OPINION

Me “Flakën e Janarit” nisëm të luftojmë barbarinë edhe me kulturë

Shkruan: Lirije Kajtazi, deputete

Flaka Janarit 2019

17.01.2019

15 janar 1991, e diel kur një grup i të rinjve i organizuar në Forumin e Rinise të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të përkrahur nga çdo moshë vendosi të mos heshte më.

As ata nuk heshtën, Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhepi, Nuhiu, Zijahu… nuk do të heshtën, ata flasin edhe sot.

Nuk do të heshtim as ne!

Do t’i kujtojmë zëshëm dhe me pietet, aq sa mundemi, të luftojmë barbarinë me kulturë.

Kështu zuri fill manifestimi përkujtimor që pas një viti, në bashkë punim me Shoqatën Kulturore, i vendosi si bazament katër shtylla kulturore të cilat i ruan edhe sot, dhe u emërtua me një emër simbolik e domethënës Flaka e Janarit.

Dhe shkoi edhe më thellë në kohë, për të kujtuar heroizmat e kryetrimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri te ata të ditëve të Luftës Çlirimtare.

Nëpër të gjitha këto vite, Flaka arriti të ruaj idenë dhe konceptin themeltarë  që me art të nderohen dhe përkujtohen martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit të rënë  gjatë gjithë janarëve të historisë dhe jo vetëm gjatë tij, si dhe personalitete të shquara kombëtare që të shëmbëllejnë për brezat e ri.

Nga një trekëndësh i vogël i hapësirës gjilanase Përlepnicë-Gjilan-Bresalc, Flaka përfshiu jo vetëm historinë e lavdishme, por edhe të gjithë gjeografinë shqiptare dhe me një shpërthim kulturorë përmes artit skenik, pamor, muzikor e letrar, shpërtheu në të gjitha anët për të ndriçuar rrugën e lirisë.

Që nga fillimi, çdo përmbyllje e flakës përpos që spikate me vlera kulturore, ajo kishte edhe mesazhin e arritjes së lirisë!

Si pjesë e Flakës, që nga fillimi, me 2007, pata nderin ta përmbyll atë me dëshirë që flaka e 2008 Kosovën tonë ta gjejë të pavarur.

Nëse simbolika e Flakës nëpër vite ishte ta gjejmë rrugën e lirisë përmes shëmbëlltyrës së heronjve, ta ndjekim atë, urojmë që flaka të ndriçojë që mos ta humbim rrugën për ta ndërtuar Kosovën tonë si shtet të dinjitetshëm për brezat e ardhshëm.

Lavdi të  gjithë  atyre që  dhanë  shumë  për lirinë e Kosovës!

 

 

 

 

You Might Also Like