Me pjesëmarrje madhështore të grave të Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan, është mbajtur sot takimi i bashkëbisedimit në kuadër të ciklit të debatit “LDK ju dëgjon” i cili u organizuar nga FG i LDK-së – Dega Gjilan.
Kryetarja e Forumit të Gruas në nivel qendror, prof. dr. Jehona Lushaku, u shpreh e entuziazmuar me pjesëmarrjen kaq masive të grave të Forumit të Gruas dhe tha se jemi shumë me fat që jemi pjesë e LDK-së për shkak se është e vetmja parti ku gratë kanë hapësirë të madhe veprimi, e madje në shumë raste fitojnë gara elektorale pa iu nënshtruar fare kuotës gjinore.
Kryetari i Degës, njëherësh nënkryetar i parë i LDK-së në nivel qendror, z. Lutfi Haziri, falënderoi gratë e FG të LDK-së për përkrahjen e përhershme. “Faleminderit që jeni sonte të pranishme në këtë masë kaq të madhe për të punuar bashkërisht e për t’i ndarë brengat, për të bashkëbiseduar për platformën e LDK-së, për rolin e gruas në LDK e në shoqëri e për rolin dhe angazhimin tuaj në të ardhmen. Me pjesëmarrjen e Jehona Lushakut, Lirije Kajtazit, Jeta Rafunës dhe nën organizimin e Valentina Bunjaku – Rexhepit, roli i gruas në LDK-në e Gjilanit po fuqizohet edhe më shumë. Duke debatuar e duke u angazhuar, ne arrijmë ta përmirësojmë rolin tonë edhe në arsim, shëndetësi, ekonomisë lokale, e ekonomisë së zhvillimit të vendit, e në veçanti të përfaqësimit më të mirë gjinor”, u shpreh kryetari z. Haziri.
Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan, znj. Valentna Bunjaku Rexhepi, u shpreh se po vazhdojmë me ciklin “LDK ju dëgjon”, edhe pse gjatë tetë viteve të qeverisjes në Gjilan, nën lidershipin e z. Haziri, gratë janë dëgjuar në vazhdimësi e të cilave u kanë besuar detyra të rëndësishme udhëheqëse. “Unë këshilloj gratë e vajzat të cilat dëshirojnë t’i hyjnë politikës, të mos pranojnë emërime, por të garojnë dhe të zgjidhen në pozita. Angazhimi i Forumit të Gruas do të jetë maksimal me qëllim të rritjes edhe më shumë të LDK-së në Gjilan” – tha znj. Bunjaku.
Gratë e LDK-së prezentë në këtë takim kanë kontribuar në debat lidhur me zhvillimet politike në Komunë, ku kanë shfaqur kritika për shkarkimet e dy grave që udhëhiqnin me dikastere të rëndësishme, por edhe në qeverisjen qendrore, veprimet e Degës pas Konventës, strukturat e Komisioneve profesionale të Degës, opozitarizmi i LDK-së dhe rikthimi i LDK-së nëpërmjet mobilizimit dhe regjistrimit të anëtarësisë.