Nga Bekim Selishta
Partitë tradicionale politike në Kosovë vazhdojnë të shprehin habi për rritjen e mbështetjes ndaj Vetëvendosjes. Por pyetja e drejtë nuk është “Pse po fiton VV?”. Pyetja e vërtetë, të cilën partitë nuk kanë guxim ta bëjnë, është: “Pse po na braktisin votuesit?”
Sepse servilët dhe përfituesit nuk largohen kurrë. Ata vetëm ndërrojnë ngjyrën e partisë, por jo sjelljet. Sot me njërën, nesër me tjetrën. Për ta s’ka rëndësi emri i partisë — mjafton të jenë afër pushtetit dhe privilegjeve. Kjo kategori ngrihet gjithmonë në krye, pavarësisht kush fiton, ndërsa njerëzit e ndershëm mbeten jashtë.
Ndërkohë, votat e partive të vjetra po bien në çdo cikël zgjedhor, edhe pse numri i përgjithshëm i votuesve rritet. Edhe tre subjekte krejtësisht të reja arrijnë të marrin rreth 1.000 vota në Gjilan — sinjal i qartë se pakënaqësia ndaj partive tradicionale është konkrete, e akumuluar dhe në rritje.
Për më shumë se dy dekada, mijëra aktivistë të ndershëm — njerëz me librezë partie që nga ditët e para, sot prindër e gjyshër — kanë pritur një mundësi që kurrë nuk erdhi: një punësim, një avancim, një trajtim dinjitoz. Në vend të tyre, pozitat kyçe mbushen me individë që dalin papritur, pa kontribut, pa meritë, shpesh vetëm me lidhje personale.
Këtyre votuesve u është kërkuar besnikëri, por u është kthyer shpërfillje.
A është pyetur ndonjë drejtues partie se si ndihen fëmijët e këtyre aktivistëve të harruar? Me kë identifikohen ata sot? A e shohin veten te partia që i injoroi prindërit e tyre? Përgjigjja është e thjeshtë: jo.
Në vend të reflektimit, partitë tradicionale vazhdojnë me të njëjtën sjellje të vjetruar: akuza të brendshme, etiketime të ulëta, klane “të atij” e “të këtij”, një kulturë ku votuesi i zakonshëm shndërrohet në peng të përplasjeve të brendshme. Dhe ironikisht, po ata që kanë përfituar më shumë, vazhdojnë ta quajnë popullin “votues naiv”.
Por pasojat janë të dukshme. Rezultatet zgjedhore flasin më qartë se çdo analizë. Ky trend nuk ndryshon me justifikime të lodhura, as me fjalime të ricikluara. Nëse nuk ndryshon logjika e brendshme, nuk ndryshon as rezultati.


