Gjilan

Përmbyllen takimet për buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025

Komuna e Gjilanit, ka përfunduar buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025, “Lagjja jote, vendimi yt”, ku banorët e 7 lokaliteteve dhe grupi i grave dhe vajzave, kanë propozuar e votuar për projektin e përzgjedhur të tyre në vlerën e 50 mijë eurove.

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me zyrën rajonale të OSCE-së në Gjilan, kanë mbajt takimin përmbyllës me grupin punues, shoqërinë civile, këshillat e fshatrave, përfaqësues të grupit të grave, komuniteteve jo shumicë dhe të rinjtë.

Në takim u diskutua për draft-raportin e konsultimeve publike, rekomandimet dhe konkluzionet nga procesi i buxhetimit.

Kryesuesja e grupit Arbenita Sopi Haziri, drejtoreshë e Administratës në Komunën e Gjilanit, tha se për herën e tretë me radhë, realizuan buxhetimin me pjesëmarrje në katër lagje të qytetit, tri fshatra dhe me gratë dhe vajzat.

“Nga 280 mijë euro sa ishin vitin e kaluar sivjet janë 400 mijë euro për tetë projektet ku për secilin projekt vlera është 50 mijë euro”, tha Sopi Haziri.

Drejtoresha e Administratës, theksoi  se konsultimet e para publike me qytetarë nisën me 14 maj dhe kanë vazhduar deri më 23 maj, ku qytetarët propozuan projektet për lokalitetet e tyre.

Më pas ka vazhduar faza e dytë me procesin e votimit nga 26 maji deri më 30 maj, ku banorët votuan dhe vendosën për projektin e përzgjedhur të tyre që do të përfshihet në buxhetin e komunës.

Sipas saj si në takimet e para po ashtu edhe në të dytat kishte pjesëmarrje të qytetarëve dhe grave e vajzave.

“Projektet të cilat u votuan nga qytetarët do të realizohen gjatë vitit 2026”, tha Sopi Haziri.

Drejtoresha e Administratës, falënderoi qytetarët të cilët ishin pjesë e dëgjimeve buxhetore.

Gratë dhe vajzat e Komunës së Gjilanit, kanë vendosur që të realizohet projekti-pjerrina për persona me nevoja të veçanta.

Banorët e lagjes Zabeli, vendosën që të realizohet projekti i rregullimit të hapësirës rekreative. Ata të lagjes “Tetë” për projektin e parkut të lagjes. Ndërsa banorët e lagjes “Tregu i gjelbër”, për projektin e këndit të lojërave për fëmijë. Banorët e lagjes “Rruga e Prishtinës”, kanë vendosur që të realizohet projekti i parkingut rreth shkollës “Sadulla Brestovci”.

Banorët e fshatit Livoç i Epërm, vendosën që të realizohet projekti i parkut në lagjen e Muhaxherëve. Banorët e fshatit Pogragjë, kanë vendosur që të realizohet projekti i zgjerimit të hapësirave publike për rekreacion. Banorët e fshatit Gumnishtë, kanë vendosur që të realizohet projekti i rregullimit të shtratit të lumit.

Edhe përfaqësues nga zyra rajonale e OSCE-së në Gjilan dhanë vlerësime pozitive për realizimin e buxhetimit me pjesëmarrje për vitin 2025.

You Might Also Like