Futboll

Për një çerek ore, Drenica i shënoi Dritës tre gola

As një çerek ore nuk I është dashur Drenicës për të rikthyer gjithçka në dobi të vetin për të mposhtur për të dytën herë kampionin aktual të Kosovës Dritën në këtë kampionat.

Pas një loje të baraspeshuar në pjesën e parë, Drita ka rrezikuar më tepër, duke qëlluar edhe traversën në këtë pjesëlojë, megjithatë pjesa e parë u mbyll pa gola e pa shumë raste shënimi.

Krejt ndryshe ishte në pjesëlojën e dytë, kur Drita më me ngulm e kërkonte fitoren dhe që në minutën 56 erdhi goli I parë për ekipin gjilanas, të cilin e ka shënuar Albert Dabiqaj, i cili është shërbyer nga e djathta dhe me kokë ka gjuajtur duke shënuar mbi duart e portierit të Drenicës.

Vetëm tetë minuta ka zgjatur epërsia e Dritës, ngase pas një degazhimi të portierit  të Drenicës, Taigo Gomes, Raddy Ovouka i Dritës, duke dashur të bllokojë sulmuesin e Drenicës, Ronaldo Chacon e la topin të shkojë në duart e portierit Maloku, por sulmuesi i Drenicës me dinakëri futi këmbën nga prapa dhe e dërgoi topin në portën e boshatisur, duke barazuar rezultatin 1:1.

Ky gol I lehtë sikur ua preu këmbët lojtarëve të Dritës dhe mbrojtja e saj ka dështuar edhe në minutën 73, kur pas disa pasimeve në brendi Ronaldo Chacon është gjetur i vetëm para portierit Maloku dhe nga afërsia ka futur topin në këndin e epërm të majtë.

Drita menjëherë bëri zëvendësime për të rikthyer rezultatin, por nga një kundërsulm i shpejtë sërish shënoi Drenica, kur Ronaldo Chacon shërbeu Ukën, e ky i iku Ovoukas dhe me urti, nën këmbët e portierit Maloku e futi topin në rrjetë për 3:1 për Drenicën.

Drita u mundua që të rikthehet shpejt dhe në minutën 81, Blerim Krasniqi me një gjuajtje nga larg qëlloi shtyllën pingule./kryelajmi.com/.

You Might Also Like