Futboll

Riola Xhemaili me prejardhje nga Gjilani, pjesë e evropianit për femra në futboll

Në Zvicër, këtë të mërkurë do të fillojë Kampionati Evropian në Futboll për femra, ndërsa e veçanta e këtij kampionati është se në të do të paraqitet futbollistja me prejardhje nga Gjilani, Riola Xhemaili.

Është kjo edhe një arritje e bashkatdhetarëve tanë, të cilët po dëshmojnë se jemi në popull me aftësi për t’u përballur me të tjerët edhe në garat më të mëdha të futbollit evropian.

Pikërisht sonte, me fillim në orën 21 do të përballen Zvicra dhe Norvegjia në Stadiumin e Bazelit, kurse në përbërjen startuese do të jetë edhe Riola Xhemaili.

Njohësit e futbollit femëror në Zvicër dhe gazetat e atjeshme kanë parashikuar formacionin e mundshëm dhe Riola Xhemailin e kanë paraparë se do të jetë në krye të sulmit.

Zvicra do të bëjë pjesë në Grupin A bashkë me Norvegjinë, Islandën dhe Finlandën.

Riola Xhemaili ka vazhduar traditën e babait të saj Agronit dhe xhaxhallarëve të saj, Vetonit dhe Fatonit, të cilët kanë qenë futbollistë të njohur jo vetëm në Gjilan, por edhe më gjerë.

Riola Xhemaili deri më tashti ka luajtur për ekipin e Bazelit, mandej në Gjermani në Freiburg dhe Wolfsburg, derisa tashti ajo është anëtare e klubit të njohur holandez PSV. Për Zvicrën ka luajtur për të gjitha grupmoshat, U17, U19 dhe ekipin e parë për të cilin ka patur mbi 30 paraqitje. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like