Me financim të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, dhe me projektues nga kompania “Vizion Projekt”, shkolla e mesme e lartë teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, ka filluar renovimi i saj. Këtë e ka bërë të ditur Lumnije Tahiri, drejtoresh e shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan.
Ajo tha se ky projekt parasheh që të bëhet izolimi termik i mureve të jashtme dhe kulmit të shkollës. “Do të bëhet edhe zëvendësimi i dritareve të reja, pastaj renovimi i ndriçimit në të gjitha klasat që posedon objekti shkollor”, tha Tahiri.
Gjithashtu, sipas projektit, Tahiri thotë se do të bëhet edhe instalimi edhe i sistemit të ngrohjes me pompë termike dhe masat joefiçiente.
Drejtoresha Tahiri tha se i gjithë ky projekt, sipas kontratës deri në realizimin e plotë, do të kushton 350 mijë euro.
Ajo tha punimet nuk janë duke e penguar procesin mësimor dhe se në projekt parashihet që punimet të përfundojmë deri më 20 gusht.
“Punimet do të përfundojmë më 20 gusht, kështu që vitin e ri shkollor nxënësit e rinj që regjistrojnë për herë të parë në klasën e dhjetë dhe të tjerët do të nisin në objekt tërësisht të rinovuar dhe me kushte më të mira për mësimnxënie”,tha Tahiri.
Ajo ka një porosi për të gjithë nxënësit që e përfundojnë klasën e nëntë, që të vijnë të regjistrohen në drejtime e shkollës së mesme profesionale, sepse shkolla jonë posedon kushte të mira mësimi dhe i përgatit nxënësit si për tregun e punës ashtu edhe për studime.(a.b).