OPINION

RRETHI I GJILANIT NË KRYENGRITJEN KOSOVARE TË VITIT 1910

aliriza   Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

Përgatitjet për kryengritje dhe Mbledhja e Gjilanit

 

Dështimi i ekspeditës ndëshkimore të Xhavit Pashës në vjeshtën e vitit 1909, kundër shqiptarëve të Kosovës dhe zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, bëri që qeveria xhonturke, për ti dhënë fund kërkesave të shqiptarëve për autonomi, nxori ligje të reja me anën e te cilëve aplikuan taksa të reja, rekrutimin e detyrueshëm ushtarak, çarmatimin e popullsisë, mbylljen e klubeve dhe shoqatave kombëtare, në kuadër të cilëve vepronin komitetet e fshehta, përzierja e shtetit në çështjen e alfabetit dhe mbyllja e shkollave shqipe. Të gjitha këto bënë që të ashpërsohen marrëdhëniet e shqiptarëve me qeverinë osmane. Përballë kësaj gjendje rrethet patriotike shqiptare forcuan aktivitetin e tyre në forcimin e vetëdijes për luftë çlirimtare në shkallë kombëtare.

Vendimi për kryengritje ishte marë në dhjetor 1909, në takimin e mbajtur në një fshat afër Shkupit, ku morën pjesë prijësit e shquar të Vilajetit të Kosovës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Sylejmon Batusha, Hasan Hysen Budakova, Ramadan Zaskoku etj. që me anë të kryengritjes të detyrohet qeveria xhonturke të pranojë programin, për autonominë e Shqipërisë.

Krahas viseve të tjera të Vilajetit të Kosovës edhe në Kazanë e Gjilanit, përgatitjet për një kryengritje me përmasa më të gjera, kishin filluar gjatë dimrit të vitit 1909/10, krerët e kësaj ane në krye me Idriz Seferin dhe komiteti i fshehtë i qytetit, në bashkëveprim me komitetet tjera shqiptare, prijësit tjerë kosovarë të lëvizjes dhe deputet patriotë në Parlamentin Osman, po zhvillonin një aktivitet të gjerë me masat popullore, duke i nxitur që të mos paguajnë taksat, të mos shkojnë ushtarë dhe të mos i dorëzojnë armët.

Aktiviteti i Lëvizjes Kombëtare dhe veprimi i çetave të armatosura kryengritëse nëpër disa vise të kazasë, bëri që të shqetësohen autoritetet e vilajetit në Shkup dhe duke mos qenë të sigurtë në forcat ushtarake të stacionuara në këto anë, nga gjysma e parë e janarit të vitit 1910, nga Shkupi për Gjilan kishin sjellur edhe dy taborre ushtarësh dhe dy bateri topash, për t’i forcuar pozicionet në vendet strategjike të kazasë. Kah fundi i janarit, në Gjilan erdhi Mytesarifi i Prishtinës me një çetë ushtarësh, me at rast kishte burgosë disa kundërshtarë të pushtetit dhe të prangosur i kishte përcjellur për në burgun e Shkupit. Gjendja e krijuar në Kosovë, që po merrte trajtën e një lufte të armatosur, bëri që në fillim të marsit, pas një udhëtimi në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj e disa qytete të tjera, qëndroi Valiu i Kosovës, i cili mandej shkoi në Stamboll për të raportuar lidhur me gjendjen në Vilajetin e Kosovës.

Në vazhdën e përgatitjeve për masovizimin e kryengritjes shqiptare në Kosovë, ishin me rëndësi kuvendet tradicionale të beslidhjes shqiptare. Në mbledhjen e krerëve të Kazasë së Gjilanit, në muajin mars të vitit 1910, nën organizimin dhe drejtimin e Idriz Seferit, u përcaktuan masat organizative e strategjike të kryengritjes që do të fillonte së shpejti. Pas mbledhjes përgatitjet ishin më të shpejta, veçanërisht në planin e mobilizimit të masës, për ti përballuara ekspeditave të ushtrisë osmane. Kështu brenda një kohe të shkurtër u krijua një numër relativisht i madh i çetave vullnetare dhe u shtuan  veprimet e armatosura. Në mesin e organizatorëve të kryengritjes së vitit 1910 në Kazanë e Gjilanit, përveç Idriz Seferit, shquheshin edhe shumë patriotë të tjerë, si vëllezërit Mustaf e Adem Kabashi-nga Kabashi i Vitisë, Ramë Abdyli, Zeqë Pira, Islam Pira – nga Pozharani, Shabi Kajolli-nga Gjylekari, Murat Bilalli – nga Bresalci, Fetah Sadovina – nga Sadovina e shumë të tjerë.

 

Fillimi i kryengritjes së armatosur

 

Në koordinim me viset tjera të Vilajetit të Kosovës, në Kazanë e Gjilanit, nga fillimi i prillit 1910, nisën konfliktet e armatosura me përmasa më të gjëra midis grupeve kryengritëse me organet e pushtetit lokal, për çka bën fjalë edhe konsulli serb, në Prishtinë, i cili më 7 prill, me anë të një telegrami, për mossigurinë e pushteti xhonturk  edhe në Gjilan e Ferizaj. Që nga kjo kohë filluan përgaditjet për ta marrë Grykën e Kaçanikut dhe për çdo ditë shtohej numri i vullnetarëve dhe i njësive kryengritëse të cilat po kontrollonin thuaja tërë Rrethin e Gjilanit, kurse Morava e Epërme filloi të bëhet qendër e tubimit të kryengritësve të armatosur që vinin nga rrethina e Gjilanit, ajo e Preshevës dhe nga viset tjera të Vilajetit të Kosovës.

Nepër vendëtubimet e caktuara të kryengritësve, po bëheshin konsultime rreth masave organizative dhe ushtarake të qëndresës. Do theksuar se këto tubime përcilleshin me vëmendje nga qeveri serbe, përmes përfaqësuesve të saj diplomatikë në Shkup, Prishtinë e vende tjera. Lidhur me tubimin e kryengritësve në Moravë dhe aktivitetet e tyre të mëtejshme, konsulli serb Rakiq, në Prishtinë, më 16 prill 1910, njoftonte eprorët e tij, se kryengritësit e Kazasë së Gjilanit në tubimin e tyre në fshatin Pozharan, kishin marrë qëndrim që posa të jepet sinjali ata do ta mësyenin Grykën e Kaçanikut. I njejti, në raportin pasues, shënon se më 18 prill është mbajtur një tubim me rëndësi në Viti, ku ishin tubuar rreth 4.000 shqiptarë të armatosur. Aty, ishte vendosur që çdo shqiptar i aftë për pushke duhej të dilte për të luftuar kundër ushtrisaë osmane. Konsulli në fjalë kishte bindjen se konflikti është i pashmangshëm dhe se do të ketë luftë të madhe midis forcave shqiptare dhe ushtrisë osmane. Edhe Valiu i Kosovës këto ditë i kishte deklaruar konsullit në fjalë se “Në Kazanë e Gjilanit është tubuar një masë e madhe kryengritësish dhe se shqiptarët e të gjitha viseve janë simpatizues të lëvizjes”.

Këto ditë lëvizjet kryengritëse kishin përfshirë edhe Kazanë e Preshëvës dhe atë të Kumanovës. Nga tubimi i kryengritësve në Moravën e Epërme, më 18 prill, në Preshevë ishin dërguar 28 përfaqësues të kryengritësve, me qëllim që kryengritësve të kësaj ane t’i sqarohen masat përgatitore dhe njëherit për t’i bërë me dije që të jenë të gatshëm në çdo çast, kështu që në shënjën e dhënë ta mësyejnë Grykën e Kaçanikut dhe pikat tjera strategjike.

Qeveria xhonturke, e frikësuar nga zhvillimi shpejtë i ngjarjeve në Kosovë, kishte marrë vendim që të organizonte një operacion të madh ushtarak, para se kryengritja t’i përfshinte edhe viset tjera shqiptare. Së pari, Sulltani nxorri një dekret (iradën), me të cilin shpalli shtetrrethimin në Sanxhakun e Prishtinës dhe të Pejës, me kërkesë që populli shqiptar t’i dorëzojë armët. Ndërkaq, Këshilli i Minstrave, me 7 prill, shqyrtoi situatën në Vilajetin e Kosovës dhe vendosi që kundër kryengritësve shqiptarë të ndërmirren masa të ashpra ndëshkimore.

Në ndërkohë veziri i Madh, Ministri i Luftës dhe Ministri i Brendshëm përpiluan planin e operacionit luftarak, në krye të së cilit do të vihej kryegjenerali Shefqet Turgut Pasha. U vendos që të angazhohen njësitë më elite të stërvitura nga oficerët dhe instruktorët gjermanë dhe të pajisur me armë më moderne. Ky formacion përbëhej nga Korparmata e Tretë e Selanikut, trupat e Stambollit dhe nga pjesët e ushtrisë nizame të Azisë së Vogël. Këto forca operative ushtarake përbëheshin nga 12.000 këmbësorë, dy batalione të artilerisë malore dhe tetë batalione mitralierësh, një çetë telegrafike dhe eskadronet speciale të kavalerisë. Këtu nuk llogariteshin divizionet e Shkupit dhe Mitrovicës. Gazeta e Serbëve Osmanë “Vardar”, në një artikull të 21 prillit, ndër të tjera, shkruante: “Tani në Kosovë ndodhen 40 batalione të ushtrisë këmbësore dhe 12 batalione bateri topash, ndërsa së shpejti në Kosovë do të ketë gjithset 52 batalione ushtarësh dhe 16 bateri topash me rreth 40.000 ushtarë.” Ishte ky një angazhim i potencialit të madh ushtarak në Kosovë, me anën e të cilit pushteti xhonturk synonte jo vetëm shtypjen e kryengritjes, por edhe likuidimin njëherë e përgjithmonë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Më 16 prill 1910, kryekomandanti Shefqet Turgut Pasha, në krye të 16.000 ushtarëve mbërriti në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës në Shkup dhe menjëherë vazhdoi për në Kosovë. Atje bëri inspektimin e njësive dhe së shpejti u kthye në Shkup për ta hartuar planin e hollësishëm të operacioneve kundër kryengritësve në Kosovë që do të zhvillohej në dy etapa. Para së të fillonte operacionet, iu drejtua popullsisë së revoltuar me një proklamatë, me të cilën përpiqej që të shkaktonte përçarje në radhët e kryengritësve për t’i ndarë prijësat nga populli, por pa sukses. Pasi që proklamata nuk pati sukses, Shefqet Turgut Pasha kërkoi nga Stambolli edhe 15 batalione, si përforcim.

 

Qëndrimi i Kajmekamit dhe çifligarëve gjilanas ndaj Lëvizjes Kombëtarë Shqiptare

 

Qëndrimi i çifligarëve gjilanas ndaj kryengritjes së vitit 1910, dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ka qenë i ndryshëm dhe ai do të ndryshojë, varësisht prej rrethanave të kohës. Siç dëshmojnë burimet e kohës, te një pjesë e tyre pos simpatisë mund të shihet edhe përkrahja e tyre konkrete dhënë lëvizjes. Dëshmi për këtë është edhe letra konfidenciale e mësuesit serb Zhivko Popoviq nga Gjilani, në adresë të noterit të konsullatës serbe në Shkup, të shkruar në kohën e marrjes së Grykës së Kaçanikut nga ana e kryengritësve shqiptarë. Përmes kësaj letre njoftonte Ministrin e Punëve të Jashtme, se Valiu i Kosovës Maz’har bej, duke shprehur dyshimin e tij ndaj çifligarëve gjilanas rreth lëvizjes shqiptare u ishte drejtuar me anë të një telegrami në të cilin kërkonte nga ata të prononcohen nëse po e mbështetnin lëvizjen e shqiptarëve dhe a po e ndihmonin në këtë drejtim. Në arsyetimin e tyre se janë besnik të sulltanit dhe të kushtetutës, nuk mund t’u besohet, thekson raportuesi serb, meqë këtu të gjithë janë me kryengritësit dhe kjo në Gjilan është një “fshehtësi e njohur”. Letërshkruesi këtu e përfshin edhe kajmekamin, i cili me një rast kishte deklaruar se shqiptarët po luftojnë për liri dhe se ai ua kishte lakmi për trimërinë e treguar. Duke përmbyllur këtë letër raportuesi në fjalë shton: “Kjo nuk është për t’u habitur, meqë kajmekami është shqiptar dhe gjaku nuk është ujë”. Ndër çifligarët gjilanas, që dhëne kontributin e tyre lëvizjes, ishte biri i Hysen Pashës, çifligarit më të madh gjilanas, Bejtullah Beu i cili si përfaqësues i klubit shqiptar të Gjilanit mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit dhe më vonë ishte ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së vitit 1912, në Kazanë e Gjilanit. Po kjo vlen edhe për të birin e Sahit Agës, Hasanin, i cili ndiqej nga pushteti për shkak të pjesëmarrjes aktive në kryengritje, e kështu me radhë.

Ndërkaq sa i përket kajmekamit të Gjilanit, Xhelal Beut, i cili si kajmekam qëndroi prej 1 marsit të vitit 1910 deri më 1 mars 1911, ky ishte një shqiptar nga Tërrnoci. Të dhënat e kohës dëshmojnë për përkrahjen e tij dhënë lëvizjes në këto anë. Xhelal Beu, mbante lidhje të drejtpërdrejtë me prijësin kryesorë të Kosovës Juglindore Idriz Seferin. Veç tjerash, ky kishte bërë përpjekje për ta hapur një shkollë shqipe në fshatin Përlepnicë, ndërsa në kohën e ekspeditës ndëshkuese të Turgut Pashës, kryengritësve u lëshonte certifikata më anën e të cilave shpëtonin nga persekutimet etj. Veprimtaria e tij u kishte rënë në sy organeve të pushtetit, prandaj së shpejti ishte transferuar nga Gjilani.

 

Marrja e Grykës së Kaçanikut

 

Përqendrimi i forcave kryesore të kryengritjes së Kosovës në Grykën e Kaçanikut dhe të Carralevës, ishte bërë sipas një plani të parapërgatitur nga ana e lëvizjes. Marrja e Grykës së Kaçanikut, si vend me rëndësi strategjik, nga ana e kryengritësve të Kazasë së Gjilanit dhe ata të Preshevës dhe Kaçanikut në krye me Idriz Seferin e të tjerë, kishte për qëllim të ndërpriste vijën hekurudhore Shkup-Mitrovicë dhe të parandalonte dërgimin e forcave të reja ushtarake dhe të furnizimit të tyre në Kosovë. Ndërkaq, marrja e Grykës së Carralevës kishte për qëllim paralizimin e forcave osmane në Kosovë dhe pengimin e depërtimit të tyre nga Rrafshi i Dukagjinit. Lidhur me përgatitjet e kryengritësve për marrjen e Grykës së Kaçanikut dihej disa ditë më pare, për këtë njoftonin e konsujve serbë në Prishtinë dhe Shkup.

Para se të jepej shenjë për depërtim në Kaçanik dhe Grykë, sipas planit të përgatitur, njësitë e armatosura kryengritëse ishin ndarë në grupe, grupi më i madh prej rreth 3.000 vetësh ishte strehuar në zabelin e Beqir Sadovinës. Shenja për depërtim erdhi më 23 prill 1910, (e shtun). Atë ditë, shqiptarët e Kazasë së Gjilanit bashkë me ata të Preshevës dhe të Kaçanikut, posa pranuan porosinë e Hasan Budakovës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, Adem e Mustafë Kabashit, Hajdar Dumoshit e të tjerë, u nisën në drejtim të Kaçanikut dhe pasi e thyen ushtrinë osmane e morën Grykën e Kaçanikut, ku zunë pozicionet në pikat më të rëndësishme, nga ku do të pengonin dërgimin e njësive të reja të ushtrisë nga Shkupi në Kosovë. Të nesërmen, në ora 7 e 30 minuta, te Guri i Shpuem e ndalën trenin që po vinte nga Shkupi, për ta kontrolluar, me ç‘rast ushtarëve dhe oficerëve ua morën armët dhe municionin. Ekuipazhin e trenit dhe nëpunësit e hekurudhës i kishin porositur të mos bartnin ushtarë, armë e municion. Në tren ndodheshin edhe disa gazetarë të huaj, një italian e një rus dhe një fotograf serb. Në këtë mënyrë veprohej edhe me trenat që po qarkullonin prej Mitrovicës për në Shkup. Kështu, do të veprohet për tri-katër ditë rresht, trenat qarkullonin vazhdimisht, pasi kontrolloheshin. Siç thotë konsulli serb në Shkup drejtuesit e kryengritjes nuk dëshironin ta asgjësonin hekurudhën, gjë që i siguruan një nga epërsitë kryesore ushtrisë osmane për ta marrë këtë pikë të rëndësishme strategjike.  Si prijës të kryengritjes në Kaçanik, nga Kazaja e Gjilanit, pushteti osman zyrtarisht i kishte cilësuar Idriz Seferin, Adem dhe Mustafë Kabashin, Ramë Abdylin (Pozharan), Sali Kupinën (Terpezë), Hasan Lytën, Katil Ahmetin dhe Feti Proshin. 

Sa i përket numrit të kryengritësve të përqendruar në Grykën e Kaçanikut dhe rreth saj, ekzistojnë opinione të ndryshme, andaj është vështirë të thuhet një numër i saktë edhe kur janë nga raportuesit e njëjte, sepse numri i kryengritësve shtohej nga dita në ditë. Përkundër tyre, jemi të mendimit se në Grykën e Kaçanikut duhet të ketë pasur rreth 5-6.000 kryengritës të armatosur. Për këtë numër flasin shumica e të dhënave dokumentare. Kjo provon se kryengritja kishte marrrur karakter gjithëpopullor.

Lajmi për marrjen e Grykës së Kaçanikut këtë pikë tejet të rëndësishme strategjike nga ana e kryengritësve shqiptarë, siq shprehet konsulli bullgar në Shkup, ishte befasi dhe kaos në radhët e ushtarëve dhe oficerëve, kurse Turgut Pashën e kishte pru në një situatë të rëndë. Kjo e detyroi pushtetin qendror osman të marrë masa edhe më serioze për shuarjen e kryengritjes në Kosovë, sepse siç deklaron konsulli serb në Stamboll “ishte shtua dyshimi në fitore”. Për këtë qëllim Porta angazhoi forca të plotësuese ushtarake, një pjesë e të cilëve do të përdoret në betejën e Kaçanikut. Deputetët shqiptarë në parlamentin osman ishin përpjekur që ta pengonin dërgimin e forcave plotësuese ushtarake në Vilajetin e Kosovës, por pa sukses.

 

Beteja e Kaçanikut

 

Pas rënies së Grykës së Kaçanikut në duart e kryengritësve, Shefqet Turgut Pasha,   para fillimit të operacioneve i bëri thirrje kryengritësve që të shpërndahen duke i dhënë afat deri në mesditë 28 prill dhe ndërkohë përmes misionarëve përdori metodën dinakërisë dhe kishte ftuar të gjithë krerët shqiptarë, nga të cilët kishte kërkuar “të ndikojnë te shqiptarët të qetësohen dhe të shpërndahen nëpër shtëpia.” Në këtë drejtim kishte vepruar edhe mytesarifi i Prishtinës, i cili kishte provuar të ndikojë të shqiptarët e Kazasë së Gjilanit që të mos u bashkohen kryengritësve. Komanda ushtarake osmane një hap të tillë e kishte ndërmarrë për të përfituar në kohë, gjersa të arrinin përforcimet e reja nga Stambolli e Selaniku. Në ndërkohë Turgut Pasha kishte mbledhur Këshillin e luftës me gjeneralët e tij, për të hartuar planin operativ të depërtimit, i bindur në fitore, konsullit serb (Nenadiq) në Stamboll i kishte deklaruar se së shpejti do të niset për në Kaçanik, ku do t’i kapë dhe do t’i varë prijësat e kryengritjes.

Pas përgatitjeve të hollësishme dhe pasi ishte marrë urdhëresa e Këshillit të Ministrave, forcat elite ushtarake osmane nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, më 28 prill 1910, filluan marshin e përnjëhershëm nga Ferizaj dhe Shkupi kundër kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Grykën e Kaçanikut të prirë nga Idriz Seferi e të tjerë. Me këtë filluan operacionet ushtarake të Qeverisë xhonturke kundër kryengritjes shqiptare të vitit 1910, kurse përleshjet e para u zhvilluan në Grykë të Kaçanikut, në Moravë dhe Karadak. Nga Ferizaj ishin nisur 30 batalione këmbësorie me artileri dhe reparte të kalorësisë në tri drejtime. Krahu i majtë i ushtrisë osmane, nën komandën e Osman Pashës, me 8 batalione ushtarësh, 2 bateri topash malorë dhe 4 mitraloza, marshoi në drejtimin Pozharan-Binçë-Korbuliq, për të operuar nga ana e veriut dhe për të dalur në Han të Elezit. Krahu i djathtë, nën komandën e Xhabir Pashës, me 10 batalione, 2 bateri topash dhe 4 mitraloza, duhej të operonte nga jugperëndimi, andaj marshoi përgjatë rrjedhës së lumit Lepenc. Kolona qendrore e ushtrisë, nën komandën e kryekomandantit Shefqet Turgut Pashës, me 8 bataliona, 4 bateri topash dhe 8 mitraloza, marshoi rrugës Ferizaj-Komogllavë-Begracë-Nikoc, në drejtim të Kaçanikut të Vjetër. Nga ana tjetër, ushtria osmane e stacionuar në Shkup gjithashtu filloi marshimin me dy batalione dhe 4 bateri topash.

Për të ndikuar në qëndresën e mbrojtësve të Grykës së Kaçanikut, Shefqet Turgut Pasha kishte dhënë urdhër të goditeshin me artileri fshatrat përreth ku kishin mbetë gra fëmijë e pleq. Gjatë marshimit, kolonat ushtarake hasnin në prita të fshatarëve, nepër fshatrat që po kalonin. Krahu i majtë i ushtrisë filloi të sulmohet që te Pozharani, Binça, Kabashi e fshatra të tjera, dhe siç provojnë të dhënat e konsullit serb në Shkup: Osmon Pasha hyri në Kaçanik me një ushtri tejet të shkatërruar.

Në pasditen e 28 prillit 1910, filloi sulmi i kolonës së mesme të ushtrisë osmane kundër kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Grykë dhe Shkallën e Kaçanikut. Po në këtë ditë, sipas të dhënave të kohës, nga zjarri i artilerisë osmane ishin zhdukur katër fshatra të kësaj ane. Të nesërmen (e premte), pas një lufte të ashpër e cila kishte zgjatur tërë ditën, dhe me humbje të mëdha, ushtria kishte arritur për ta marrë stacionin hekurudhor dhe qytetin, kurse kryengritësit ishin tërhequr në kodra. Për këtë sukses Kryekomandanti e kishte lajmëruar Xhavit Pashës në Stamboll, duke mos i treguar për humbjet e shumta që pati. Por detyra më e rëndë kishte mbetur akoma pa kryer dhe, siç shënon konsulli serb Rakiq: “Turgut Pasha nesër ka detyrë të rëndë dhe të lavdishme – të ndiqen shqiptarët nga pozicionet kryesore dhe të merret Gryka.” Sipas të njëjtit telegram, këtë kohë Drenicasit, për ti ndihmuar kryengritësit në Kaçanik, kishin filluar krismat dhe iu kishin drejtuar Prishtinës. Pas arritjes së përforcimeve të reja nga Ferizaj, më 30 prill, forcat osmane që numëronin rreth 9.000 këmbësorë, 2 batalione artilerike dhe repartet e kavalerisë, i sulmuan pozicionet e kryesore të kryengritësve në Grykë dhe në Shkallë të Kaçanikut. Përleshjet e zhvilluara në këtë rajon ishin më të rreptat. Mbrojtësit e Grykës së Kaçanikut, kryengritës nga ana e Gjilanit, Preshevës dhe Kaçanikut, për dy ditë rresht, (30- 1 maj) 1910, me luftë heroike, i përballuan sulmeve të ushtrisë osmane. Luftimet ishin të ashpra e të përgjakshme, u përdorën të gjitha mjetet e luftës, që nga artileria e rëndë deri tek luftimet trup me trup dhe me bajoneta. Me taktikën e luftës dhe qëndresën heroike të shqiptarëve ishin mahnitur edhe oficerët osmanë, të cilët deklaronin se kishin të bënin me një kundërshtar të guximshëm, të padukshëm dhe të pakapshëm. Në luftime pati humbje të mëdha nga të dyja palët. Siç provojnë të dhënat  e kohës ushtarët e vrarë, apo të plagosur, ishin të goditur kryesisht në kokë dhe kraharor. Meqë kryengritësit, sipas urdhrit të shtabit kryengritës, i venin në thumb posaçërisht oficerët, këta të fundit përpiqeshin t’i iknin vdekjes duke ndërruar kësulat dhe bluzat me ushtarët e zakonshëm. Lidhur me këtë gazeta bullgare “Dnevnik” shkruante: “Oficerët e ushtrisë u veshën me rroba të thjeshta nizami, për të mos u dalluar, meqë kryengritësit shqiptarë po bënin kërdinë duke vrarë oficerë, sidomos në luftimet e Carralevës dhe të Kaçanikut. Plagët e oficerëve janë në gjoks e lart, gjë që dëshmon se shqiptarët shtiejnë drejt.” Në çastet kur beteja gati po përfundonte me fitoren e kryengritësve shqiptarë, ushtrisë osmane i erdhën përforcimeve të reja nga Shkupi. Përballë sulmeve nga zjarri i artilerisë nga shumë anë dhe vonesa e ardhjes së 2.000 kryengritësve dibranë e lumjanë, kryengritësit u gjendën në pozitë shumë të vështirë dhe se “përndryshe shqiptarët nuk do ta lëshonin Grykën e Kaçanikut”, shkruan “Shqypeja e Shqypenisë”. Ata filluan të tërhiqen në mënyrë të organizuar në drejtim të Moravës së Epërme dhe të Karadakut malor, duke vazhduar rezistencën e përgjakshme te Guri i Shpuem, Gjurgjedolli e vende tjera.

Beteja e Kaçanikut pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit, humbjet e të dy palëve ndërluftuese ishin të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme, ushtria osmane psoi humbje të mëdha, u vranë shumë ushtarë e oficerë. Shefqet Turgut Pasha humbi në Kaçanik nji të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione. Për numrin e madh të ushtarëve të vrarë e të plagosur flasin të dhënat arkivore dhe shtypi i kohës. Konsulli serb në Shkup, në raportin e tij të 2 majit, duke bërë fjalë për këtë betejë shprehet: ”për shqiptarët thuhet se kishin humbje të vogla.” Numri i ushtarëve të vrarë e të plagosur fshihej nga opinioni, me urdhrin e vetë kryekomandantit. Ushtarët dhe oficerët e vrarë e të plagosur barteshin me trena të posaçëm për në spitalet e Shkupit, Mitrovicës, Manastirit e Selanikut, me ç‘rast, sipas të dhënave ishin transportuar më se 2.000 vetë. Duhet theksuar se humbjet e mëdha të ushtrisë ishin normale, kur kihet parasysh se kryengritësit kishin bërë përgatitje dhe u treguan njohës të mirë të taktikës ushtarake dhe e njihnin terrenin.

Pas pushimit të luftës në Kaçanik, i zemëruar për shkak të humbjeve, Shefqet Turgut Pasha urdhëroi ushtrinë të hakmerrej ndaj popullsisë së pafajshme, dhe gjyqet ushtarake në Ferizaj, Kaçanik dhe Gjilan, ku pas një procedure të shkurtër, kryengritësit e zënë rob dënoheshin me vdekje.

Qarqet diplomatike serbe dhe bullgare, nisur nga interesat e veta, ishin të shqetësuara nga zhvillimi i ngjarjeve në Vilajetin e Kosovës, e sidomos pas rënies Grykës së Kaçanikut në duar të kryengritësve shqiptarë, kërkonin nga Porta veprim sa më energjik në shuarjen e kërkesave “separatiste “ shqiptare.

 

Luftimet në Anamoravë dhe në Karadak

 

Pas rikthimit të Grykës së Kaçanikut, më 2 maj 1910, Shefqet Turgut Pasha i shpejtoi operacionet ushtarake në drejtim të Moravës së Epërme dhe të Karadakut, nga ku u tërhoqën kryengritësit. Ndërkohë në mbrojtje të Grykës së Kaçanik kishte stacionuar 8 batalione të Osman Pashës, kurse në kodrat e Kaçanikut ishin vendosur 4 topa të mëdhej me tyta kah Morava e Epërme.

Dokumentet e kohës provojnë se gjatë javës së parë të muajit maj 1910, pati  përleshje të shumta të armatosura ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane në shumë fshatra të Moravës së Epërme, në Karadak dhe në Grykën e Konçulit. Përkundër të dhënave të shumta konsullore e të tjera, është vështirë të jepet një pasqyrë e plotë, sepse raportet e konsujve lidhur me këto ngjarje, janë të ndryshme shpesh madje kontradiktore, sidomos kur është fjala për numrin e ushtarëve dhe kryengritësve të vrarë e të plagosur.

Pos ushtrisë së grumbulluar në Ferizaj, Shefqet Turgut Pasha vuri në veprim Divizionin e Mitrovicës dhe Garnizonin e Prizrenit. Në ndërkohë Ministri i Luftës Mahmut Shefqet Pasha dhe Valiut të Kosovës Maz’har kishin shkuar në Ferizaj, për ti përcjellur operacionet ushtarake për së afërmi. Para se të fillonin operacionet, Turgut Pasha i kishte dhënë udhëzime me shkrim njësive ushtarake, me urdhër që nëse në ndo fshat kundërshtohen me pushkë, fshati të rrafshohej me topa. Për udhërrëfyes merren njerëz të terrenit e sidomos mësuesit serbë, të cilët, përmes konsujve në Shkup dhe Prishtinë, kishin marrë udhëzime nga Serbia që t’i viheshin në shërbim ushtrisë osmane, por duke pasur kujdes për t’u mos u zbuluar nga shqiptarët.

Në të njëjtën kohë nga Shkupi ishte nisur një kolonë ushtarake në drejtim të Kumanovës e Bujanocit, për t’i sulmuar kryengritësit prapa shpine. Por, në të hyrë të Grykës së Konçulit hasi në qëndresën e kryengritësve të anës së Gjilanit dhe të Preshevës, nën udhëheqjen e Murat Bresalcit, të cilët kishin zënë pozitat në grykë me qëllim të ndalonin kalimin e ushtrisë nga kjo anë. Luftimet ishin të rrepta për 2 ditë (2-4 maj) dhe vetëm pas arritjes së forcave ushtarake nga Azia e Vogël nën komandën e Xhavit Pashës, të cilët vunë në përdorim artilerinë e rëndë dhe i detyruan kryengritësit të tërhiqen në drejtim të Karadakut dhe Moravës së Epërme.

Një pjesë e kryengritësve nën udhëheqjen e Idriz Seferit e të tjerë, pas tërheqjes nga Gryka e Kaçanikut, më 1 maj 1910,  sulmuan ushtrinë te Guri i Shpuem dhe Gjurgjedolli pranë Kaçanikut dhe pastaj duke pa se ushtria osmane i dilte pas shpinës,  kishin zënë pozicionet te Qafa e Drenogllavës afër Nikocit, ku më 2 maj në këtë vend u zhvillua një luftë e përgjakshme ku pati shumë të vrarë e të plagosur. Për numrin e madh të ushtarëve të vrarë e të plagosur flasin të dhënat dokumentare dhe burimet memoriale. Historiani turk Sylejman Kylçe pohon se këtu ishte zhvilluar një luftë e rreptë, me ç‘rast ushtria osmane kishte humbur (të vrarë apo plagosur) 8 oficerë dhe 113 ushtarë, ndërsa, sipas fjalëve të vetë kryekomandantit dy batalione kishin shtënë kundër njëri tjetrit për shkak të rrëmujës së krijuar. Në një rast gjatë kësaj lufte Idriz Seferi kishte qenë i rrezikuar nga një njësit ushtarak, por me ndihmën e Halim Beguncës dhe çetës së tij ia arritën të çanin rrethimin.  Në shenjë hakmarrjeje ushtria osmane bombardoi me artileri Nikocin dhe Drenogllavën. Lidhur me ashpërsinë e kësaj lufte konsulli serb në Shkup lajmëron: “Gjykuar sipas luftimeve te Guri i Shpumë, dhe të Gjurgjedolli edhe te Nikoci, shqiptarët e Gjilanit kanë bërë rezistencë të ashpër e cila deri më tani është rezistenca më e fortë.” Nga të dhënat del se lufta e Drenogllavës konsiderohet si më e përgjakshmja pas asaj në grykën e Kaçanikut.

Ndër përleshjet e para të zhvilluara në këto anë ishte edhe ajo në veri të fshatit Korbuliq, ku morën pjesë kryengritësit vendës dhe ata të anës së Gjilanit. Këtu për disa orë rresht ishte zhvilluar një luftë e rreptë me njësitë osmane që po vinin nga Shkupi, me ç‘rast nga të dy palët kishte të vrarë e të plagosur, ndërsa në fund fshati u dogj. Më 3 maj 1910, një përleshje u zhvillua në Komogllavë, ku ushtria osmane e komanduar nga Esat beu, pati 60 ushtarë të vrarë dhe 30 të plagosur. Në këtë luftë kryengritësit kishin zënë 4 topa nga ushtria osmane. Një përleshje mjaft e rreptë ishte zhvilluar edhe në vendin malor të quajtur Udha e Kuqe, në mes të Smirës dhe Nikocit, ku ishin ballafaquar kryengritësit e rrethit të Gjilanit dhe njësive ushtarake që po vinin nga ana e Pozharanit dhe trupave kryesore nën komandën e Turgut Pashës. Në radhët e ushtrisë osmane ishte krijuar tollovi dhe ishte bërë dorëzimi dhe çarmatosja e 4 batalioneve të ushtrisë.

Lidhur me ashpërsinë e këtyre luftërave, konsulli Rakiq, në telegramin e tij të 4 majit, do të shkruaj: ”Në Rrethin e Gjilanit tani e tri ditë rresht po zhvillohen luftime të ashpra”, duke potencuar heroizmin dhe moralin e lartë luftarak të kryengritësve shqiptarë. Përleshje të ngjashme, kur shqiptarët i sulmonin njësitë ushtarake nga prita, pati edhe në disa vende të tjera, si te Goshica, Sadovina, Binça, Seferët, Kurbalitë, në afërsi të Pozharanit e gjetiu. Në shenjë hakmarrje për këto veprime, ushtria osmane ua kishte vënë zjarrin fshatrave Binçë, Kabash, Pozharan, Goshicë e Vërban.

Në këto luftëra pos shumë të vrarëve e të plagosurve, pati edhe shumë ushtarë të zënë rob, pastaj municion, armë, kuaj, topa e material tjetër luftarak. Ushtarët e zënë rob i dorëzoheshin organeve të pushtetit në Gjilan e gjetiu. Mosëgatshmëria dhe morali i ushtarëve osman për luftë kundër shqiptarëve kishte rënë, flasin edhe të dhënat e kohës. Kështu konsulli francez në Shkup do të raportojë: “Këtyre ditëve ushtarëve osmanë u ka hyrë frika në palcë. Ata mendojnë se pas çdo shkëmbi fshihet një shqiptar”. Ndërkaq shqiptarët treguan trimëri dhe gatishmëri për luftë dhe ishin njohës të mirë të terrenit. Në këtë aspekt veçohen guximi dhe aftësitë strategjike të udhëheqësve të kryengritjes, në radhë të parë të Idriz Seferit, i cili dy herë zyrtarisht ishte shpallur i vrarë. Për këtë kishin shkruar edhe gazetat e kohës. Megjithatë, siç deklaron konsulli Rakiq, “Idriz Seferi është kah ndihet shumë mirë dhe se në të gjitha luftërat është treguar trim dhe prijës i shquar ushtarak.” Duhet shtuar se udhëheqësit e këtyre anëve të prirë nga Idriz Seferi, në bashkëveprim me prijësit tjerë shqiptarë, ishin të vendosur të qëndronin të patundur dhe t’i prijnë popullit deri në fitoren e plotë pa marrë parasysh sakrificat.

Do theksuar se në këto luftime, si çdo herë më parë, mori pjesë aktive edhe gruaja shqiptare, e cila nuk qëndroi vetëm në prapavijë, por kaloi edhe në vijën e zjarrit, si në Grykën e Kaçanikut, ashtu edhe në Moravë, Karadak e viset tjera të Kosovës. Këtë e provon edhe gazeta turke “Sabah”, e cila në një artikull te vetin, duke bërë fjalë për Luftën e Kaçanikut, shkruante se “në mesin e kryengritësve shqiptarë kishte edhe femra”. Ndërkaq, konsulli francez në Shkup, lidhur me luftimet në Anamoravë, në mes tjerash e thekson edhe këtë rast: “Një grua shqiptare, me një fëmijë tetëvjeçar, me sopatë në dorë, kishte marrë pjesë aktivisht në luftë”. Në një dokument serb të kësaj kohe theksohet: “Në Gjilan një femër vetë i çarmatosi katër ushtarë turq.” Pjesëmarrja masive e të gjitha shtresave të popullatës shqiptare në këtë kryengritje, bëri që shtypi i huaj, të konstatonte se “E tërë kjo më tepër i ngjason një revolucioni gjithëkombëtar”.

Para armikut shumë më superior, që sulmonte nga të gjitha drejtimet, me shumë batalione dhe artileri, që vazhdimisht arrinin nga viset e ndryshme të Perandorisë, kryengritësit shqiptarë u detyruan të tërhiqeshin, duke vazhduar rezistencën me sulme të befasishme. Komandanti i ekspeditës ushtarake, Shefqet Turgut Pasha, si gjatë depërtimit në Kaçanik, ashtu edhe në Anamoravë e viset tjera të Vilajetit të Kosovës, nuk po zgjidhte mjete për t’ia arritur qëllimit. Ai po shkonte gjurmëve të Xhavit Pashës, duke djegur shtëpi e fshatra të tërë, madje edhe duke vra gra, pleq dhe fëmijë. Burime të tjera provojnë për djegien e 10 fshatrave, ndërsa gazeta “Shqypeja e Shqypenisë”, më 14 maj 1910, paraqet të dhëna se në këto anë ishin djegur më se “15 copë katunde” shqiptare. Këto dhe të dhëna të tjera dëshmojnë se në Anamoravë kishte 10-15 fshatra të djegura tërësisht apo të dëmtuara pjesërisht. Me të dëgjuar për këto krime, konsulli anglez në Shkup, kërkoi nga Valiut të Kosovës që vizitojë vendet e ngjarjeve, por nuk mori leje me arsyetim se kinse nuk mund të merrte mbi vete përgjegjësinë rreth sigurisë së tij.

Shefqet Turgut Pasha, i cili po komandonte me operacionet, duke tentuar t’i përfundojë sa më parë aktivitetet e kryengritësve në këto ane, kërkoi përforcime të reja ushtarake nga Ferizaj, Prishtina e Kaçaniku. Sipas një komunikate zyrtare të lëshuar nga zyra e Vilajetit të Kosovës, të datës 5 maj 1910, ishte zhvilluar në përleshje e armatosur midis kryengritësve të Kazasë së Gjilanit dhe ushtrisë osmane afër fshatit Drenogllavë, ku pati të vrarë e të plagosur. Kjo ishte përleshja e dytë brenda pak ditësh në këtë vend, për të cilën, konsulli serb në Prishtinë njoftonte eprorët e tij: “Ishte luftë e madhe në këto anë, andaj nga Ferizaj u dërguan dy batalione ushtarësh, të cilët u inkuadruan në fushëbetejë”. Më 5 maj, pas tetë orë luftimesh të ashpra me viktima nga të dyja palët, ushtria arriti të futet në Pozharan dhe mori rrugë drejt Binçës, e cila ishte në duart e kryengritësve. Po atë ditë, nga Kaçaniku ishte nisur një batalion ushtarak, me një bateri topash, që së bashku me forcat që vinin nga Pozharani arritën ta marrin edhe këtë pikqëndresë të shqiptarëve.  Më 9 maj, S. Ristiq e njofton konsullatën serbe në Shkup mbi komunikatën e fundit zyrtare osmane, në bazë të së cilës shihet se dy ditët e fundit në Kazanë e Gjilanit nuk kishte konflikte të mëdha. Kështu në bazë të raporteve konsullore, shihet se luftimet me përmasa më të gjëra në Regjionin e Gjilanit zgjatën deri më  6-7 maj 1910. Kështu pas më se 10 ditë luftimesh të përgjakshme në Kaçanik, Moravën e Epërme dhe Karadak, kryengritësit e kësaj ane me në krye Idriz Seferin e të tjerë filluan të tërhiqen në grupe të vogla, në drejtim të viseve malore, për të vazhduar rezistencën në formë guerile. Një pjesë e kryengritësve kaloi në drejtim të Carralevës, kurse një pjesë e tyre filluan të kthehen në shtëpitë e tyre pranë familjeve. Në shpëtimin e një numri të këtyre të fundit nga ndjekjet e organeve të pushtetit dhe gjyqet ushtarake, kishte kontribuar kajmekami i Gjilanit, Xhelal Beu, për të cilin konsulli serb Rakiq shkruante: “Vetë u shpërndante atyre vërtetime zyrtare më anën e të cilëve provohej se ata nuk kishin marrë pjesë në kryengritje”. Raportuesi kishte bindjen se: “me siguri këso vërtetimesh mund të gjenden edhe të shqiptarët e vrarë në luftëra.”

Edhe pas luftërave të mëdha pesëditëshe nga frika e riorganizimit të kryengritjes në Kazanë e Gjilanit, pas tërheqjes së një pjese të kryengritësve me në krye Idriz Seferin në viset malore të Karadakut e Gallapit, për të vazhduar rezistencën, qeveritarët osmanë dërguan njësi ushtarake me artileri malore të përforcuara me njësi nga Shkupi, Kumanova e Presheva, për ndjekjen dhe kapjen e tyre, por edhe pse arritën të depërtonin në fshatrat malore të Karadaklut ku në shenjë hakmarrje dogjën shumë shtëpi, nuk kishin arritur asgjësimin e luftëtarëve të Idriz Seferit.

 

Masat ndëshkimore osmane dhe kalimi i një numri të kryengritësve në Serbi

 

E vetëdijshme për nivelin e organizimit dhe qëllimet e kryengritjes së vitit 1910, qeveria osmane synonte çarmatimin e plotë të popullsisë shqiptare dhe shkatërrimin përfundimtar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nisur nga kjo Shefqet Turgut Pasha, kah mesi i majit të vitit 1910, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Ferizaj, Kaçanik e Gjilan dhe shpalli proklamatën me të cilën kërkohej që shqiptarët brenda 15 ditësh t’i dorëzonin armët, duke u kanosur se nëse në ndonjë fshat do të gjendet edhe një pushkë,  fshati do të bombardohej me topa. Armët do të mblidheshin nga nënpunësit e pushtetit, në përcjellje të reparteve ushtarake dhe të xhandarmërisë, të cilët do të shkonin nga fshati në fshat, në mënyrë ballësore në drejtim të Gjilanit, duke bastisur me radhë çdo shtëpi, në veçanti shtëpitë e dyshimta. Për të realizuar një gjë të tillë, në disa vende kyçe u koncentruan forca të mëdha ushtarake, si në Ferizaj, Prishtinë, Lipjan, Pozharan e Kaçanik. Një njësi ushtarake me këtë qëllim ishte vendosur edhe në kodrën e Visoçës, në afërsi të fshatit Partesh.

Sipas një komunikate zyrtare osmane, çarmatimi i shqiptarëve në Kaza të Gjilanit kishte filluar më 21 maj 1910. Mbledhja e armëve përcillej me keqtrajtime, arrestime dhe rrahje brutale publike të popullsisë shqiptare. Ishin në shënjestër sidomos qendrat e kryengritjes dhe familjet e prijësve dhe veprimtarëve më të dalluar të lëvizjes. Përkundër masave energjike të pushtetit, mbledhja e armëve po zvarritej dhe dorëzoheshin kryesisht armët e vjetra, kurse ato më të rejat, fshiheshin bashkë me municionin.

Masat e ashpra të shtetrrethimit, bënë që shumë kryengritës të Moravës së Epërme të braktisin shtëpitë dhe bashkë me familjet e tyre të shkonin për t’u strehuar nëpër fshatrat malore të Gollakut.  Mirëpo, diç më vonë edhe këto vise u përfshinë në ekspeditat ndëshkimore të ushtrisë dhe xhandarmërisë, që po vazhdonin mbledhjen e armëve me një vrazhdësi të paparë.

Më 25 maj 1910, në Gjilan arriti Ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha, i shoqëruar nga Turgut Pasha, Sami Pasha – kryetar i gjyqit ushtarak në Ferizaj dhe Valiu i Kosovës. Qëllimi i ardhjes së tyre ishte forcimi i masave në qytet dhe të kontaktohet me disa nga krerët e qytetit, respektivisht me kajmekamin dhe disa nëpunës, për të cilët ishte shtuar dyshimi. Dyshimin ndaj kajmekamit Xhelal beut e kishin nxitur edhe shtypi dhe qarqet diplomatike serbe. Ardhja e tyre në Gjilan bëri që nga fundi i majit masat e shtetrrethimit edhe në qytet ishin ashpërsuar akoma.

Gjatë masave të jashtëzakonshme një pjesë e kryengritjes të Kazasë së Gjilanit, nën udhëheqjen e Idriz Seferit e të tjerë, për ta mbajtur gjallë frymën e lëvizjes çlirimtare, po qarkullonin në të gjitha viset e kazasë duke kërkuar nga fshatarët të mos i dorëzonin armët dhe kohë pas kohe po zhvillonin aksione subversive kundër patrullave ushtarake dhe xhandarmerisë osmane, me ç rast kishte të vrarë e të plagosur.

Gjatë kësaj kohe një grup prijësish të kësaj ane në krye me Idriz Seferin, përmes prifttit të Letnicës, i luteshin qeverisë austro-hungareze, që të ndërmjetësonte tek qeveria osmane, për të ndalur veprimet e autoriteteve ushtarake kundër popullsisë së pambrojtur shqiptarë, në shenjë hakmarrjeje. Mirëpo siç provojnë të dhënat, kjo dhe kërkesa që ata shtruan për t’u dhënë ndihmë në armatim, bënë që në këtë kohë autoritetet ushtarake keqtrajtuan priftin e Letnicës, me pretekst se në këtë kishë strehuar për një kohë kryengritës dhe Idriz Seferin të cilin e kishin dënuar me vdekje në mungesë.

Aksioni ushtarak i spastrimit me pretekst të mbledhjes së armëve, i shoqëruar me terrorizëm të egër, bëri që në Kazanë e Gjilanit të vriteshin, torturoheshin, burgoseshin dhe internoheshin shumë njerëz. Ndërsa, në përleshjet e shumta të armatosura ishin vrarë e zënë rob shumë nga krerët e Lëvizjes, ndër të cilët edhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Idriz Seferit, si, vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi, Kurtesh Kurteshi, i moshuar nga Pozhorani, i cili vdes nga torturat në burgun e Prishtinës; Beqir Sadovina e të tjerë. Ndërkaq ndër ata që ishin burgosë dhe torturuar ishin këta udhëheqës të shquar të Lëvizjes: Ramë Abdyli nga Pozharani, i cili u dënua me 101 vjet burg; Murat Bilalli nga Bresalci, i cili ishte ndër bashkëpunëtorët dhe bajraktarët e Idriz Seferit dhe kishte bartur flamurin shqiptar para kryengritësve në emër të shtatë fshatrave e të tjerë. Siç njoftonte konsulli bullgar  nga Selaniku, po në këtë kohë ishin internuar në Stamboll 408 shqiptarë nga Kazaja e Gjilanit dhe Prizrenit, të dënuar për të vajtur dënimin në burgjet e Stambollit.

Kryengritësit e Kazasë së Gjilanit, që kishin mbetur në mal, të detyruar nga ndjekjet, mungesa e ushqimit dhe nga dimri i ashpër, u shtrënguan të kërkonin strehim në ndonjë vend tjetër, respektivisht në Serbi. Mirëpo, Qeveria Serbe për të mos i ngatërruar marrëdhëniet me osmanët, meqë kështu e diktonin interesat e tyre politike, kishte dhënë urdhër që të shtohet kontrolli në vijën kufitare dhe të parandalohet kalimi i kryengritësve shqiptarë në Serbi. Njëkohësisht, ajo bënte përjashtim për disa krerë, të cilët edhe më parë kishin pasur kontakte me serbët. Këtyre personave në mënyrë indirekte u ishte bërë e ditur se mund të gjenin strehim në këtë vend, me qëllim që më vonë të shfrytëzoheshin në dobi të propagandës serbe në Kosovë. Edhe përkundër masave të rrepta të kontrollimit të kufirit nga të dy palët, burimet dokumentare provojnë se që nga gjysma e parë e majit 1910, një numër i kryengritësish të Kazasë së Gjilanit dhe të viseve tjera, po kalonin kufirin për t’u vendosur nëpër fshatrat shqiptare të Serbisë, ndërsa armët dhe municionin i fshihnin te të afërmit dhe miqtë.

Më 10 shtator të vitit 1910, Toma Popoviqi, tregtar nga Gjilani, i ishte drejtuar qeverisë serbe më një letër përmes të cilës kërkonte që Idriz Seferit t’i sigurohet strehimi në Serbi. Kur u informuan se komitetet bullgare disa herë kishin qëndruar në Karadak dhe se Idriz Seferit i kishin ofruar strehim në Bullgari, prefekti i Vrajës, i bën me dije udhëheqësit të shquar se Qeveria Serbe i kishte lejuar të strehohet në Serbi, andaj mund ta kalonte kufirin kur të dëshironte. Për këtë qëllim Ministria e Jashtme të Serbisë kishte dërguar disa herë agjentët e saj për t’u takuar me Idriz Seferin dhe për ta bindur të kalonte atje. Mirëpo, ndonëse i ndjekur këmba-këmbës dhe disa herë i rrethuar nga forcat osmane, ai tërë kohën qëndroi në malet e Karadakut dhe viset tjera, ndër miq dhe bashkëluftëtarë të tij.

Duhet theksuar se kryengritësit të cilët kaluan në Serbi ishin të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme për të mos qenë në kontakt mes vete, as me botën e jashtme, kështu që nuk paraqitnin rrezik për pushtetin osman.

(Për shkak të natyrës së portalit nga punimi janë hequr fusnotat)


 

 

 

 

 

 

You Might Also Like