Gjilan

Pajisja me leje ndërtimi më e mirë se rrënimi

Komuna e  Gjilanit nuk e ka qëllim parësor rrënimin e objekteve, por pajisjen me leje të të gjithë atyre që mëtojnë të ndërtojnë.

Valom Shefkiu, drejtor i Urbanizmit, ka thënë se po bëjnë inspektime në terren e numri i inspektimeve ka arritur në 260, nga të cilat janë marrë 88 vendime për ndërprerjen e punimeve dhe 16 vendime për rrënim të objekteve të ndërtuara pa leje.

Sipas Shefkiut, aty ku vendoset shiriti nuk lejohet vazhdimi i punimeve, kurse pas vendosjes së shiritit vjen rrënimi e gjoba mandatore. Ai ka thënë se kjo nuk do të thotë që me vendosjen e shiritit menjëherë nis rrënimi, por se qëllimi kryesor është pajisja me leje ndërtimi. I pyetur nga gazetarët, Valon Shefkiu, drejtor i Urbanizmit, ka thënë se në komunën  e Gjilanit ka një kompani të kontraktuar për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, kurse sa i përket gjobave që shqiptohen ato ndryshojnë varësisht prej ndërtimeve.

“Deri më tashti kemi shqiptuar 27 gjoba të ndryshme, nga të cilat janë inkasuar 11 mijë e 300 euro dhe konsiderojmë se më mirë është që ndërtohet i pajisur me leje se sa që të paguhen gjoba”, ka thënë Shefkiu.

Ndryshe, pos shumë punëve që po bëhen në Gjilan, të cilat i ka përmendur Shefkiu, është thënë se të hyrat e kësaj drejtorie janë 680 mijë euro, apo mbi 80 përqind e atyre të planifikuara për tërë vitin, derisa në krahasim me vitin e kaluar shihet një rritje prej 60 përqind./Kryelajmi/.

You Might Also Like