Shkruan: Bashkim Isufi
Komuna e Gjilanit, lejon kompanitë reklamuese që të vendosin panot reklamuese vend e pa vend, përgjatë rrugëve kryesore të cilat frekuentohen më shumë nga qytetarët. Vënia e reklamave nga ana e tyre vend e pa vend, bëhen, shpesh, burime aksidentesh.
Javë më parë në rrugën “Lufta e Gjilanit 44” në Gjilan, ndodhi aksidenti zinxhiror, ku u përfshinë gjashtë makina në lëvizje, ku si pasojë e këtij aksidenti nëntë persona mbetën të lënduan, ndërsa një pano reklamuese u dëmtua.
Vendosja e reklamave në atë vend ndalohet me legjislacionin në fuqi.
Rruga në të cilën ndodhi aksidenti, sipas Udhëzimit Administrativ (MI) Nr. 08/018 mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për Kategorizimin e Rrugëve, rruga në fjalë e njohur si: “Rruga R6 (nyja) Gjilan – Dheu i Bardhë (Republika e Serbisë)”, është nën juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe jo të Komunës, por edhe nëse hipotetikisht operatori ka marr leje nga Ministria e Infrastrukturës, kjo prape është në kundërshtim me ligjin.
Në Ligjin për Rrugët, Nr.08/L-275, nenin 26 pika 2, në mënyrë taksative thuhet se: “ Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse është e ndaluar vendosja e reklamave në sipërfaqen e: tokës rrugore, brezit rrugor dhe brezit mbrojtës rrugor”.
Kushtet, kriteret dhe procedurat, për vendosjen e panove reklamuese në brezin rrugor dhe brezin mbrojtës të rrugëve Nacionale dhe Rajonale, janë përcaktuar në Udhëzimi Administrativ (MI) Nr. 10/2017 për vendosjen e panove reklamuese në rrugët nacionale dhe rajonale, i cili në nenin 6 paragrafi 1, nen paragrafi 1.2., 1.4 dhe 1.5, ka ndaluar vendosjen e panove reklamuese në: “1.2 Segmentet e rrugëve nacionale dhe rajonale, ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është mbi 50km/h”, “1.3. Kryqëzim të rrugëve publike dhe kryqëzimeve të rrugëve publike me hekurudhën, në distance jo më të vogël se njëqind e pesëdhjetë (150)metra”, “1.4 Distancë jo më të vogël se (100) metra, para shenjave të komunikacionit dhe pesëdhjetë (50) metra pas shenjave të komunikacionit, si dhe “1.5 Në shiritin ndarës të rrugëve me katër shirita apo më shumë shirita”.
Vendosja e panove reklamuese është bërë në një formë të tillë që tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve, ku pamja dhe vendndodhja e tyre mund të shkaktojnë konfuzion me shenjat e komunikacionit rrugorë, ose ta bëjnë të vështirë dallimin e tyre, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore, e që shpesh herë ka sjellë probleme dhe aksidente rrugore, për shkak të mosrespektimit të rregullave për vendosjen e tyre.
Komuna e Galanit, respektivisht Drejtoria për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, kërkohet që të marr vendim për revokimin e të gjitha pëlqimeve apo lejeve të cilat janë lëshuar nga ana e saj, për vendosjen e panove reklamuese në rrugë rajonale, të cilat janë në kundërshtim me paragrafin 1.2, 1.4 dhe 1.5 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.10/2017 për vendosjen e panove reklamuese.
Se a do te ndërmerret diçka konkrete ditëve në vijim apo do të vazhdojë vendosja e panovo reklamuese, le të mbetet nën-përgjegjësinë e institucioneve përkatëse shtetërore, për të siguruar rend dhe siguri për qytetarët, e posaçërisht nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës, siç e përcakton edhe neni 53 paragrafi 4 i Ligjit Nr.08/L-275 për Rrugët, i cili autorizon Policinë e Kosovës që të ndërhyrë në raste të tilla, ku në mënyrë taksative thuhet se: “Policia e Kosovës gjatë patrullimeve rutinore si dhe me kërkesë apo informacion të ndryshëm nëse has në aktiviteteve në rrugën publike apo në elementet e infrastrukturës rrugore që nuk janë duke u realizuar në përputhshmëri me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra mbi bazën e këtij ligji, bën ndërprerjen e punimeve deri në daljen në vendin e ngjarjes së inspektorit të ministrisë apo inspektorit të komunës”.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet e institucioneve në ditët në vijim.