Është bërë prezantimi i raportit të kontrolleve sistematike të fëmijëve në institucionet parashkollore dhe klasat e para nga mosha pesë vjeçare në shkollat dhe çerdhet publike e private për vitin 2024-2025.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kanë bërë kontrollet sistematike në shkolla.
“Edhe këtë vit kemi realizuar kontrollet sistematike shëndetësore për nxënësit tanë, një praktikë që e kemi zbatuar çdo vit prej se jemi në qeverisje”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se për herë të parë, këtë vit kontrollet janë zgjeruar edhe në parashkollor, çerdhe, si dhe në institucionet publike e private.
Më tej kryetari Hyseni, tregoi se nga ekzaminimet janë identifikuar tre problemet kryesore shëndetësore tek fëmijët: Problemet me boshtin kurrizor, vështirësitë me të pamur (sy) dhe vështirësitë në të folur.
“Për t’i adresuar këto sfida, rekomandimet tona kryesore janë: Përdorimi i dollapëve individualë (të blerë 2 vite më parë) për nxënësit e klasave I–V, për të shmangur peshën e çantave, kontrollimi i përdorimit të tepërt të telefonave dhe shtimi i aktiviteteve fizike për fëmijët”, tha kryetari Alban Hyseni.
Basri Kamberi, u.d i drejtorit të QKMF-së, tha se kontrollet përfshijnë gjithsej 44 parametra të gjendjes shëndetësore somatike dhe psiko-fizikedhe janë bërë nga ekipet mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare për dy muaj e gjysmë, ku janë përfshirë të gjithë ata që vitin e kaluar nuk ishin.
Ai tregoi kontrollet janë kryer në 29 shkolla publike dhe në 2 private, po ashtu edhe në 4 kopshte publike 5 private.
Janë kontrolluar 1970 apo 85.80 për qind janë kontrolluar nga 2296 sa ishin planifikuar.
U.d i drejtorit të QKMF-së, foli për të gjeturat, ku 4 nxënës ishin me scabies, 8 me pedikulozë apo morra, 158 me deformime të boshtit kurrizore, 17 me deformime të kraharorit, 81 me sëmundje të syve, 75 me të pamurit me syze, 19 me devijim të hundës,17 me probleme me zemër, 186 me çrregullime në të folur, 62 me çrregullime-zhvillim psikik dhe 16nxënës me konstatime tjera patologjike.
Ai tregoi edhe për të gjeturat në shëndetin oral.
U.d i drejtorit të QKMF-së, tha se në bazë të të gjeturave nga kontrollimet sistematike janë dalë këto rekomandime: Puna e psikologut të fëmijëve ose psikologut shkollor dhe e logopedit në shkolla do të ishte një kontribut i rëndësishëm në përmirësimin e çrregullimeve të ndryshme.
Të bëhen vizita me kohë të Oftamologu dhe specialistët relevant për problemet shëndetësore.
Sigurimi i dollapëve për vendosjen e librave në shkollë, për të evituar deformimet e ndryshme nga pesha e çantës.
Edukim shëndetësor i nxënësve për shëndetin oral, qëndrimin trupor dhe higjienën personale është domosdoshmëri.
Edukim mbi përdorimin e mjeteve elektronike, që mund të jenë predispozita mbi problemet e të pamurit.
Të bëhet edukimi jo vetëm i nxënëseve, por edhe i prindërve dhe mësimdhënësve në lidhje me evitimin me kohë të problemeve shëndetësore të nxënësve.