Gjilan, 5 korrik 2019 / Bazuar në numrin e rasteve të raportuara, dhuna në familje ka shënuar një rritje të lehtë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kështu është thënë sot në një takim të Mekanizmit Kundër Dhunës në familje në Gjilan.
Rritja e rasteve të raportuara tregon për një vetëdijesim të viktimave të dhunës sikurse edhe për një trajtim të tyre në mënyrë të dinjitetshëm nga institucionet përkatëse.
Lindita Salihu, koordinatore e Mekanizimit Kundër Dhunës në Familje, shprehet e kënaqur sa i përket bashkëpunimit të institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
“Jam e kënaqur me bashkëpunimin ndërinstitucional brenda Mekanizimit përgjegjës në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Trajtimi në mënyrë të dinjitetshme i viktimave ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për raportimin e rasteve të dhunës, me çka është rritur edhe besimi në institucionet, të cilat merren me këtë problematikë të shëmtuar shoqërore”, ka thënë koordinatorja Lindita Salihu.
Përndryshe, në takimin e sotëm të Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje, janë prezantuar rastet e dhunës në familje për periudhën 6-mujore të këtij viti, të cilat, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar një rritje e lehtë në nivel lokal dhe rajonal.
Në funksion të përmirësimit të pozitës së gruas në shoqëri dhe mbrojtjes së familjes, Gjilani ka themeluar këtë Mekanizëm, ndërkaq më herët ka miratuar edhe Strategjinë Komunale kundër Dhunës në Familje.