Sadete Tërnava – Osmani
NJERIU IM
Njeriu im e quaj se mjaftueshëm s’di ta cilësoj
Kurrë s’ka djegur ura e as arave për mesi s’u ka rënë
Shpëtimin edhe në besimin e tjetrit e ka gjetur
Thoshte se fetë janë ekuivalencë
Lutja për shpëtim paraqet kodifikim
Ndërkaq mospërfillja është shfaqje e marrë zakonore
Kur s’pajtohesha dhe e pyetja për psenë
Citimet s’i kam modus operandi thoshte
Thjesht, m’ pëlqen t’ jem temë e jo individ
Polemika shoqërore të shkaktojë
Me trup përkulur nën syzet e plasaritura rendi i tij për pyetje
A pajtohesh që tempujt mbi rrënoja duhet ngritur
Dhe rojet e shtigjeve malore t’i zbusim e dëfrejmë
Qeshja me modestinë e tij tek vetë përgjigjej
Se askush s’do shpërfillur për botën mendore
Për ndjenjën e idealizuar dhe konceptin e nderit
Ky ishte njeriu im brenda psesë që i kërkoja
Pre e moskuptimit dhe nervozës së pashfaqur
Mbase ruajtës i sundimit mbi veten e ndjekës i elitave provinciale
Vazhdon të jetë çdo ditë prishës i kuptimit të shtirë politik
Për presupozimet e çekuilibruara
Tek më dëftonte se si me tiketë filoilirizmi udhëton
Njeriu im ekzemplar vazhdon të jetë besnik i biografisë kolektive
Vetëshpërfillës por i patjetërsuar
Këmbëngulja thoshte e mban gjallë tekstin e mbijetuar