Në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” këtë të enjte është mbajtur një ligjëratë tejet domethënëse, me temë atdhetarie, e cila i është kushtuar përpjekjeve të shqiptarëve për liri e me theks të veçantë është trajtuar figura e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ligjërues në këtë ngjarje të madhe ka qenë Nusret Pllana, ish-zëri lajmëtar i Radios Kosova e Lirë, autor i shumë librave që sensibilizuan të huajt për Kosovën kudo në botë, realizues i shumë dokumentarëve, profesor universitar e luftëtar i paepur për çështjen kombëtare.
Fillimisht, në cilësinë e organizatorit, profesori Ali Kryeziu, ka thënë se Nusret Pllana dëshmon të vërtetën nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, puna e tij është një histori që kudo u prezantua me plot sukses dhe tërë këtë punë ai e zhvilloi me përkushtim dhe dashuri për atdheun e vet.

Pllana, që ishte themelues i Ansamblit “Hasan Prishtina”, për veprimtari atdhetare dy herë ishte dënuar me burgim të gjatë, ai ishte luftëtar i UÇK-së, zëri lajmëtar nga vija e luftës dhe zëri i shpresës në Radion Kosova e Lirë, ish-ministër, udhëheqës i Arkivit të UÇK-së dhe tashti profesor universitar në Universitetin “Hasan Prishtina”, autor i shumë dokumentarëve dhe librave të cilat botës ia bënë me dije krimet e Serbisë në Kosovë.
Edhe Jeton Rexhepi, drejtor në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini”, ka thënë fjalë miradije për Nysret Pllanën, të cilin e cilësoi si njeri që dëshmoi të vërtetën, ruajtës të kujtesës historike dhe dëshmitar i përpjekjeve të historisë sonë kombëtare.

Krye protagonisti i kësaj ngjarje, Nusret Pllana, para nxënësve, mësimdhënësve dhe udhëheqjes së shkollës është paraqitur me një ligjëratë për komandantin legjendar Adem Jashari me titull “Adem Jashari simbol i qëndresës – frymëzim i lirisë”. Pllana tha se familja Jashari është sui generis në historinë botërore, ngase askund dhe asnjëherë në botë nuk ka ndodhur që një familje e tërë nga më plaku e deri te më i riu, të luftojnë me një armatë të tërë dhe ku 59 veta dhanë jetën për liri në mesin e tyre edhe 15 fëmijë, që ranë duke luftuar e qëndruar. Ky është një shembull i paparë ndonjëherë dhe se si askund në botë, në Kosovë, kur ra komandanti, numri i djemve dhe vajzave që rrokën armët për liri dhe që iu bashkëngjitën UÇK-së u shumëfishua.

Pllana tha se nuk duhet përqafuar harresën e historisë sonë, nuk duhet harruar se falë UÇK-së dhe aleatëve tanë nga NATO-ja arritëm lirinë tonë, luftë në të cilën humbën jetën 1392 fëmijë.
Nusret Pllana krejt këto barabari serbe mbi shqiptarët i ka paraqitur në librin “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, libër që ka arritur të futet në Bibliotekat më të njohura evropiane e botërore.

Kjo ligjëratë ka ngjall interesim të shtuar tek nxënësit, për të cilët ishte kjo më shumë se një orë historie, një ligjëratë që për kohë të gjatë do të mbetet në mendjet e tyre për të mos harruar se liria është fituar me gjak e me shumë sakrifica.
Në këtë ditë është shfaqur edhe një dokumentar i metrazhit të shkurtër për historinë e popullit shqiptar./kryelajmi.com/.





