OPINION

QËNDRIMI I FUQIVE TË MËDHA NDAJ KRIZËS BALLKANIKE

 

Enver Sadiku

 

Fuqitë e Mëdha të kohës, Austro-Hungaria, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia e Rusia, nuk kishin ndonjë qëndrim të përbashkët sa i përket zhvillimeve në Ballkan. Gjithë atë që po ndodhte në Ballkan e me këtë edhe në trojet shqiptare, Fuqitë e Mëdha i shihnin nga aspekti i interesave të tyre, andaj edhe vepronin sipas interesave që më tepër u shkonin për shtati.

Në prag të Luftërave Ballkanike edhe synimet dhe aspiratat e popujve të Ballkanit përplaseshin me njëra-tjetrën, ngase secili prej tyre kishte qëllimet e veta, disa për arritjen e qëllimeve kombëtare e për liri, disa të tjerë duke u thirrur në të drejtën historike e të tjerët qëllim parësor kishin zgjerimin e territoreve. Në të gjitha këto zhvillime rol të madh kishin edhe ndërhyrjet e shumëllojshme të Fuqive të Mëdha. “Pikërisht këto momente interesash e intrigash do të përcaktonin ngjarjet e ndryshme politike të fillimit të shekullit XX, në këtë rajon të Evropës Jug-lindore”.[1]Sipas kryeministrit e që njëkohësisht ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme të Francës, Rajmond Poenkare*, Austro – Hungaria, gjatë tërë krizës ballkanike ka bërë çdo gjë për të nxitur luftën e përgjithshme. Ajo nuk ishte indiferente gjatë viteve 1911 – 1912. Para se të fillojë konflikti ballkanik dhe gjatë kryengritjes së malësorëve shqiptarë më 1911, ajo kishte ushtruar presion në Stamboll në dobi të shqiptarëve[2] dhe se Italia pohonte se më 1912 nga Vjena vinin armë për shqiptarët.[3] Por realisht, Perandoria e dyfishtë, kishte interesa ta përkrahte kryengritjen shqiptare, por nuk e ndjente veten ende të përgatitur për t’u përballur në një luftë me Rusinë dhe shtetet ballkanike, nga njëra anë, pasi që ishte në rivalitet me Italinë nga ana tjetër, andaj kufizohej në ruajtjen e status quos.[4]

Pas hyrjes së kryengritësve shqiptarë në Shkup dhe pas deklaratës që e dha Ministri i Jashtëm i Austro – Hungarisë, konti Leopold Berthold*, ku parashihej që pas sukseseve të kryengritësve shqiptarë të ndërmerren masa për decentralizimin e Perandorisë Osmane në Vilajetin e Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, mbretëritë e vogla të Ballkanit, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Greqia mendonin që Shqipëria do të mbetet zonë e ndikimit të Austro-Hungarisë e kundër këtyre kërkesave iu bashkëngjitën edhe disa nga Fuqitë e Mëdha si: Franca, Anglia e Rusia. Kërkesa nuk u përkrah as nga Gjermania.[5] Kundër propozimit për krijimin e një Shqipërie autonome, ku do të përfshiheshin katër vilajetet ishte edhe Porta e Lartë, e cila deklaronte se ajo është çështje e brendshme e Perandorisë Osmane.[6]

Krerët shqiptarë, që pos nëpërmjet kryengritjes së armatosur vepronin edhe në atë diplomatik, e kishin kuptuar se në arritjen e autonomisë apo edhe të pavarësisë së Shqipërisë, nuk mund të arrihej duke u mbështetur vetëm në forcat e brendshme, por se ishte e domosdoshme edhe mbështetja e jashtme. Në këtë kohë, interesat e Austro – Hungarisë në Ballkan, përputheshin me ato të popullit shqiptar, andaj krerët e Lëvizjes Kombëtare mbështetjen më të madhe e shihnin pikërisht te monarkia e dyfishtë, e cila më pas do të ishte mbështetësja kryesore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.[7]

Një tjetër fuqi, e cila interesohej pozitivisht në çështjen shqiptare ishte Italia, vend në të cilin kishte një prani jo pak të rëndësishëm të komunitetit arbëresh e të cilët me përpjekjet e tyre për të ndihmuar atdheun prej të cilit dikur ishin larguar, mundoheshin të ndikonin edhe në politikën zyrtare italiane me qëllim që ajo të ishte në krah të aspiratave të popullit shqiptar. Megjithëkëtë, në këtë kohë, Italia nuk dispononte mjete të mjaftueshme e nuk tregonte bile as nismën e nevojshme për të dalë si një fuqi e barabartë me Vjenën në sytë e lëvizjes shqiptare.[8] Austro-Hungaria dhe Italia kishin interesat e tyre në këtë pjesë të Ballkanit e ai ishte që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar, ngase në këtë mënyrë do të mund të shmangej dominimi rus në këto pjesë të Ballkanit. Fuqitë e Mëdha të tjera të kësaj kohe, duke mos parë interesin e tyre te elementi shqiptar, vazhdonin të mbanin qëndrim në dëm të çështjes shqiptare, duke i shkaktuar dëme synimeve të tyre për çlirim. Sidomos dëm të madh interesave të shqiptarëve u ka shkaktuar Rusia, njëra nga Fuqitë e Mëdha, e cila u printe vendeve që ishin në ballë të minimit të çështjes shqiptare. Përpos shteteve të Ballkanit, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Rumanisë e Greqisë, Rusia e mbante në ngërç edhe Francën, duke ia përkujtuar rrezikun austro – gjerman, si për sigurinë e kufijve, ashtu edhe për interesat e saj në Ballkan, në Perandorinë Osmane dhe në Lindje të Afërme.[9]

Rusia, nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Sergej Sazanov*, i kishte dorëzuar ambasadorit frëng në Rusi, Georges Louis, një program, ku parashihej kriza e brendshme e Perandorisë Osmane e në atë program parashihej një kundërvënie e përbashkët ndaj synimeve të Austro – Hungarisë në Sanxhakun e Jeni Pazarit dhe në Shqipëri. Diplomatët frëng, pasi kanë studiuar propozimet pansllaviste të Sergej Sazanovit dhe ambasadorit Aleksandar Izvolskit* do t’i përgjigjen atyre se problemet janë shumë të rënda dhe të vështira. Përgjigja e tyre ishte se “megjithatë, tash për tash, duam të Ju bëjmë me dije që Franca mbetet e lidhur në principet tradicionale të politikës së saj në Orient, bile duke përfshirë integritetin e Perandorisë Otomane dhe mbetjen e status – quos në Ballkan”.[10]

Kreu i Francës, Rajmond Ponekare dhe cari rus, Nikolaj II, patën një takim në Petrograd të Rusisë, prej 6 deri më 12 gusht të vitit 1912. Gjatë këtij takimi, kryeministri francez Poenkare, tërë kohën ia kushtoi çështjeve ballkanike, qëndrimet e këtyre dy vendeve lidhur me çështjen ballkanike u finalizuan.[11] Më pas, Poenkare e siguroi Sergej Sazanovin, se nëse ata do të përfshiheshin në një konflikt me Austro-Hungarinë dhe Gjermania do të ndërhynte, garantonte se “Franca do të përmbushte detyrimet e saja traktaktuale (ndaj Rusisë)”.[12] Ky ndikim i Rusisë mbi Francën dhe marrëveshjet e arritura, më pas do të kenë pasoja të mëdha për çështjen shqiptare, pasi që më vonë, Franca do të luaj rolin kryesor, në vend të Rusisë, në propozimet në dobi të shteteve të vogla ballkanike, por në dëm të shqiptarëve.[13]

Diplomacia ruse, e cila ia doli të bind Francën, ka punuar me të madhe në përfitimin e fuqive të tjera të mëdha, sidomos të Britanisë së Madhe, duke ndikuar tek to që të jetë në favor të eksponentëve të saj ballkanas, nëpërmjet të cilëve më pas do të mëtonte të realizonte politikën e saj hegjemoniste në Ballkan. Për përfitimin e Britanisë së Madhe përpjekje kishin bërë edhe shqiptarët. Hasan Prishtina, në Shkup e kishte vizituar konsullin britanik, të cilit edhe ia kishte bërë me dije se ka marrë mbi vete organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme dhe kishte kërkuar që qeveria londineze të përkrah kërkesat e shqiptarëve.[14]

Rusia cariste përkrahte mbretëritë e vogla ballkanike në realizimin e interesave të tyre e ajo ishte vënë haptas sidomos në përkrahjen e Serbisë. Gazeta proqeveritare serbe e kohës “Politika”, citonte deklaratën e Vladimir Kokovcovit*, kryetar i Këshillit të Shtetit në Dumën ruse, se Rusia do të ndihmojë shtetet ballkanike bashkë me aleatët e saj. Ai theksonte se “në radhë të parë në Ballkan janë interesat tona, interesat e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike e më pas vijnë interesat tjera që janë të një rëndësie sekondare”.[15] Duke folur për marrëdhëniet që kishte Rusia me vendet ballkanike, Aleksej Jellaqiq, historian dhe publicist serb me prejardhje ruse,  theksonte se në të gjitha transaksionet e mundimshme, që kishin të bënin me marrëveshjet e paqes, diplomacia ruse në mënyrë energjike ka ndihmuar aleatët, mbi të gjithë Serbinë dhe Malin e Zi, dhe fitorja e aleatëve, në të njëjtën kohë ishte edhe fitore e Rusisë.[16]

Mund të konstatohet se hiq Austro-Hungarinë dhe deri diku Italinë, aspiratat e shqiptarëve për liri dhe krijimin e shtetit shqiptar nuk e kishin përkrahjen e Fuqive të tjera të Mëdha, të cilat nën ndikimin e madh të Rusisë, apo edhe shkaku i interesave të tyre i shkaktuan dëm të madh bërjes së Shqipërisë në kufijtë etnik të saj, dëm që do godasë pastaj Shqipërinë e shqiptarët për një periudhë të gjatë historike.

 

(Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913”, i autorit Enver Sadiku)

 

[1] Verli, M., vep. e përm., f. 49.

* Raymond Poincaré (1860 – 1934). Burrështetas francez, kryetar i Republikës (1913 – 1920) dhe kryetar i Këshillit në tre mandate. Njohës i rrethanave dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë diplomatik në krizën ballkanike të viteve 1912 – 1913. Ishte autor i disa librave që kanë të bëjnë me Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike si dhe Konferencën e Londrës të vitit 1913. (shih. Keiger, J.F.V. 1997. Raymond Poincaré. Cambridge; Dictionaire Hachette encyclopedique.1998. Paris.)

[2] Poincaré, R., 1926. Les Balkans en Feu. Paris: Plon-Nourrit, f. 64 – 65.

[3]Poincaré, R. 2006. Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës (1912 – 1913), Shkup – Prishtinë – Tiranë: Logos A, f. 91.

[4]Ramadani, F., 2009. Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare gjatë vitit 1912. Në Studime Albanologjike 1. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Shkup, f. 49.

* Leopold Bertchold 1863 – 1942. I lindur më 18 prill 1863 në Vjenë dhe vdiq më 21 nëntor 1942 në Presznye. Burrështetas në monarkinë e dyfishtë. Më 17.02.1912 mori postin e ministrit të punëve të jashtme të Austro – Hungarisë. I angazhuar në zhvillimet në Ballkan dhe njëri ndër përkrahësit më të mëdhenj të krijimit të Shqipërisë. Pas shpërbërjes së Austro – Hungarisë u tërhoq nga jeta politike. (shih. David F. Burg, L. Edward Pucell. 1998. Almanac of World War I, Kentucky.).

[5] Shala, Xh., 1990. Marrëdhëniet shqiptaro – serbe 1912 – 1918. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 36 -37.

[6] Po aty, f. 36.

[7] Ramadani, F., Qëndrimi…, f. 61.

[8] Puto, A., vep. e përm., f. 91.

[9] Shala, Xh., vep. e përm. f. 23.

* Sergej Sazanov (1860 – 1927). Ishte diplomat dhe njeri i politikës ruse, ministër i Punëve të Jashtme në Perandorinë Ruse prej vitit 1910 deri më 1916. Mbështetës i krijimit të aleancës në mes të Serbisë dhe Bullgarisë. Vdiq më 1927 në Nicë të Francës.

* Aleksandar Petroviq Izvolski (1856 – 1919). Diplomat rus, që punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ishte ambasador i Rusisë në Vatikan, Beograd, Munih, Tokio dhe Kopenhagë e ishte edhe ambasador i Rusisë në Francë.

[10] Poincaré, R., Lufta..., f. 283 – 287.

[11] Shala, Xh., vep. e përm. f. 33-34.

[12] Rich, N., 2006. Diplomacia e Fuqive të mëdha 1814 – 1914, Tiranë: Toena, f. 427.

[13] Shala, Xh., vep. e përm. f. 34.

[14] Abdyli, T. vep. e përm., f. 104.

* Vladimir Kokovcov (1853 – 1953). I lindur më 1853 në Novograd, vdiq më 19443 në Paris. Vladimir Kokovcov ishte burrështetas rus, disa herë ministër i financave dhe kryetar i Këshillit të Shtetit prej vitit 1911 deri më 1914. (shih Kokovtsov, Count Vladimir.1935. “Out of my Past : The Memoirs of Count Kokovtsov”, Stanford University Press California.).

[15]Политика бр. 3196. 8 децембар 1912. Руси за нас (изјава председника руске владе Владимира Коковцова у руској Думи). Београд, с. 1.

[16] Јелачић, A., Русија и Балкан: преглед политичких и културних веза Русије и балканских земаља, 866-1940, Београд, c. 107.

You Might Also Like