Në kuadër të agjendës së aktiviteteve të nëntorit, sot në Bibliotekën e Qytetit u promovua libri më i ri i autorit dhe profesorit Bajram Kosumi, “Enciklopedi e imagjinatës”. Ngjarja mblodhi figura të rëndësishme të jetës kulturore dhe institucionale të komunës.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj, autori i librit Bajram Kosumi, Drejtori i Arsimit Afrim Dervishi, si dhe autorë e studiues të njohur si Nexhat Rexha, Merxhan Avdyli, Mehmetali Rexhepi e shumë të tjerë.
Kryetari Kadri Rahimaj e uroi autorin Kosumi për botimin e ri, duke vlerësuar kontributin që ai ka dhënë ndër vite në letërsinë shqipe.
“Begatia jonë në këtë festë është promovimi i librit të profesorit Bajram Kosumi, që tani më peshon më rëndë e më shumë në shtëpinë e vet se kudo tjetër, pavarësisht se nuk dyshojmë asnjëherë në ndikimin që ka dhe do ta ketë në të ardhmen libri dhe vetë autori”, deklaroi Kryetari Rahimaj.
Nga ana tjetër, autori i librit, profesori Bajram Kosumi, falënderoi Kryetarin Rahimaj dhe të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen e tyre.
“Jam i nderuar nga prezenca juaj dhe ju falënderoj shumë. Shpesh kam marrë komente të tilla si ‘lini poezitë, bëni fabrika, sepse me fabrika bëhet shteti’. Kjo është e vërtetë, por nga ana tjetër me poezi bëhet shpirti i njeriut që mban shtetin. Pa poezi e letërsi, shpirti ynë zbehet. Sa herë e bëj veten pyetjen ‘a ja vlen për letërsi?’, e gjej përgjigjen dhe them se po, ja vlen, sepse letërsia është ajo që na i fshin pendesat e mëkatet që na krijon jeta e rëndë”, u shpreh ai.
Për librin dhanë kumtesat e tyre edhe autorët dhe studiuesit Nexhat Rexha, Merxhan Avdyli dhe Mehmetali Rexhepi, të cilët ndanë mendimet e tyre rreth rëndësisë, stilit dhe mesazheve që sjell kjo vepër e re letrare.
Promovimi u mbyll me diskutime dhe urime për autorin, ndërsa “Enciklopedi e imagjinatës” u vlerësua si një kontribut i çmuar për letërsinë bashkëkohore shqipe.





