Libri

ROMANI “EVA”, NJË AKTAKUZË E RËNDË MBI MIZORITË SERBE NDAJ FEMRËS SHQIPTARE

Kujtim DASHI, Tiranë

ROMANI “EVA”, NJË AKTAKUZË E RËNDË MBI MIZORITË SERBE NDAJ FEMRËS SHQIPTARE

Romani “ Eva – njëra nga ato “ i autores Linditë Ramushi Dushku, dëshmon se tema traumatike e përdhunimit të femrave shqiptare gjatë luftës së Kosovës prej pushtuesve gjakatarë serbë, jo vetëm se nuk është më një tabù në letrat shqipe përtej Drinit e më gjerë në arealin shqiptar, por as vetëm i letërsisë dokumentare, që ka qenë deri më tani pararojëse për t’ia bërë të ditur botës demokratike se çfarë ka ndodhur me gratë e vajzat nga shtazëria serbe kryesisht, por dhe me vetë opinionin shoqëror, prindërit e të afërmit e të përdhunuarave.
Romani “Eva”, me një titull sinjifikativ të simbolizimit të mëkatit zanafillës, në të vërtetë na paraqet dy pamje krejt të ndryshme të traumës që ka pësuar Eva, protagonistja e romanit, të ndërthurura me mjeshtëri me njëra-tjetrën: njëra një “vetëterapi” e zgjedhur dhe aplikuar prej Evës që, në faqet e këtij romani të shkurtër të krijojnë fillimisht iluzionin dhe më tej përshtypjen bezdisëse e surprizuese të një manuali të letërsisë rozë a seksologjik ekstrem dhe tjetra “terapia” e përjetshme, ajo e dashurisë (Evës me kolegun, gazetar Ardin) pas shpalljes botërisht (në Sofje) të “I am one of those”, për të shpëtuar nga ankthet e makthet e përjetuara shtazërisht, fillimisht nga bishat serbe e, më pas, nga vetë I fejuari, apo opinioni shoqëror fanatik, paragjykues, përjashtues e jo miqësor, që nis që në familjen e saj
Dualiteti, dyzimi, dyfytyrësia, dyfaqësia ose raporti i thelbit me shfaqjen a çfarëdo emri tjetër t’i vësh ka qenë dhe është një temë e preferuar në letërsinë tonë e të huaj, madje ai shpesh përbën a përcakton edhe vetë themelin e natyrave dhe karaktereve dhe personazheve të veprave letrare, siç ngjet dhe në jetë, si dy shina paralele, në të njëjtën kohë të ndërlikuara e të komplikuara jo vetëm të një situate a ndodhie, por gjatë gjithë veprës. Kësisoj antologjia e letërsisë së huaj dhe ajo e shqipes, është e pasur me karaktere të tilla të dyzuara. Dyfaqësia mund të jetë një zgjedhje e përkohshme a e një rrethane e situate të caktuar “për të kapërcyer lumin” në vizatimin e një personazhi nga autori që mund ta ketë qëmtuar nga realiteti a krijuar në laboratorin e tij krijues ose krejt fytyra e tij, por që të vihet thuajse në themel të të krejt romanit (pjesës së parë, po i themi kështu, por që e shoqëron si frikë deri në fund të romanit), si zgjedhje e bindshme dhe e vetëdijshme, këtë e shohim ndoshta vetëm te romani “Eva” i autores Linditë Ramushi Dushku.
Në shpëfaqjen e dramës së jashtëzakonshme e traumatike të Evës ka një gradualitet të admirueshëm, i cili kulmon me fjalimin e Evës në konferencën rajonale të Sofjes në Bullgari, ku vlerësohet lart dhe me çmimin e konferencës. Besoj dhe lexuesi do ta konsiderojë si kuitesencë një fragment të fjalimit të Evës, çka i jep romanit theksa më të fortë social, madje e tejkalon në njëfarë mase edhe vetë tragjedinë e femrës kosovare, duke e kthyer si një lajtmotiv të një lëvizje feministe e shoqërore.
Jo vetëm kur lexon këtë roman, por edhe kur fokusohesh më për nga afër me tërësinë e tekstit, lexuesit i zgjohet vetvetvetiu vetëdija se trauma e grave dhe vajzave të përdhunuara gjatë Luftës së Kosovës, jo vetëm nuk është kapërcyer, por mund të konsiderohet ende në rend të ditës dhe një plagë e çelur për shoqërinë kosovare.
Romanin e mbajnë kryesisht dy personazhe kryesore, mbi të gjitha bartësja e dramës, Eva dhe Ardi. Por, autorja na jep kalimthi a vetëtimthi edhe një sërë personazhesh që për nga mjeshtëria artistike e autores të mbesin në mendje, si klientela e “zotrimadhërive” deri te buzëqumështi, Ardi natyrisht, Anita kushërira, familja e saj si jehonë letrash më tepër, si babai i Evës, vëllai dhe e ëma etj.
Romani është i rëndësishëm jo për skenat e nxehta të fillimit të tij, por për temën e madhe që, në rastin më të mirë, të një realizimi artistik më adekuat do të ishte një aktakuzë e rëndë, tashmë dokumentaro-artistike për mizoritë serbe mbi femrën e, në përgjithësi, shqiptarët.

You Might Also Like