Qyteti i Gjilanit njihet si qytet i sportit për shkak të sportistëve dhe Klubeve Sportive të suksesshëm që i posedon dhe i ka pasur përgjatë historisë.
Klube dhe Sportistë, këta të cilët edhe gjatë okupimit i kanë zhvilluar aktivitetet e tyre.
Siç edhe dihet talentet në fushën e Sportit çdoherë zbulohen në moshën e hershme, përkatësisht përgjatë shkollimit fillor dhe është shumë me rëndësi që të zbulohen me kohë, andaj kontribut të veçantë në këtë drejtim kanë pedagogët e Edukimit fizik dhe Sportiv.
Mirëpo, për të pasur mundësinë e zbulimit të talenteve në fushën e Sportit nevojitet edhe infrastruktura sportive.
Në qytetin tonë ka shkolla që ende nuk kanë sallë të Edukatës fizike dhe infrastrukturë përcjellëse, po ashtu edhe Palestra e Sporteve e qytetit është në gjendje jo të mirë e që qytetit i duhet edhe një palestër shtesë, si dhe nevojë imediate janë edhe Pishina e brendshme e qytetit si dhe disa fusha sportive të jashtme si për Tenis dhe Basketboll e Beachvolley dhe aktivitete të ndryshme rekreative sportive.
Një gjë e mirë që po ndodh është ndërtimi i Stadiumit të qytetit, edhe pse puna aty pak e ngadalshme.
Salla e Edukatës Fizike e shkollës në Fshatin Bresalc që ka qenë njëra nga sallat ku janë zhvilluar shumica e garave sportive përgjatë kohës së okupimit ka nevojë që të restaurohet.
Edukata fizike si lëndë, përveç që shërben për forcimin e shëndetit të fëmijëve (nxënësve) dhe i mban larg prej mjekut, ajo shërben edhe për argëtim dhe rifreskim pas orëve të shumta teorike.
Po ashtu si mundësi e artë është edhe Sporti shkollor ku nxënësit e Komunës sonë përmes garave të rregullta sportive e kanë mundësinë që të tregojnë aftësitë e tyre në shumë lloje të Sportit dhe vjen deri tek zbulimi i talenteve.