ARSIMI

Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” shpalosin më shumë njohuri për Francën, rajonet e saj, monumentet dhe kulturën

Shumëkush mund të mos ketë patur mundësi që të vizitojë Francën, vend që ka një trashëgimi të pasur kulturore. Kulla e Ajfelit, Porta Triumfale, Katedrale e Kështjella të panumërta, monumente kulturore, vepra artistike me famë botërore e çka jo tjetër numëron ky vend i Evropës Perëndimore.

Pikërisht në këtë temë, në kuadër të programit “Mbështetje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”- ASSET nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, kanë mbajtur një aktivitet në temën “Franca, rajonet e saj, monumentet dhe kultura” (La France, ses régions, monuments, histoire et culture”.

Koordinator i këtij projekti ishte profesori i Gjuhës Frënge, Sami Selishta bashkë me profesorët Enver Sadiku dhe Rabit Miftari.

Projekti është realizuar asisoj që në një pano të madhe në të cilën janë ngjyrat kaltër, bardh e kuq e që ka simbolikën e Flamurit të Francës, janë prezantuar krahinat e Francës, që paraqesin një ndarje administrative dhe për secilën prej tyre janë paraqitur monumentet kryesore kulturore e historike.

Nxënësit duke hulumtuar këtë lloj trashëgime edhe më tepër janë thelluar në njohjen e kësaj pasurie kulturore e historike e më pas të njëjtat ata i kanë paraqitur në panon e bërë enkas për qëllim që shikuesi të njihet me to.

Kështu aty mund të shihen: Katedralja Notre-Dame e Parisit, Kështjella e Versajës, Kulla e Ajfelit, Kështjella e Shambordit, Katedralja e Reimsit e shumë e shumë monumente të ndryshme kulturore e historike.

Ndryshe, ky ishte vetëm njëri nga gjashtë aktivitetet në kuadër të programit “Mbështetje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”- ASSET.

 

You Might Also Like