ARSIMI

Pllakata e Lirisë në SHFMU “Ibrahim Uruqi” – Bresalc

Në nderim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri, në ambientet e shkollës sonë është vendosur kjo pllakatë simbolike.
Ajo paraqet momente të lavdishme të luftës çlirimtare, ku populli ynë, i udhëhequr nga bijtë më të mirë, ngriti flamurin kuqezi dhe qëndroi i bashkuar për idealin më të madh – lirinë.
Emri i shkollës sonë, “Ibrahim Uruqi”, mban me krenari kujtimin e dëshmorit të kombit nga fshati Bresalc, i cili me jetën dhe gjakun e tij u bë pjesë e historisë së lavdishme të UÇK-së.
Kjo pllakatë nuk është vetëm një kujtesë e së kaluarës, por edhe një mësim i përhershëm për brezat e rinj që rriten në këto banka shkollore: liria nuk dhurohet, ajo fitohet me sakrifica, me gjak dhe me përkushtim të pashoq për atdheun.
Çdo fëmijë që kalon pranë kësaj pllakatë, çdo nxënës që mëson në këto klasa, do ta dijë se është rritur mbi themele të shenjta – themelet e lirisë.
Ajo është thirrje që të mos harrojmë kurrë, por edhe betim se do ta duam dhe do ta ruajmë atdheun tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

You Might Also Like