Nga holi i Bibliotekës së re të qytetit, nesër do nis rrugëtimin dymujor edicioni i tetë i Manifestimit tashmë tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
Para krijuesve dhe artdashësve gjilanas e më gjerë, do të paraqiten botimet e reja të këtij viti të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” , të cilat shoqërohen dhe më një ekspozitë libri, përfshirë dhe tituj tjerë të botuar viteve të fundit, e që do të ketë dhe karakter shitës.
Për botimet e këtij viti, do të flasin studiuesit e letërsisë, Nexhat Rexha e Anton Nikë Berisha kurse do të lexohen dhe pjesë poetike prej autorëve të pranishëm që kanë botuar këtë vit me këtë shtëpi botuese.
Në hapje të këtij Manifestimi, do të komunikohen dhe rezultatet e konkursit letrar tematik për figurën e Idriz Seferit, në kuadër të “Vitit të Iidriz Seferit”, shpallur nga Komuna e Gjilanit.
Përndryshe, gjatë kësaj maratone letrare, më 18 nëntor gjatë do të shtjellohet portreti letrar i Mehmetali Rexhepit si dhe do të ketë dhurime librash në dy shkolla, një në komunën e Gjilanit e një në komunën e Vitisë.
Ndërsa gjatë muajit dhjetor, veprimtaritë e Manifestimit vazhdojnë me “Mysafirët e Vjeshtës…”, me përurime librash letrar si dhe me shënimin e 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit gjilanas, Sabit Rrustemit.
Manifestimi maratonë “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”