Dr. Enver Sadiku
Rajoni i Gjilanit me rrethinë, krahas viseve tjera të Kosovës dhe viseve shqiptare mori pjesë aktive në Revolucionin xhonturk dhe në kryengritjet e viteve 1910 – 1912 e më pas edhe në luftën kundër Serbisë, duke i dhënë një kontribut të çmuar luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ardhja e “hyrietit” (lirisë), që ishte propaganduar me revolucionin xhonturk të vitit 1908, ndër shqiptarë u prit me gëzim dhe ata besonin se në kushtet e reja të krijuara, ata do të mund të realizojnë autonominë e Shqipërisë. Për këtë arsye xhonturqit gjetën mbështetjen, posaçërisht nga radhët e oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë të ushtrisë osmane, por edhe bashkëpunimin me komitetet shqiptare.
Edhe mes parisë dhe atdhetarëve të Kazasë së Gjilanit kishte ekzistuar një bashkëpunim me organizatat dhe komitetet xhonturke, kurse veprimtarë të kësaj ane, të prirë nga Idriz Seferi* kanë qenë pjesëmarrës të tubimeve të komiteteve xhonturke dhe në Kuvendin Shqiptar në Ferizaj, pa përkrahjen e të cilit Revolucioni Borgjez Xhonturk nuk do të mund të ngadhënjente.[1]
Shqiptarët e kishin kuptuar “hyrijetin” si liri e barazi të përgjithshme, ku të gjithë qytetarët pa dallim kombi e feje do të mund të zhvilloheshin në të gjitha aspektet, pra edhe në realizimin e synimeve të tyre kombëtare, por një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj shumë shpejt ndër shqiptarë filloi të shfaqet një mosbesim ndaj xhonturqve, sepse u dëshmua se ishin të mashtruar. Me qëllim që shqiptarët t’i linin sa më larg pushtetit dhe që pushteti të mos binte në duart e shqiptarëve, xhonturqit shpejtuan të formojnë komitetet xhonturke, ku i inkuadronin njerëzit e vet. Mosbesim ndaj pushtetit xhonturk nga ana e shqiptarëve pati edhe në rajonin e Gjilanit, ku që nga muajt e parë pas ngadhënjimit të Revolucionit xhonturk pati përleshje të armatosura.[2]
Idriz Seferi, Ramë Abdyli dhe bashkëluftëtarë të tyre në Ferizaj.
Shqiptarët nisën të shfaqin haptas pakënaqësinë e tyre sidomos ndaj mbledhjes së taksave dhe tatimeve, grumbullimit të armëve nga popullsia dhe rekrutimit të të rinjve në njësitet e ushtrisë osmane. Gjithashtu, në Gjilan, por edhe qytete të tjera u mbyllën shkollat shqipe, ngase pushteti osman i udhëhequr nga xhonturqit mbylljen e shkollave e arsyetonte me atë se çështja e gjuhës kishte marrë karakter politik.[3] Pas këtyre pakënaqësive, në pranverën e vitit 1910, shqiptarët nisën rezistencën e armatosur. Të rinjtë shqiptarë, duke mos dashur që të shërbejnë në ushtrinë osmane, nisën të dalin në mal, atje formuan çeta të armatosura dhe nisën përgatitje për aksione të armatosura kundër regjimit që po ushtronin xhonturqit.[4]
Përgatitje për aksione të armatosura janë bërë edhe në Kazanë e Gjilanit. Në fillim të vitit 1910, krerë të kësaj ane dhe Komiteti i fshehtë i qytetit, që udhëhiqej nga Idriz Seferi, i cili kishte lidhje me komitetet tjera shqiptare dhe kishte bashkëpunim me prijësit Isa Boletini, Bajram Curri e me deputetë atdhetarë në parlamentin osman, po zhvillonin aktivitet të gjerë me masat popullore, duke i nxitur ato për mospagesë të taksave, mosshkuarje në ushtrinë osmane dhe mosdorëzim të armëve. Në muajin mars të vitit 1910, nën nismën dhe drejtimin e Idriz Seferit, në Gjilan u mbajt një mbledhje e shqiptarëve të këtij rrethi. Në mbledhje, ku pati shumë atdhetarë u fol rreth masave për organizimin e kryengritjes së re. Shumë shpejt, pas kësaj mbledhjeje, u krijua një numër i madh i çetave vullnetare shqiptare dhe u shtuan veprimet e armatosura.[5] Në mesin e organizatorëve të kryengritjes së vitit 1910 në Kazanë e Gjilanit, përveç Idriz Seferit, shquheshin edhe shumë atdhetarë të tjerë të kësaj ane, siç ishin vëllezërit Mustafë* e Adem Kabashi nga Kabashi i Vitisë, Ramë Avdyli*, Zeqë Pira*, Islam Pira* nga Pozharani, Shabi Kajolli* nga Gjylekari, Murat Bilalli* nga Bresalci, Fetah Sadovina* nga Sadovina e atdhetarë të tjerë.[6] Në këtë kohë, numri i vullnetarëve shtohej çdo ditë e njësitet kryengritëse po kontrollonin thuajse tërë Rrethin e Gjilanit, kurse Morava e Epërme filloi të bëhej qendër e tubimit të kryengritësve të armatosur që vinin nga rrethina e Gjilanit, ajo e Preshevës dhe nga viset e tjera të Vilajetit të Kosovës.[7]
Kryengritësit arritën fitoret e para, gjë e cila kishte alarmuar pushtetin xhonturk, që me garnizonet ushtarake që kishte në Vilajetin e Kosovës nuk ishte në gjendje që të shtypnin kryengritjet. Më vonë, kryengritjet kishin përfshirë edhe pjesë të tjera të Vilajetit të Kosovës, si Rrafshin e Dukagjinit, rrethinën e Prizrenit e në fillim të prillit 1910, kryengritësit kishin zënë pika me rëndësi në afërsi të qyteteve të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.[8]
Fitoret e kryengritësve shqiptarë alarmuan Portën e Lartë, andaj qeveria xhonturke nisi përpjekjet për të penguar zgjerimin e kryengritjes. Perandoria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në zonë edhe atë me dekretin perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V dhe urdhëroi shpërndarjen e forcave kryengritëse, arrestimin dhe nxjerrjen para gjykatave organizatorët e kryengritjes, sikurse që urdhëruan regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë së patundshme, zbatimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak e masa të tjera. Për të shtypur kryengritjen e shqiptarëve Sulltani urdhëroi Ministrinë e Luftës që të ndërmarrë një ekspeditë ushtarake ndaj kryengritësve. Duke qenë një ndër gjeneralët më në zë të Ushtrisë Osmane, Shefqet Turgut Pasha u vu në krye të ekspeditës që do të dërgohej në zonat që kontrolloheshin nga kryengritësit.[9]
Ndaj këtij Dekreti reaguan deputetët shqiptarë në Stamboll. Ata kërkonin që në vend të ekspeditave ushtarake, në Shqipëri të dërgohej një komision parlamentar dhe që atje të sendërtoheshin hap pas hapi reforma rrënjësore. Hasan Prishtina, deputet në Stamboll, nguli këmbë që ky Komision në vend të hetonte shkaqet e kryengritjes. Edhe Ismail Qemali, deputet, kërkonte që të ndërpriteshin veprimet ushtarake kundër shqiptarëve. Por këto kërkesa nuk u përfillën.[10]
Ministria e Luftës në Perandorinë Osmane nisi të zbatojë dekretin perandorak dhe në mesin e prillit 1910, gjenerali Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup. Kryengritësit shqiptarë, me të marrë vesh se Shefqet Turgut Pasha kishte nisur një ushtri kaq të madhe, të ndarë në dy kolona, filluan të zinin pozicionet rreth Grykës së Kaçanikut. Në një mbledhje të mbajtur te sheshi i xhamisë në Carralevë, ku ishin tubuar kryengritës nga anë të ndryshme të Kosovës, të cilën e kryesoi Idriz Seferi, u caktua Këshilli i Furnizimit dhe u vendos që të dërgoheshin në të dy anët e Grykës së Kaçanikut luftëtarë të stërvitur nga të gjitha viset e Kosovës. Idriz Seferi së bashku me kryengritësit e anëve të Gjilanit e të Preshevës u caktua të mbronte Grykën e Kaçanikut nga ushtria osmane, e cila depërtonte nga Shkupi drejt Rrafshit të Kosovës. Më 24 prill 1910, forcat kryengritëse, të udhëhequra nga Idriz Seferi, e shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut, e ndalën trenin që qarkullonte nëpër Kaçanik, i çarmatosën ushtarët dhe ndërprenë lidhjen kyçe të komunikacionit Shkup – Vilajeti i Kosovës.
Gryka e Kaçanikut.[11]
Kur Gryka e Kaçanikut ishte e mbyllur, 30 ushtarëve që ishin në tren u janë marrë armët,[12] ndërkaq ekuipazhin e trenit dhe nëpunësit e hekurudhës kryengritësit i kishin porositur që të mos bartnin ushtarë, armë dhe municion dhe se gjithnjë do të jenë të obliguar ta ndalin trenin në këtë vend për ta kontrolluar, në të kundërt kryengritësit do të shtinin mbi të.[13] Në një telegram dërguar nga Mitrovica, Vjena njoftohej se shqiptarët në Kaçanik kishin kthyer mbrapsht trenin që nga Shkupi do të duhej të shkonte për Mitrovicë, sikurse që kishin kthyer mbrapsht trenin që nga Mitrovica ishte nisur për Ferizaj, andaj shqiptarët po ndjekin taktikën që të detyrojnë Turgut Pashën që ai me ta të ndeshet në pyllin e Kaçanikut për t’i rrëmbyer atij të vetmen linjë lidhjeje që i ka mbetur. Në telegram thuhej se edhe rruga Ferizaj – Prizren qëndron gjithnjë e mbyllur.[14]
Gazeta franceze e kohës “Le Temps”, lidhur me Betejën e Kaçanikut shkruante se “në Shqipëri, kryengritësit kanë ndalë trafikun hekurudhor në linjën Shkup – Mitrovicë e luftime po bëhen në linjën mes Ferizajt dhe Kaçanikut. Trupat osmane janë përpjekur të largojnë shqiptarët që në numër të madh janë mbledhur në Kaçanik dhe e kanë zënë atë në mënyrë të konsiderueshme.[15]
“Le temps”, gazetë e cila ka shkruar për Betejën e Kaçanikut.[16]
Për revoltën e shqiptarëve shkruante edhe korrespondenti i kësaj gazete nga Selaniku, sipas të cilit rezultat i kësaj revolte ishte censura e tepruar e ushtruar nga autoritetet civile – ushtarake. Ai shkruante se ushtria osmane nuk ishte e përgatitur për të luftuar me kryengritësit e pakapshëm në gryka malesh dhe se në kushte të tilla vdekja për ushtarët osmanë ishte e pashmangshme. Sipas raportuesit, kryengritësit shqiptarë, kanë aplikuar një taktikë shumë inteligjente, duke u ndarë në grupe prej 20 deri në 25 burra, duke qëlluar batalionet gjatë marshimit dhe në mbrëmje dhe duke goditur pa u ndalur mbi armikun. Ai fliste edhe për Idriz Seferin, udhëheqës të kryengritësve, i cili sipas raportuesit shoqërohej nga pesëdhjetë burra dhe që kishte krijuar një besim të pathyeshëm. “Gjuani, unë ju them se qeveria është në pamundësi për të dërguar ushtarë të tjerë”, citonte gazeta fjalët e Idriz Seferit, që u ka thënë ai njerëzve të tij dhe shqiptarët, duke besuar në udhëheqësin e tyre, gjuajnë në masën e trupës duke mos dyshuar se batalione të reja do të arrijnë nga Azia e Vogël dhe që pas tyre do të vijnë edhe të tjera nëse është e nevojshme. Sipas korrespondentit nga Selaniku, në këtë kohë, gati e tërë Shqipëria ishte shndërruar në fushë të betejës, sepse siç raportonte ai dëgjohen shpërthimet disa kilometra nga stacioni i Bujanocit, në linjën Shkup – Zibefqe, derisa në Veri-Lindje, jo larg nga kufiri serbo – osman, po luftohej në Kazanë e Gjilanit, në Ferizaj, në Kaçanik, kah Dibra etj., e kryengritësve duket se do t’i bashkëngjitet edhe popullata.[17]
Rënia e Grykës së Kaçanikut në duar të kryengritësve shqiptarë pati një rëndësi të madhe për kryengritësit në pengimin e depërtimit të ushtrisë osmane, për të cilën kjo Grykë konsiderohej si një portë e domosdoshme drejt nënshtrimit të tokave shqiptare.[18] Zënia e Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptarë ishte e planifikuar dhe në bazë të njohurive të sakta strategjike. Në këtë aksion të kryengritësve shqiptarë forcë kryesore ishin kryengritësit shqiptarë të Gjilanit dhe të rrethinës së tij të madhe, e sidomos të Karadakut, por në të kanë marrë pjesë edhe preshevarët dhe kaçanikasit, ndërsa figurë kryesore komanduese ishte Idriz Seferi.[19]
Porta e Lartë, me të marrë lajmin se Gryka e Kaçanikut kishte rënë në duar të shqiptarëve, vendosi të dërgonte edhe më shumë forca në Kosovë për të shuar kryengritjen dhe për ta shtënë në dorë sa më parë Grykën e Kaçanikut.[20]
Idriz Seferi me bashkëluftëtarë në Grykë të Kaçanikut.
Komanda e ushtrisë osmane me qëllim që t’i shmangej ballafaqimit të mëtejmë me kryengritësit shqiptarë u dha afat atyre që të dorëzoheshin, duke u dhënë afat deri në mesditën e 28 prillit 1910. Forcat kryengritëse nuk e përfillën këtë ultimatum të ushtrisë osmane, e cila qe e detyruar që sërish të nis marshimin drejt Grykës së Kaçanikut, kësaj radhe nga Veriu, Juglindja, Lindja dhe Jugperëndimi, të ndara në tri kolona. Nga Shkupi u nisën dy kolona të tjera. Forcat Osmane që sulmuan Grykën e Kaçanikut njëherësh nga pesë drejtime ishin në numër tejet të madh dhe përbëheshin nga 26 batalione, 9 bateri fushore dhe tri skuadra mitraljerësh.[21] Për këtë ekspeditë, gazeta e kohës “Le temps”, duke u thirrur në autoritetet lokale osmane, nga Shkupi njoftonte se drejt lartësive të Kaçanikut kishin marshuar tre reparte divizioni prej Ferizajt, dhe se njëkohësisht janë nisur atje prej Shkupi tri batalione artilerie. Aty thuhej se ishte zhvilluar një përleshje ndërmjet njërit prej reparteve të ardhur nga veriu dhe të shqiptarëve jo larg nga parakalimi, e cila zgjati tetë orë.[22] Në këto luftime, kryengritësit shqiptarë kishin një taktikë të zgjuar dhe i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë osmane e qeveria Osmane humbjet e mëdha përpiqej t’ia atribuonte mbështetjes së kryengritësve shqiptarë nga ndihma austro – hungareze. Ajo e mbështeste këtë tezë në taktikën e zgjuar të kryengritësve shqiptarë në këtë betejë, që sipas tyre i tejkalonte aftësitë e tyre organizative.[23]
Megjithëse autoritet osmane në këtë betejë kundër kryengritësve shqiptarë kishin angazhuar rreth 30 000 veta, kryengritësit shqiptarë arritën t’i bëjnë ballë divizioneve osmane për dy ditë rresht, prej 30 prill deri më 1 maj. Humbjet e ushtrisë osmane ishin tejet të mëdha. Ajo në betejë la disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë. Në betejë u shfaros më shumë se një çerek i saj, ngase Shefqet Turgut Pashës iu shpartalluan rreth 20 batalione.[24]Pas betejave të ashpra, ushtria osmane, e ndihmuar edhe nga artileria e rëndë i detyroi kryengritësit të tërhiqen në lindje, në zonën e Gjilanit (Malësia e Gollakut, e Bujanocit dhe e Preshevës).[25] Të dhënat dokumentare dëshmojnë se në këto veprime nuk janë kursyer as fshatrat shqiptare me popullatë të fesë katolike shqiptare në Karadak.[26] Gjatë tërheqjes, kryengritësve u është vënë pas një pjesë e ushtrisë osmane, e cila nën komandën e Osman Pashës ishte drejtuar kah Lugina e Moravës, drejt Gjilanit. Kjo ushtri ka hasur në rezistencë në fshatrat Kabash, Binçë, Stagovë, Lubishtë e fshatra të tjera dhe tek të dyja palët kishte humbje të konsiderueshme.[27] Në një telegram nga Shkupi, konsulli austro-hungarez njoftonte Vjenën se shqiptarët po tërhiqen nëpër Luginën e Moravës dhe po ndiqen nga këmbësoria dhe kalorësia dhe se humbjet nuk dihen e tre fshatra janë djegur, kurse edhe telegrafi ndërmjet Shkupit e Ferizajt është ndërprerë.[28] Pas kësaj, ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. “Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit”.[29]
Marrja e Grykës së Kaçanikut, ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut Pasha i hapi udhë për të marshuar drejt viseve tjera që kontrolloheshin nga kryengritësit shqiptarë. Ushtrisë Osmane i erdhën në ndihmë forca të tjera nga Selaniku dhe bashkërisht vazhduan marshimin e në drejtimin Ferizaj – Carralevë u ndeshën me forcat kryengritëse që numëronin rreth 4000 vullnetarë e që vepronin në zonën Shtime – Carralevë dhe komandoheshin nga Isa Boletini. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati tërë ditën, kryengritësit arritën që të çajnë rrethimin dhe bashkë me shokët që ishin të plagosur ia dolën të largohen. Në këtë betejë është i pamohueshëm roli dhe aftësia komanduese e Isa Boletinit.[30]
Pos Betejës së Grykës së Kaçanikut e në Grykë të Carralevës, luftime pati edhe në viset e Moravës së Epërme dhe në Zonën e Karadakut, nga u tërhoqën forcat kryengritëse. Shefqet Turgut Pasha do të dilte tërthorazi në Rrafshin e Kosovës, përmes Kumanovës e Preshevës dhe Grykës së Konçulit, për t’i sulmuar kryengritësit prapa shpine.[31]
Humbjet e njëpasnjëshme të trupave osmane u shprehën në rënien e moralit luftarak të ushtarëve. Kjo ishte arsyeja që Kajmekami i Gjilanit dërgoi një delegacion në Ferizaj, për të kërkuar nga komanda supreme bisedime me kryengritësit, sepse sipas tij, gjithçka po dilte jashtë kontrollit.[32]
Në fillim të shekullit të XX, Vilajeti i Kosovës ka qenë qendra më aktive e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i cili i priu luftës për çlirim nga Perandoria Osmane. Në këtë pjesë të trungut shqiptar, ka pasur disa kryengritje që kishin për qëllim arritjen e autonomisë kulturore, ekonomike dhe politike. Të gjitha këtyre kryengritjeve qeveritarët osmanë iu kundërpërgjigjën me zjarr. Paria shqiptare, në fillim të revolucionit xhonturk u vu në anën e këtij revolucioni, ngase
Hyrja në Gjilan e zbukuruar në prag të vizitës së sulltan Reshatit të V në qershor të vitit 1911.
shqiptarëve u ishte premtuar autonomi, ulje të taksave e detyrimeve, përmirësim të kushteve të jetës, arsimim në gjuhën amtare e lehtësira të tjera, por kur xhonturqit forcuan pushtetin e tyre harruan premtimet e tyre, ndër të tjera edhe atë për gjuhën, duke e bërë gjuhën turke gjuhë të vetme të administratës dhe duke centralizuar pushtetin. Popullata shqiptare e pakënaqur me trajtimin që i bëhej sërish kapën armët në kërkim të të drejtave të tyre. Qeveria qendrore në Stamboll, në vend që t’u përgjigjej kërkesave të shqiptarëve dërgoi ekspedita ndëshkuese. Këto forca u përballën me kryengritësit shqiptarë në Grykë të Kaçanikut, ku vullnetarët shqiptarë të prirë nga Idriz Seferi luftuan heroikisht. Në Betejën e Kaçanikut, pjesa dërmuese e vullnetarëve ishin nga rrethi i Gjilanit e kryengritjet e shqiptarëve vazhduan edhe gjatë vitit 1911. Pikërisht me qëllim të pengimit të zgjerimit të kryengritjes u organizua një udhëtim në Kosovë i sulltan Reshatit të V, në nderim të të cilit në Prishtinë u organizua një paradë e madhe ushtarake, kurse është mbajtur edhe ceremonia në Tyrben e Sulltan Muratit, por që gjatë kësaj vizite nuk u mblodhën aq njerëz sa pritnin xhonturqit. Duke menduar se ai mund të kalonte edhe në kazanë e Gjilanit edhe në këtë qytet ishin bërë përgatitje për pritjen e sulltanit.
* Idriz Seferi (1847 – 1927). I lindur në fshatin Sefer të Malësisë së Karadakut të Gjilanit ishte atdhetar i dalluar udhëheqës ushtarak popullor i Lëvizjes Kombëtare. Qysh në moshë të re mori pjesë dhe iu kundërvu shtypjes ekonomike e kombëtare që sollën reformat e Tanzimatit. Për shkak të veprimtarisë atdhetare dhe pas një aksioni të armatosur kundër autoriteteve osmane qysh më 1875 u burgos nga pushteti osman. Gjyqi e dënoi me burgim të përjetshëm, kurse lirinë e fitoi pas 2 – 3 vjetësh në kohën kur viset shqiptare të Moravës, Pirotit, Leskovcit, Vrajës, Prokuples e Kurshumlisë nga serbët ishin shkrumbuar e ishin kryer dëbime të popullatës shqiptare. Ishte pjesëmarrës aktiv në kuvendet e në veprimet luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të asaj të Pejës. U shqua për aftësitë luftarake, si strateg popullor në betejën e Kaçanikut, si edhe në betejat e Karadakut (Drenogllavës) e të Moravës. (Për më tepër shih Jeta dhe vepra e Idriz Seferit. 2004. Prishtinë: Instituti i Historisë së Kosovës; Braha, Sh. 1981. Idriz Seferi në lëvizjet kombëtare shqiptare, Tiranë: 8 nëntori; Demiri – Çunaj S. 1997. Jeta dhe lufta çlirimtare e Idriz Seferit në LKSH, Gjilan; Jeta dhe vepra e Idriz Seferit. 2004. Prishtinë; R. 2005. Seferi ndër shekuj (monografi), Gjilan.
[1] Rizaj, S., 1974. Roli i Shqiptarëve në Revolucionin Xhonturk 1908. Në Kosova III, Prishtinë: Instituti i Historisë, f. 175 – 176.
[2] Brestovci, S., 2008. Lëvizja kombëtare në Kazanë e Gjilanit – Islam Pira 1866 – 1931, Prishtinë: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, f. 50.
[3]Arkivi Shtetëror i Kosovës (ASHK), Prishtinë, Fondi i Jovan Jovanoviqit – Pizhon, Raport i konsullit të Serbisë nga Shkupi i datës 09.02.1909.
[4] Historia e Popullit Shqiptar II. 2002. Tiranë: Toena, f. 426.
[5] Rahimi, Sh. 1969. Vilajeti i Kosovës më 1878 – 1912, Prishtinë: Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, f. 142.
* Mustafë Kabashi. Ishte njëri ndër atdhetarët më të dalluar të Moravës së Epërme e bashkëluftëtarë i ngushtë i Idriz Seferit. Atdhetar dhe njeri i dalluar në tërë rrethinën e Anamoravës për përhapjen e ideve atdhetare dhe pas Idriz Seferit konsiderohet si njëri nga prijësit me të dalluar të kryengritjes së vitit 1910, në Kazanë e Gjilanit. Bashkë me të vëllain Ademin u zunë rob nga ushtria turke dhe u pushkatuan. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
* Ramë Avdyli (1852 – 1920). U lind në pranverën e vitit 1852. Ishte bashkëluftëtarë i Idriz Seferit dhe udhëheqës i kryengritësve në Moravën e Epërme. Ishte njëri ndër komandantët e spikatur të luftërave në të Grykës së Kaçanikut, pas së cilës iu burgos familja e iu dogj kulla dhe pas dorëzimit u dënua me 101 vite, i liruar më vonë dhe ishte në mesin e figurave më eminente të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. (shih Terziu, H. 1997. Ramë Avdyli dhe bashkëluftëtarët e tij. Prishtinë: Rrg Design).
* Zeqë Pira nga Pozharani ishte pjesëmarrës në kryengritjet kosovare në fillim të shekullit XX. Veçanërisht është angazhuar që të tubojë një numër sa më të madh të kryengritësve për njësitë e Idriz Seferit në vitin 1910. Luftoi deri më 1912, kur u vra duke bërë rezistencë të armatosur gjatë hyrjes së forcave serbe në vendin Tërska e Budrigës. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
* Islam Pira (1866 – 1931). Lindi në Pozharan dhe ishte njëri ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të Idriz Seferit. Ndërtoi shkollën e parë shqipe me mjete private dhe bëri përpjekje të mëdha për të siguruar mësues dhe tekste në gjuhën shqipe e ishte luftëtar i pa kompromis kundër padrejtësisë. Tërë jetën ia kushtoi Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
* Shabi Kajolli nga fshati Gjylekar, luftëtar vullnetar i dalluar në betejat e Lëvizjes Kombëtare dhe një ndër organizatorët e kryengritjes së vitit 1910. Një pjesë të madhe të jetës e kaloi nëpër male. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
* Murat Billalli nga fshati Bresalc i Gjilanit u dallua si bashkëluftëtar i ngushtë i Idriz Seferit në kryengritjen e vitit 1910 , pas së cilës u burgos nga organet e pushtetit turk. U vra më 1912, pa hyrjes së forcave serbe. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
* Fetah Sadovina nga fshati Sadovinë u angazhua shumë në përhapjen e ideve atdhetare dhe organizimin e masës së gjerë në luftërat e armatosura të shekullit XX. U vra në një betejë të armatosur të zhvilluar mes Kabashit e Smirës, Begracës e Sadovinës dy ditë para Betejës së Drenogllavës. (shih Brestovci, S. 2008. Lëvizja…).
[6] Selmani, A., 2009. Gjurmime historike për Gjilanin e rrethinën, Gjilan: Drita e Jetës, f. 32.
[7] Po aty., f. 33.
[8] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 427.
[9] Po aty.
[10] Po aty., f. 428-429.
[11]Foto e realizuar nga Frédéric Boissonnas (Genève, Éditions d’art Boissonnas, 1919).
[12] AIH, A – IV – 50, f. 4.
[13] Selmani, A., Gjilani… f. 125.
[14] AIH, Vj. 20 – 8 – 862, telegram i von Tahy, nga Mitrovica, më 26 prill 1910.
[15] Le Temps. 28.04. 1912. “Turqie”. Paris, f. 2.
[16] Ballina e gazetës Le Temps e datës 1 maj 1912 (e mërkurë), f.1.
[17] Le Temps nr. 17851. 14.05. 1912. La révolte d’albanais. Paris, f. 1.
[18] Brestovci, S., art. i përm., f. 29.
[19] Brestovci, S., vep. e përm., f. 85.
[20] Po aty.
[21] Abdyli, R., 2004. Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908 – 1910 (libri 1), Prishtinë: Instituti i Historisë Prishtinë, f. 349.
[22] AIH, Vj. 20 – 5 – 524, Telegram zotit Adamkievic, Shkup më 29 prill 1910.
[23] Abdyli, R., vep. e përm., f. 350.
[24] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 431.
[25] Dërmaku, I., 2009. Shoqëria e mësimit shqip “Drita” e Bukureshtit në zgjimin dhe çlirimin kombëtar (1884 – 1914) sipas dokumenteve më të reja arkivore, Prishtinë, f. 243.
[26] AIH, Vj. A – IV – 50, f. 7
[27] Rahimi, Sh., vep. e përm. f. 144.
[28] AIH, Vj. 20 – 5 – 524, Telegram zotit Adamkievic, Shkup më 29 prill 1910.
[29] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 431.
[30] Po aty, f. 432-433.
[31] Abdyli, R., vep e përm. f. 362
[32] Po aty, f. 375.