ARSIMI

NË REGJIONIN E GJILANIT U MBAJT ME SUKSES GARA NDËRKOMBËTARE E MATEMATIKËS ,,KENGURI PA KUFI”

Shkruan: FESTIM SHKODRA, koordinator i Regjionit të Gjilanit për garën ndërkombëtare “Kenguri pa kufi”

Më 19 Mars 2022 në Gjilan u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” për Regjionin e Gjilanit . Në këtë garë morën pjesë rreth 250 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë). Kjo garë mbahet njëkohësisht, në tërë Koosovën dhe botë. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti ,,Atom” në Prishtinë, me përkrahje edhe nga MASHT-i. Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me rradhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në 6 kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII) , Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII). Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë në lëndën e matematikës apo në përgjithësi. Ata iu nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën varësisht prej kategorive që iu takojnë. Kjo garë organizohet në mbi 80 shtete të botës, ku marrin pjesë mbi gjashtë milionë nxënës. Kjo është gara ndërkombëtare më e popullarizuar e matematikës si dhe gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë. Prandaj kjo garë është një mundësi e mirë që edhe nxënësit e Kosovës ta kenë këtë përvojë si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, duke u sprovuar në teste të njëjta nga matematika. Republika e Kosovës sivjet mori pjesë për herë të gjashtë në këtë garë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti Ndërkombëtar ,,Atom” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHT-i. Kjo garë u mbajt më 19 Mars 2022 në tërë Kosovën. Në kuadër të kësaj gare, sivjet në Kosovë morën pjesë mbi 2000 nxënës. Pra numri i pjesëmarrësve në këtë garë edhe sivjet ishte më i vogël se sa herave tjera për shkak të çrregullimeve që solli pandemia e kovidit, në vitet e fundit. Kjo është njëkohësisht edhe gara më e madhe vjetore e dijes, që organizohet në Kosovë. Kështu edhe matematikanët e Kosovës, po e afirmojnë shtetin tonë në shkallë botërore. Në këtë garë nëpër botë, posaçërisht marrin pjesë me numër tejet të madh nxënësit e shteteve të zhvilluara të botës. Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” u organizua edhe në Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë), ku morën pjesë rreth 250 nxënës. Numri më i madh i garuesve ishin nga Komuna e Gjilanit. Ndërsa në kuadër të tyre, me përqindje më të madhe morën pjesë nxënësit nga shkollat: Hello Academy of Education nga Gjilani dhe SHFMU “Dëshmorët e Kombit” nga Livoqi Ultë. Ndërsa sipas klasave më të shumtë ishin garuesit nga klasa e IV dhe klasa e III. Gara u mbajt në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me përkrahje të madhe nga Fakulteti i Shkencave Aplikative (FSHA) pranë këtij universiteti dhe DKA në Gjilan. Ky universitet ofroi mikpritje të shkëlqyeshme dhe kushte tejet komode për mbajtjen e kësaj gare. Studentë të dalluar të degës së matematikës nga FSHA dhe mësimdhënësja Fatmire Hyseni, e kryen detyrën e kujdestarisë gjatë kësaj gare, me përgjegjësi tejet të lartë. Ata u udhëhoqën nga administratorët Agim Maliqi dhe Burim Jashari nën koordinimin e Koordinatorit të Regjionit të Gjilanit dhe njëkohësisht të Komunës së Gjilanit për këtë garë Festim Shkodrēs, Ndërsa koordinatorë komunalë të Vitisë, Kamenicës dhe Artanës ishin përkatësisht Burim Jashari, Agim Maliqi dhe Afrim Isufi. Edhe këtë herë, sikur edhe në tërë Kosovën, edhe në regjionin e Gjilanit, numri i garuesve ishte më i vogël se herave të tjera, për shkak të rrethanave të rënduara aktuale me sëmundjen e kovidit. Por është sukses i madh që gara edhe sivjet u organizua me praninë fizike të garuesve. Dega e matematikës pranë FSHA-së sivjet kontribuoi me përkrahje të madhe logjistike etj. , për mbajtjen me sukses të kësaj gare, posaçërisht profesorët Xhevdet Thaçi dhe Ekrem Halimi. Gjatë kësaj gare për nxënësit garues dhe stafin e garës, kompanitë vendore “Fluidi” dhe “Extra Fruits” dhuruen pije freskuese, ndërsa për jetësimin kohor të garës përmes fotografisë, u kujdes vullnetarisht z. Emrush Shkodra. Të gjithë ata që e mbështetën organizimin e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa Kufi 2022” në Gjilan i falënderojmë publikisht për përkrahjen e ofruar. Në hapjen e kësaj gare, në Gjilan mori pjesë drejtoresha e DKA-së së Komunës së Gjilanit, z-nja Selvete Sylejmani, prorektori i UKZ-së për çështje mësimore z. Xhevdet Thaçi si dhe disa mysafirë rasti. Drejtoresha e DKA-së e vlerësoi shumë këtë garë dhe punën e madhe për organizimin e saj, që po bëjnë organizatorët e saj dhe posaçërisht koordinatorin Festim Shkodra. Ajo i përgëzoi garuesit për interesimin e tyre për mbretëreshën e shkencave – matematikën, ajo tha se kjo shkencë është në themelet e çdo shkence tjetër. Z-nja Selvete Sylejmani iu tha garuesve, se sot edhe ju po merrni pjesë në këtë sfidë të dijes sikur miliona fëmijë nga tërë bota, prandaj kjo garë ka rëndësi tejet të madhe për ju garuesit dhe vendin tonë në përgjithësi. Ajo tha se kjo garë ndikon pozitivisht në formimin e tyre shkencor dhe nxitë rritjen e arritshmërisë në shkollat tona. Prandaj ajo premtoi përkrahjen maksimale të institucioneve komunale të Gjilanit për çdo garë të dijes, e posaçërisht për matematikë. Prorektori Xhevdet Thaçi, e përgëzoi këtë garë duke shprehë vullnetin që UKZ ta përkrahë edhe më tepër në të ardhmen, me dëshirë që ndonjë nga garuesit të bëhet edhe student i matematikës apo edhe ndonjë dege tjetër këtu. Sepse ai iu tha që matematika iu shërben më së miri, në saje të ndërtimit të saj që ka si shkencë për hyrje të suksesshme edhe në lëmi të tjera si: shkenca kompjuterike, elektroteknikë, ekonomi, agronomi etj. Garuesit i përshëndeti dhe e çmoi lartë garën, edhe mysafiri i rastit z. Faruk Özger profesor i matematikës në İzmir Kâtip Çelebi Üniversitesi, i ftuar në UKZ në kuadër të programit të bashkëpunimit ERASMUS. Koordinatori i regjionit të Gjilanit për këtë garë Festim Shkodra, duke iu uruar sukses garuesve njëkohësisht iu tha atyre se ju të gjithë jeni fitues, sepse duke u përgatitë për këtë garë ju keni mësuar shumë gjëra të reja dhe përmes kësaj gare do të dilni shumë më të ditur. Ai iu tha garuesve, se kjo garë ju mundëson ta shihni se matematika mund të jetë njëkohësisht sa sfiduese, edhe praktike dhe argëtuese. Ai përmendi se rëndësia e madhe e Garës Ndërkombëtare ,,Kenguri pa kufi”, qëndron edhe në faktin se ajo po i then kufijtë midis shteteve dhe midis nxënësve, sepse po ju mundëson pjesëmarrjen e lirë të të gjithëve. Testet e kësaj gare përgatiten nga një komision ndërkombëtar i ngritur nga Asociacioni Ndërkombëtar ,,Kenguri Pa Kufi” me seli në Paris dhe kontrollohen në mënyrë elektronike nëpër shtetet prej nga vijnë nxënësit. Rezultatet e testimit të nxënësve do të komunikohen gjatë muajit prill 2022. Rezultatet e nxënësve nuk do të shpallen publikisht, por do t’ju komunikohen nxënësve (prindërve) individualisht. Për formën, formatin dhe mënyrën e komunikimit të rezultateve individuale të testimit të garuesve në Kosovë, ata do të informohen me kohë përmes ueb faqes së Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K): www.kangaroo-ks.org dhe faqes së Facebook-ut të MKC-K. Rezultatet individuale të kësaj gare nuk shpallen publikisht, në mënyrë që të ruhet privatësia e pjesëmarrësve. Ndërsa garuesit më të suksesshëm shpallen publikisht. Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’iu jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht, ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës. Gara “Kenguri pa kufi” ka për qëllim promovimin e matematikës dhe rëndësisë së saj në gjithë botën. Veç kësaj, Instituti ATOM e përdorë këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës, posaçërisht duke ofruar kurse të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës dhe qasje në literaturë të avancuar të matematikës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë. Për më të dalluarit në nivel të shtetit, do të sigurohen edhe shpërblime të ndryshme varësisht nga mundësitë. Suksese të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare! Mirupafshim me shëndet të plotë dhe suksese në garën “Kenguri pa kufi 2023”!

You Might Also Like