Ajete Zogaj
POEZI MODERNE E MIRËFILLTË E RAMADAN MUSLIUT
Ramadan Musliu, Shtjellë shpirtërore. Poezi. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, botoi Sh.B. “Beqir Musliu” Gjilan 2021
I veçantë në jetë dhe i veçantë në krijimtari: publicist, kritik letrar e poet i shquar. Ky është, më pak fjalë, Ramadan Musliu, i cili edhe pse iku herët nga kjo botë, vepra e tij gjallon e do të gjallojë ndër breza.
Dëshmi e këtij gjallimi,është edhe botimi i librit “Shtjellë shpirtërore”, poezi e zgjedhur nga Anton Nikë Berisha dhe e përcjellë me një parathënie,e botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit.
Libri “Shtjellë shpirtërore”, del në dritë në një vjetorin e kalimit në amshim të autorit, shpalos shtjellën shpirtërore të poetit ndër vite, apo, të themi më mirë, është shpalimi poetik i rrugëtimit të Ramadan Musliut në magjinë e artit të fjalës – poezisë së tij kulmore.
Libri është ndarë në gjashtë cikle: (“Brenda prushit të fjalëve”, “Në shtjellën e hijes sime”, “Ëndrra e hap derën e harrimit”, “ Kohë e djegur në shpirt”, “Në thjerrëzën e syrit”, “Syve të tu liqeni e mbyll kaltërsinë”), ku profesor Anton Nikë Berisha me shumë kujdes ka përzgjedhur ‘nektarin’ e poezive të tij e botuara në librat e tij ndër vite.
Në secilin cikël poetik të këtij libri, shquhet moderniteti i vargut të poetit, kujdesi ndaj gjuhës, stili i mëvetësishëm, përkatësisht origjinaliteti i të shprehurit, që e bën Ramadan Musliun një poet të mirëfilltë modern.
Leximi i poezisë së këtij krijuesi, kërkon kujdes më të madh se rëndom kur lexohet një poezi tradicionale; një lexim dhe rilexim, ngase ajo është poezi me një nëntekst mjaft të pasur. Poezinë e tij e shquan mendimi i thelluar për ngjarje e dukuri me të cilat u ballafaqua dhe e shqetësojnë; për kohë e rrethana të mungëta, të cilat e tranden autorin dhe atdheun e tij.
Musliu përdor një gjuhë figurative, kuptimisht të pasur, gjetje artistike të rralla, që, pos të tjerash, shprehin revoltën e pakënaqësinë, ironinë e dëshpërimin.
Vargu i tij, bëhet ‘bashkudhëtarë’ me rrjedhat dhe me fatin e njeriut të tij, me pësimet dhe me tragjiken që e cilësoi.
Autori i çmon sidomos shkrimtarët tanë të vjetër dhe ata të traditës; dëshmon se i njeh mirë veprat e tyre dhe kërkon të mos harrohet tradita e të mos jemi të vonuar, siç ndodhi shpesh herë:
U kthyem shtëpive
u kthyem në vete të vonuar me shekuj
duke e pagëzuar rishtas njëri – tjetrin
I morëm ngjyrat e penat
i morëm letrat lëkurën gjakun
dhe Formulën e pagëzimit
të ruajtur diku në pergamenë
(U kthyem në vete të vonuar me shekuj, f. 45)
Në poezinë “Rekuiem për Zef Seremben” Musliu, ngjashëm si Noli në poezinë “Anës Lumenjve”, me një gjuhë metaforike shprehet:
Po vjen deti
detin po e sjell në sy
dhe një gur krype të vendlindjes
udhës së lashtë nëpër gjumë
nëpër detin me furtunë
sypafjetur truplodhur
gjuhëgjaku gjuhënënë
Këndoje nëpër histori ( f. 76)
Në ciklin e dytë “Në shtjellën e hijes sime”Ramadan Musliu në mënyrë figurative (ngase në Kosovë ishte kohë robërie ku duhej peshuar e matur mirë fjala), ia arrin që me vargun e tij të trajtojë bukur realitetin e zymtë, ku jeta e njeriut tonë ishte e rënduar në të gjitha aspektet e jetës. Kjo gjendje e rënduar vërehet sidomos tek poezia “Vjeshtë e vonë”:
Si një petk i vjetruar plot arna
Rri e varur vjeshta
Në gozhdën e ndryshkur të stinës
…………………………………………
Këmishën varur ma ka
në akrepat e orës
që trupin tim e kërkon
në hijen e zverdhur të lisit
Dhe pas pak nga ora
do të dalë qyqja të këndojë
këngën e ushtarit të vjetër
që fitoret gdhendur i ka
nëdorezën e fildishtë të shpatës ( f.88).
Pra, fat i keq i atdheut dhe i popullit del i pandashëm me fatin e autorit, prandaj ai është i shqetësuar shpirtërisht dhe këtë e shpreh në poezitë e tij:
Pahetueshëm edhe fati
na iku nga dora
dhe rrëshqiti
nëpër tubat e pista
të kanalizimit (f. 89).
Poezitë e përmbledhjes poetike “Shtjellë shpirtërore”, dëshmojnë se Ramadan Musliu na ka lënë trashëgimi një vepër vlerash të mëdha poetike, që mbruhen për artin e madh, që do të jetojë nëpër kohë. Në një vend të parathënies profesor Berisha e përdor shprehjen “Libër i hapur”, prandaj them me bindje të plotë se kjo përmbledhje me poezi do të jetë një bazë së cilës to t’i referohen ata që në të ardhmen do të merren me studimin e poezisë së Ramadan Musliut.
Vlerat e mëdha të poezisë se Ramadan Musliut dëshmohen edhe nga vlerësimi i profesor Anton Nikë Berishës në hyrje të librit: “Poezia e Ramadan Musliut me vlerat e saj poetike të shumta e të qenësishme, që përligjen mirëfilli me zgjedhjen ‘Shtjellë shpirtërore’, hyn në rrethin më të ngushtë të veprave që bëjnë kulmet e poezisë bashkëkohore shqipe”.
Është meritë e profesor Berishës, që me përzgjedhjen e këtyre poezive si dhe me parathënien, që mund të cilësohet studim në vete, ndriçon poezinë e Ramadan Musliut në shumë rrafshe dhe nga shumë këndvështrime: krahasues (duke e krahasuar me poetët më të shquar të letërsisë botërore (disa përafri të poezisë së tij), pastaj mënyra e mëvetësishme të krijimit të poezisë së Musliut e të mundësisë së komunikimit të saj me lexuesin, për mënyrën e qasjes dhe të krijimit të vargjeve dhe të poezisë si tërësi shtjelluese shprehëse, për stilin e mëvetësishëm e për modernitetin e të shprehurit poetik, siç theksohet edhe në parathënie të librit: “Ramadan Musliu na i la trashëgim ato vlera poetike moderne që njëmend nuk do të harrohen. Për këtë jam thellësisht i bindur”. (f. 39).
Prishtinë, tetor 2021
__________________
( Kjo kumtesë u paraqit në veprimtarinë e dytë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit, mbajtur më 23 tetor 2021, në Bibliotekën e Qytetit në GJilan, pikërisht në njëvjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit Ramadan Musliu, ku u paraqit poezia e tij e zgjedhur nga ana e prof. dr. Anton Nikë Berishës, SHTJELLË SHPIRTËRORE )