Futboll

Nuhiu: Pres mbështetjen e tifozëve, janë motiv shtesë për futbollistët

Ardian Nuhiu është shfaqur në konferencën për media para duelit kampional ndaj Malishevës, i cili është njëri nga më të rëndësishmit e këtij sezoni që mund të përcaktojë shumë gjëra.

Tekniku i gjilanasve theksoi se skuadra duhet të futet me personalitetin të cilin e treguan në duelin e kaluar ndaj Feronikeli ’74, ndaj ka besim te futbollistët e tij.

“Para se të shkoj te ndeshja e nesërme dua ta theksoj që kemi bërë një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Feronikeli ’74. Futbollistët treguan shumë karakter duke u rikthyer pas disavantazhit prej dy golave në pjesën e parë. Për asnjë moment nuk humbën besimin, shpirti luftarak i tyre, potenciali dhe kualiteti u dëshmua në pjesën e dytë dhe jam i lumtur për këtë rikthim të rezultatin. Kjo ndeshje flet për karakterin e tyre dhe unë besoj fuqishëm që nesër ti qasemi ndeshjes po me atë karakter dhe shpirt luftarak”.

“Ndodhemi pranë një kundërshtari të fortë që ka objektivat e njejta me ne, por besoj te potenciali dhe vendosshmëria e futbollistëve të mi të marrim maksimumin dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë deri në fund”.

Nuhiu nuk ka preferuar të flas për sfidat e tjera, pasi që në fokus është dueli ndaj Malishevës, të cilin synojnë ta mbyllin me rezultat pozitiv.

“Jam i prirë për të menduar gjërat pozitive dhe për këtë arsye ekipin e mendoj lartë. Nuk kemi ndeshje për të rikuperuar pikë dhe nesër duhet të futemi të përqendruar dhe nuk guxojmë të lëshojmë në asnjë moment. Ta mbyllim ndeshjen pozitive në favorin tonë, pastaj do të shohim edhe ndeshjet e tjera”.

“Forcën Gjilani e ka edhe po të jetë Malisheva në super formë, pavarësisht sfidave tjera si ka kaluara kundërshtari, nesër është një sfidë e re. Ne duhet të jemi të bashkuar si grup dhe jam i bindur se çdo futbollist do ta luaj këtë ndeshje sikurse finale, prandaj duhet të japim diçka që ende nuk e kemi parë deri më tani”.

Tekniku i gjilanasve ka folur edhe për mungesën e futbollistit Armend Thaqi, megjithatë është me besim maksimal te futbollisti i cili do ta zëvendësojë atë.

“Kam besim të plotë te futbollisti i cili do ta zëvendësojë Armend Thaqin. Nuk diskutohet rëndësia dhe potenciali tij për skuadrën tonë, por jam shumë i bindur te futbollisti i cili do të luaj nesër në vend të tij”.

Nuhiu nuk ka preferuar të flas për matematikat në këtë fazë të garave, derisa ka ritheksuar se llogaritë do të bëhen në fund të edicionit.

“Preferoj të flasim në fushë, në fund të kampionatit do ta shohim se ku do të jetë Gjilani. Nuk mundemi të bëjmë llogaritë gjatë rrugës, por do të shohim në fund se ku do jetë me objektiv Gjilani”.

Në fund ai ka ftuar gjithë tifozët që të jenë prezent në këtë ndeshje.

“Pres që tifozët do jenë afër skuadrës dhe ta mbështesin në këtë sfidë vendimtare. Futbollistët do të japim maksimumin gjithsesi, por mbështetja e tifozëve do të jetë një motiv shtesë”.

Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës do të zhvillohet të marten me 6 maj me fillim nga ora 15:00.

You Might Also Like