Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të hënën mbledhjen e jashtëzakonshme, ku i ka rekomanduar për Kuvend Komunal tri pikat e rendit të ditës – Rregullimi i kanalizimit të ujërave të zeza, Raporti i punës i Komisionit Komunal të Aksionarëve të kompanisë “Ecohigjiena” si dhe Draft-plani aksional i veprimit për integrimin e komunitetit RAE për periudhën 2016-2018. Valentina Bunjaku, kryesuese e KPF, ka thënë se një diskutim më i gjerë për këto pika, do të zhvillohet të enjten, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ashtu siç ishte premtuar.
Duke dhënë sqarime në pyetjen e Bujar Nevzati (PDK) rreth projektit për ujërat e zeza, përkatësisht rregullimit të shtratit të lumit Mirusha dhe Stanishorka, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se Komuna e Gjilanit ka aplikuar për një kredi të butë te qeveria austriake, në vlerë mbi 12 milionë euro.
Qëllimi i këtij projekti është trajtimi i ujërave të zeza dhe rregullimin e shtratit të lumit Mirusha dhe Stanishorka, ka thënë ajo, duke sqaruar se një pjesë e projektit është kryer me mjete të Komunës.
Nevzati ka thënë se ne e kemi ditur prej fillimit që një Komunë e madhe si Gjilani nuk mund të zhvillohet pa borxhe, por nga qeverisja e tashme jemi akuzuar se kemi lënë shumë borxhe, nënvizoi ai.
Nevzati tha se në seancën e Kuvendit do të kërkojë më shumë sqarime nga kryetari i Komunës rreth kësaj kredie, që sipas tij, nuk është miratuar nga qeveria austriake.
Ka reaguar Valentina Bunjaku-Rexhepi, duke thënë se ne po marrin borxhe për projekte kapitale, ndërsa ju keni lënë borxhe nëpër restorante.
Sa i përket raportit të punës së Komisionit të Aksionarëve në “Ecohigjiena”, ku nuk figuron edhe raporti i të menaxhmentit të kompanisë, ku kanë kërkuar sqarime Nevzad Isufi (VV) dhe Bujar Nevzati (PDK), kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka sqaruar se partneri austriak nuk ka pranuar të vijë në Kuvend Komunal para se të sqarohet rasti në gjykatë, duke qenë se drejtori ekzekutiv ndodhet në arrest shtëpiak.