ARSIMI

Një vizitë KFOR-it turk në Prizren

Nxënës dhe mësimdhënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë me KFOR-in turk i kanë bërë një vizitë Kampit të KFOR-it “Sulltan Murati” në Prizren, ku janë pritur nga Komandanti i këtij Kampi Numan Bash dhe bashkëpunëtorët e tij. Fillimisht komandanti Bash i ka njoftuar nxënësit me personalitetin e Sulltan Muratit dhe të reformatorit turk, Kemajl Ataturk, pastaj në një takim miqësor, në kantinën e kazermës, duke konsumuar çajin tradicional turk dhe kafenë turke, ka folur për misionin e ushtarëve turk të KFOR-it në Kosovë.

Numan Bash, ka theksuar se ky kamp ekziston që nga paslufta dhe ushtarët turq janë këtu për të ruajtur paqen në Kosovë. Ai nën moton “Paqe në vend, paqe në botë”, që është thënie e Kemajl Ataturkut i ka porositur nxënësit që të ruajnë dhe t’a kultivojnë lirinë, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë. Ai tha se “në çdo vend ku gjendet flamuri i Turqisë, aty është edhe shtëpia e juaj”.

Në Kampin “Sulltan Murati” ushtarët turq kanë të gjitha kushtet për jetën ushtarake. Komandanti Bash para nxënësve ka prezantuar komandën, ku gjenden fotografitë e të gjithë komandantëve të KFOR-it turk, pastaj terrenet sportive dhe ato rekreative, si shtigjet e atletikës, fushën e basketbollit, të volejbollit dhe të sporteve të tjera, pastaj tavolinat e pingpongut, të bilardos, fitnesit dhe për aktivitete të tjera.

Komandanti kolonel Numan Bash dhe ushtarët e tij, ditë më parë kishin vizituar Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku nga afër kanë parë kushtet në të cilat mësojnë nxënësit, janë ndalur në një bashkëbisedim, kurse me drejtorin e shkollës, Bekim Mustafa, nga afër kanë parë mundësitë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Mësimdhënësit dhe nxënësit i janë falënderuar ushtarëve turq për mikpritjen dhe kanë paralajmëruar vizita të ndërsjella edhe në të ardhmen.

Ishte kjo një mundësi e mirë që në fund të gjysmëvjetorit të parë, nxënësit t’i bëjnë një vizitë Prizrenit, në qendrën moderne “Abi Çarshi” kësaj radhe këtë fat e patën nxënësit me mësim në gjuhën turke dhe nxënësit kampionë të Kosovës në shah dhe në pingpong, bashkë me mësimdhënësit e tyre.

You Might Also Like