Sot po bëhet 1 vit, që kur u nda nga jeta gazetari gjilanas Xhavit Salihu, themelues i njërës nga radio stacionet më me zë në Gjilan, Radio Star. Salihu ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare, në mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit 2017. Një datë që u përjetua rëndë edhe nga ne, kolegët e tij, sepse në përditshmërinë rutinë, në mesin e shumë lajmeve të përgatitura, me dhimbje dhamë edhe lajmin se, “Xhaviti na la!”.
Nga: Muhamet HALILI
Sot, në këtë ditë, në këtë përvjetor të parë pa të, përveç kujtimit nga më të dashurit, familjarët e tij, miq e shokë, ai kujtohet edhe nga kolegët gazetarë, pasi mungesa e tij fizike vazhdon të ndihet akoma, veçmas tek ata që pothuajse pjesën më të madhe të ditës e kaluan bashkë, në kërkim të lajmit, për ta ndarë më pas atë me publikun, të tjerët në mediumet e tyre, e Xhavit Salihu përmes valëve të radios, frekuencave 96.4 FM, të radios që e themeloi vet ai, më 2002 e që e emërtoi Radio Star.
Gjatë tërë këtij viti, mungesa e tij fizike, është vërejtur sidomos gjatë punës në terren. Gjersa ishim në ndonjë ngjarje/konferencë, sikur prisnim ta parashtronte edhe ai ndonjë pyetje, diku në ndonjë ngjarje tjetër, sikur prisnim ta shihnim duke regjistruar me diktafonin e tij, tonikën, e diku tjetër prisnim t’ia shkrepte me aparat, për ta kapur një pamje sa më të mirë…
Pastaj, edhe nëpër pauzat tona të kafes, sikur në një ulëse nuk donim të uleshim sepse aty do të ulej Xhaviti, e po ashtu prisnim që veshi të na kapte edhe zërin e tij teksa porosiste, “Hajt edhe mue një qaj!”. Po ashtu, sa herë që ndonjë këngë e vjetër me vlerë lëshohej nga valët e Radio Star, sikur i thoshim vetvetes, “nga fonoteka e tij e bollshme është, vetëm Xhavit Salihu e ka këtë album origjinal, pak ose hiq persona e kanë këtë album…”. e kujtime të tjera.
Por, krejt këto zhvilloheshin në mendjet tona, në mendjet e atyre që e kanë njohur mirë atë, andaj edhe kujtim për të shpalosej lehtas, si rrjedhë e natyrshme lumi.
Xhavit Salihu ishte i mishëruar me punën e tij, prej gazetari dhe drejtuesi të një radioje. Sidomos kur ishte në pyetje muzika me vlerë, emri i tij nuk mund të mos përmendej. Gjithmonë kishte shije të veçantë, të stërholluar për muzikën. Fonoteka e tij ishte e pasur, me kaseta, pllaka të gramafonit, shirite, disqe, e çka jo tjetër, andaj e pakuptimtë ishte pyetje për të: “A e ke këtë këngë?!”. Fonoteka e tij personale, tejet e pasur, e rregulluara mirë e me shije, në fakt ishte edhe e dëgjuesve të Radio Star, sepse ai e ndante atë, përmes valëve të radios, ku transmetonte muzikën më të mirë për dëgjuesit besnikë të Radio Star.
Kishte vullnetin e fortë për punë. Edhe kur shëndeti nisi ta tradhtonte, sikur donte të përçonte mesazhin e tij se, jo, nuk ka dorëzim por duhet vazhduar, duhet avancuar gazetaria, duhet forcuar radioja dhe bërë edhe ma profesionale, duhej informuar publiku sa më objektivisht. Është Arbreshi në mikrofon, po ashtu edhe Flakroni në teknikë, (djemtë e tij), si dhe bashkëpunëtorë të tjerë të Radio Star, për të vazhduar programi tutje në një radio, që ai synonte ta avanconte dhe ngriste në një stad krejtësisht tjetër. Por, sëmundja e lodhi, deri në ditën kur nga familjarët u dha lajmi se Xhavit Salihu iku në amshim, duke lënë kështu një boshllëk në gazetarinë gjilanase.
Ai iku, duke lënë pas vet, vite të shumta dashuri për profesionin e gazetarisë, për muzikën, për radio stacionin që e themeloi vet. Pra mbeti kontributi i tij i jashtëzakonshëm në gazetari, në informimin me kohë dhe në mënyrë objektive të publikut, përmes mediumit që ai e ngriti, e që tani me plot sukses po vazhdojnë ta e drejtojnë pasardhësit e tij, Arbreshi e Flakroni, duke e profesionalizuar edhe më shumë, ashtu siç do të donte vet Xhaviti.
Prehu i qetë mik, shok e koleg, i dashur Xhavit. Do të vazhdosh të mbetesh i paharrueshëm në kujtimet tona.