit, i transformimit dhe shpërbërjes; është kika ku ajo shfaq qëndrimin dhe përjetimet e veta. Kjo pemë është simbol i ndryshimit të skajshëm dhe shkatërrimit, por gjithashtu i mundësisë për një ripërtëritje ose rigjallërim. Pema e përflakur simbolizon procesin e shpërbërjes, ku trupi dhe jeta e Yeong-hye kalojnë në një fazë të çrregullimit dhe të shpërbërjes.
Pema lesohet edhe si metaforë e Identitetit dhe vetëkërkimit. Kur ajo kalon përmes një krize ekzistenciale, përpiqet ta rikrijojë vetveten dhe të krijojë një identitet të ri, jashtë normave të shoqërisë dhe trupit të saj. Pema që digjet simbolizojë përpjekjen për ta shpëtuar nga një jetë që është e kontrolluar nga të tjerët dhe të krijojë një ekzistencë autentike, por ky proces gjithashtu është tragjik, i dhimbshëm dhe shkatërrues.
Protagonisjtja ndjehet e shkëputur nga bota dhe është e pasigurt për identitetin e saj. Pema që digjet shënjon këtë shkrumbim të vetes dhe është pasqyrë e shpërbërjes së identitetit të saj dhe përvojës së saj të çrregulluar mendore.
5. Metaforika e vegjetarianizmit dhe sëmundjes
Tematika kryesore, sado që duket e thjeshtë, është veprimi refuzues i Yeong-hye si një akt sfidues në një shoqëri që pret sjellje konformiste nga njerëzit. Trajtohen po ashtu çështje të identitetit, të trupit, dëshirave, dhimbjes dhe pasojave të vendimeve të dukshme si dhe të padukshme që njerëzit i përjetojnë në jetën e tyre. Është thënë që stili i Han Kang është poetik, i errët dhe introspektiv. Ky stil është e ngarkuar me simbole dhe imazhe figurative të gjuhës që thellojnë kompleksitetin e tematikën e romanit. I përkthyer në shumë gjuhë të botës, ky roman edhe është interpretuar në mënyra të ndryshme, që nga një lexim që bën kritika feministe, deri te një analizë ekzistencialiste mbi trupin dhe mendjen. Ky roman shpërfaqet si rrëfim personal, por ngre çështje universale mbi lirinë, identitetin dhe humanizmin. Vegjetarianizmi bëhet akt i papërshkrueshëm, që çon në krijimin e një identiteti të ri dhe shpall një dëshirë për ndarje nga një shoqëri që është e pamëshirshme dhe tërësisht e përcaktuar nga normat e përditshme, pikërisht për faktin pse trupin e femrës e shohin si objekt në shërbim të të tjerëve e jo si subjekt. Një tjetër çështje e theksuar në roman është ndarja—si ndarja midis të martuarve, ndarja e individit nga familja dhe ndarja nga shoqëria. Historia e Yeong-hye është gjithashtu një histori e dështimit të marrëdhënieve, pasi marrëdhënia e saj me burrin, si dhe me anëtarët e tjerë të familjes, shfaqet me një dhimbje të thellë dhe ftohtësi emocionale. Pas vendimit të saj për t’u bërë vegjetariane, ajo gjithashtu ndahet nga të tjerët përmes vetë-izolimit dhe refuzimit të pranisë fizike dhe sociale. Ky veprim sjell një depersonalizim të të gjitha marrëdhënieve, ku secili personazh ndjehet i huaj ndaj tjetrit.
Shfaqet një alienim ose tjetërsim total i Njeriut dhe Shoqërisë.
Edhe vegjetarianizmi edhe sëmundja e çmendurisë, në roman shihet si metaforë groteske tragjike për një jetesë të pavendosur dhe të kufizuar, ku Yeong-hye refuzon mishin si akt i protestës ndaj realitetit dhe asaj që ajo e sheh si një shoqëri të shkatërruar dhe të dhunshme. Dëshira e Yeong-hye për të hequr dorë nga mishrat dhe për t’u tërhequr e izoluar nga shoqëria, është një pamje e përjetimeve të saj të trishtimit të thellë, e çrregullimeve emocionale dhe psikozës që kanë pasojat e vështira për ata që janë të prekur. Ajo përjeton një depersonalizim të plotë, bëhen të vështira lidhjet me të tjerët, ashtu siç është e rëndë edhe për ta kuptuar përse ajo ndodhet në këtë botë.
Në fund të romanit Yeong-hye ka arritur një nivel të humbjes totale në raport me të tjerët dhe vetveten, ku nuk ka mundur ta kuptojë me qartësi jetën dhe qëllimin e saj. Sado që shoqëria e strukturat e saj i ofrojnë asaj mundësi për ndryshim, ato struktura që gjithashtu janë të paafta të ofrojnë mbështetje emocionale për individët që ndjehen të përjashtuar.
Këtë vepër mund ta lexojmë edhe si një roman grotesk. Grotesku është figurë stilistike që karakterizohet nga përdorimi i elementëve të të çuditshëm, disparativë, të ekzagjeruar dhe trazues, për të krijuar efekt të fuqishëm emocional dhe intelektual; përfshin gërshetimin e realitetit dhe fantazisë, të të çuditshmes dhe të të zakonshmes, si dhe përdorimin e elementeve që sfidojnë normat tradicionale të estetikës. Kjo figurë përdor pleksje të elementeve të të kundërtave – të të bukurës dhe të të shëmtuarës, të të frikshmes dhe të të qeshurës, të reales dhe fantastikes. Kështu, krijohet një kontrast i theksuar që ndihmon në shkaktimin e një përjetimi të fortë të e ndjeshmërisë estetike.
Grotesku përdor elementë që janë të ekzagjeruar, si trupa të deformuar, veprime të çuditshme dhe figura monstruoze për të krijuar një përvojë të turbullt dhe shqetësuese, siç janë te ky roman përfytyrimi i përbindëshave dhe figurat që shfaqen në tekstin e ëndrrave të rrëfyera. Paraqitjet groteske ndërlidhen me shfaqjen e botës në një formë të deformuar ose të pasaktë. Grotesku ka efekt provokues, e sfidon perceptimin tradicional të realitetit dhe përçon ndjesitë e frikës, neverisë, habisë dhe të humorit të errët, si te vepra “Metamorfoza” e Franz Kafkës apo te tregimet e Edgar Allan Poe. Ta veprat e Kadaresë ka përdorime të shumta groteskes. Alfred Uçi, studiues yni i estetikës, ka disa vepra kushtuar groteskut te veprat e Kadaresë e në letërsinë shqipe përgjithësisht.
Në romanin “Vegjetariania” të Han Kang, grotesku luan rol të rëndësishëm në krijimin e atmosferës dhe paraqitjes së proceseve të brendshme të personazheve, veçanërisht të protagonistëve që përjetojnë transformime ekstreme dhe të çuditshme. Groteska në këtë roman shfaqet nëpërmjet përdorimit të deformimeve trupore, ndryshimeve ekstreme në sjellje, si dhe gërshetimit të realitetit me fantazinë. Grotesku është i pranishëm që në momentin kur Yeong-hye, protagonistja e romanit, merr vendimin për ta braktisur ngrënien e mishit dhe për t’u bërë vegjetariane, një akt që shihet si kthesë radikale dhe e çuditshme. Pjesë e groteskut është deformimi i trupit të saj dhe prishja e marrëdhënieve shoqërore në shkallë të deformuar shoqërore e njerëzore. Trupat e protagonistëve, si Yeong-hye dhe të tjerët, kalojnë nëpër transformime groteske, që shprehin dhimbjen dhe çrregullimin psikologjik. Shfaqen skena të çuditshme, si ato të ëndrrave të protagonistëve, ku përshkruhen figura të deformuara, të cilat krijojnë ndjenjë të ndyrësisë dhe frikës. Ekzagjerimi në çrregullimin e lidhjeve shoqërore dhe emocionale, përbën gjithashtu një paraqitje groteske. Yeong-hye bëhet një figurë e frikshme dhe e huaj për ata që e duan dhe e njohin. Ky tensionim i marrëdhënieve sjell skena që janë përplot shqetësime dhe frikë. Autorja arrin ta skalisë me mjeshtëri këtë atmosferë të deformuar. Dhuna fizike dhe psikologjike që ndodhin në marrëdhëniet mes njerëzve, si dhe përpjekjet e të tjerëve për ta shkatërruar personazhen e veprës, përbën një akt të përbindshëm me përmasa tragjike e groteske. Kur Yeong-hye merr vendime të papritura dhe të paqarta, që janë të papranueshme për ata që janë pranë saj, krijon tensione atmosferë të shqetësuar e të çuditshme.
Ky është edhe një roman psiko-analitik mbi sëmundjen si metaforë. Susan Sontag te vepra e saj “Sëmudja si metaforë” thotë: “Të gjithë ata që kanë lindur, kanë qytetari të dyfishtë – atë të mbretërisë së të shëndoshëve dhe atë të mbretërisë së të sëmurëve. Sado që ne të gjithë parapëlqejmë të përdorim vetëm pasaportën e mirë, herët a vonë secili prej nesh është i detyruar, të paktën për njëfarë kohe, të quhet qytetar i asaj mbretërie.” Sontag thekson se përdorimi i sëmundjes si metaforë ka krijuar një stigmë të thellë ndaj të sëmurëve, veçanërisht atyre që vuajnë nga sëmundje të rënda. Sëmundja përdoret në literaturë dhe kulturë për ta përshkruar frikën dhe të panjohurën. Në letërsinë perëndimore, siç argumenton Sontag-i, sëmundja është përdorur për ta paraqitur, në shumë aspekte të shoqërisë: fajin, shpërfilljen sociale dhe dobësinë njerëzore. Vegjetarianizmi, ashtu edhe sëmundja e protagonistes, bëhen simbole të refuzimit të trupit dhe shoqërisë, dhe gjithashtu një akt i shenjës së dhimbjes dhe çmendurisë, përmes të cilit Yeong-hye kërkon një shpengim nga e kaluara dhe nga dhimbjet e brendshme që ka përjetuar.
E, pra, është një roman shumëplanësh në thjeshtësinë e vet proverbiale!
Duke e vendosur në këtë kontekst, “Vegjetariania” është rrëfimi për një grua që përpiqet të shpëtojë nga një shoqëri e ngarkuar me standarde të dëmshme, të pasinqerta dhe të padëshiruara. Autorja rrëfen nëpërmes stilit të saj të ftohtë dhe depërtues në skutat e errëta të shpirtit njerëzor, kurse lexuesit k mbetet që të ballafaqohet me përjetimet e fshehtësisë brenda shoqërisë dhe protagonistes. Është përpjekja për të dalë nga rrethi i tillë i dhunës familjare e shoqërore. “Vegjetariania” është një roman që kërkon t’i heqë pengesat mes trupit, mendjes dhe shoqërisë, dhe, si një kryevepër, shqyrton çështje të thella ekzistenciale që lidhen me identitetin, refuzimin, dhimbjen dhe shpërbërjen e trupit, mendjes, individit, familjes dhe shoqërisë. Ai është një roman që iu bën sfidë të fuqishme normave kulturore dhe sociale, dhe përmes tij Han Kang arrin të shprehë një reflektim të thellë mbi çështje të jetës dhe vdekjes, shëndetit dhe sëmundjes, si dhe mbi pasojat e vendimeve të jashtëzakonshme në jetën e një individi.
Nëntor 2024
____________________
E lexuar në Bibliotekën “Fan S. Noli” të Gjilanit, më 23 nëntor 2024, ku u vlerësua romani i nobelistes së sivjeme për letërsi, VEGJETARIANIA, të shkrimtares jugkoreane, Han Kang, në kuadër të edicionit të 15-të të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, 2024