Libri

BRENDA DASHNISË TEME QË T’PRET

Kaltrinë E. UKA
BRENDA DASHNISË TEME QË T’PRET
( Pesë poezi nën një titull të përbashkët )
O DIELL I FUNDIT I KËSAJ VERE
O diell i fundit i kësaj vere
që fundosesh në gjirin e vjeshtës
në pëlhurën e saj të purpurtë
gjethe-rënë
merre me vete frikën e pritjes
që furishëm i drithëron
ditët e netët në mua,
merre kujtimin e rrëmbyeshëm
të shpirtit
që veç thellë tij bën trandje e batërdi,
rënkimet e tallazshme,
ankthet e rrepta..
O diell i fundit i kësaj vere,
mos lejo që vetëtimë vjeshtake
t’më kujtoj sërish
një ikje të shkrepur në çast,
S’dua ta kujtoj dhe në një stinë!
s’dua ta kujtoj dhe në një stinë!…
është zjarr që djeg
dhe mall i ftohtë që ngrinë…
KTHEHU
Kthehu
se po t’thërret malli
Regtimë e zemrës psalm përnatje asht ba,
spazmë e ditëve ka gremis trupin tem t’hajthëm
tue t’kërkue mes shtrëngatave përnatë.
Kthehu,
t’njëjtës udhë ka ke shkue,
mbolla jasemin përmbi secilën gjurmë
as n’dihatje s’e lash shpirtin gja tanden me u harrue!
Kthehu,
kur malli mpiks mes andrrave e plages
pjergullën e rëndueme t’rënkimit
jargon puthjet zaptuese tue thellue n’asht dhimbjen!
Kthehu!
Se kurrë s’pat forcë asgja e jemja me t’harrue
skalitun t’ka me tan sekrecionin e trupit n’kurmin e hajthem,
n’forma hyjzish t’kam rue farfurine e syve,
pulitjen mbërthye e kam me bulat e gishtave.
Kthehu!
e hyn thellë mbrenda dashnise tem që t’pret
nën harlisje t’tërbueme me u derdh n’legaten e lëkurës t’bardhë
oshtimë e klithmës e papërmasë
t’bahet jehonë e pazashme e nepsit t’shujtun.
Kthehu,
se zjarri që djeg mallshëm ka shndërrue
mungimin e pamjes tande joshëse
e feksjen e syve tue n’vegimin tem t’përditshëm
e n’drithnimë etje duert mikluese me t’nanurisë.
Kthehu,
Nën timbrin e ktij malli që po t thrret!
TË KËRKOVA …
Të kërkova, të kërkova
nëpër dimëra, nëpër verëra
nëpër ditë, nëpër net
nëpër mjegull, nëpër erëra,
nëpër çelje trëndafilash
nëpër brigje valështrirë,
po s’të gjeta, hiç askund
të rritet malli, të rritet nis!
Në ç’vend fshehe hiret e tua?
Në cilën fushë blerimshtrirë?
Mos vallë në grykëderdhje lumi
mbulove diku hirësinë?
Të kërkova, të kërkova
nëpër zgjime të reja agujsh
nëpër muzgje tejet të vona
thellësi detesh, lartësi malesh.
Të kërkova, të kërkova
me krah fluture, e shpendmadhi
po s’të gjeta, hiç askund
nis e rritet, rritet malli!
ME IKË SI TI
Mes njasaj kohe
kur dita mbahet ende për perëndimi
dhe nata nis’ me u zgjerue me t’zezën
bash njatëherë m’lind nji gulçim përmbrenda
sepse perëndimi tjerrë kaltërinë
dhe zhbiron diellin e tymtë.
Ky asht nji arsyetim i pavërtetë dhe si nji përgjigje e shkurtër
për njata që kalojnë si re përmbi hanë…
qartësia e gulçimit asht ikja jote
dhe edhe unë due me ik nëpërmjet të njëjtit gji antik.
Ndodh që e bind veten me ik
rishtaz harroj si iket
dhe ngelena me nji ethje frike
mbrenda nji romantike malli
shtrirë në nji shtrat me ty
ku dëgjohet thyemja e kohës
me fjalë t’ambla
nji cakërrimë dashniet
puthje vere e pirë pikë me pikë
nji gëzuar me të kuq trëndafili
dhe krejt në fund nji ndarje
e kthyeme në gjëegjëz…
Dhe unë tash në shëtitjen e nji bindje
shoh teket e perëndimit që pothuej mbaruen
dhe nji gllënjekë nate që ngadalë po zbulon terrinë
tash due me ik
edhe unë si ti
nëpërmjet të njëjtit gji antik
po asht e pamundun
si nji hënëz që don t’jetë nji flutur…
KUDO E KURDO
Kjo asht për ty që nji ditë ke me ik
fundja t’gjithë nji ditë ikin,
por kudo që ki me u largue
kam me i rue përherë kaçurrelet e tua
dhe andrrimet e mija me ty,
kurdo që ki me u largue
tue i lanë dëshirimet e mija t’papërmbushuna
gjumin e mbytun n’brymën e agimeve flokëkuq
unë sërish kam me t’shtrëngue
në përqafimet e mija.
Kudo e kurdo që ki me u largue
çelun kam me t’mbajtë mbrenda vedi
n’pragjet e andrrimeve kam me nejt tue pëshpërit emnin tand
e shkëputun prej krahëve tu
prapë kam me e dashtë formën tande imtësisht.
Kurdo e kudo që ki me mar udhë me ik,
unë do rri tue t’dashtë në tana ditët
kurdo e kudo që t’jem.

You Might Also Like