34 persona nga komuna e Kamenicës janë konfirmuar deri më tani me COVID-19. Rastet e fundit u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ku nga Kamenica ishin 8 persona të prekur me koronavirus. Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti, ka treguar për Express se personat që rezultuan pozitivë nga kjo komunë janë raste kontakti. Ajo ka treguar se janë në hulumtim të personave që mund të kenë pasur kontakt me të konfirmuarit me COVID-19
Ka shkuar në 34 numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në komunën e Kamenicës.
Gjashtë persona nga fshati Poliqkë dhe dy nga fshati Hodonoc u konfirmuan me koronavirus mbrëmjen e së mërkurës.
Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti, ka thënë për Express se të konfirmuarit me COVID-19 nga kjo komunë janë raste kontakti.
“Dy rastet pozitive në Hodonoc kanë qenë kontakte të një personi tjetër me virusin SARS-CoV-2 po nga Hodonoci, ndërkaq që rastet në Poliqkë, janë kontakte direkte nga një person pozitiv nga Komuna e Gjilanit”, ka thënë Rashiti.
Ajo shtoi se momentalisht janë në fazën e gjurmimit të kontakteve që personat e konfirmuar me COVID-19 mund të kenë pasur me familjarët e tyre dhe personat e tjerë.
“Aktualisht jemi në fazën e hulumtimit të identifikimit të personave tjerë që kanë pasur kontakt me të infektuarit, dhe akoma nuk është marrë asnjë mostër”, ka thënë Rashiti.
Ajo ka theksuar se në QKMF-të e Kamenicës momentalisht ka mjaftueshëm furnizime me materiale shpenzuese.
“Sa i përket materialeve mbrojtëse për stafin shëndetësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, furnizimi është i kënaqshëm edhe falë donatorëve që na kanë dalë në ndihmë në këtë periudhë”, ka theksuar Rashiti.
Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 deri më tani në Kosovë ka shkuar në 630.
Nga ta, 138 persona janë shëruar, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 18 persona.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /GazetaExpress