Futboll

SC Gjilani në shifra e fakte gjatë stinorit vjeshtor

 

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në Futboll, SC Gjilani, është shpallur kampion vjeshtor, duke u radhitur në pozitën e parë me 35 pikë të tubuara, një më tepër së rivali lokal FC Drita që kishte 34 pikë dhe dy më shumë se Ballkani i Suharekës që është radhitur në pozitën e tretë me 33 pikë të tubuara, shkruan kryelajmi.com.

SC Gjilani, nga 54 pikë të mundshme, ka marrë 35 pikë, apo 64,81 përqind të pikëve. Gjatë gjysmëstinorit të parë, Gjilani ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 23 herë, apo mesatarisht për ndeshje ka shënuar 1,28 gola, derisa portieri i Gjilanit, Enea Koliqi në 18 ndeshje ka pësuar 13 gola, apo për ndeshje ka pësuar 0,72 gola. Gjilani në stinorin vjeshtor ka arritur 9 fitore, 8 barazime dhe vetëm një humbje edhe atë në fushë të vet nga Ulpiana, me rezultat 2:3.

Ekipi kuq e bardh nga Gjilani në fushë të vet nga nëntë ndeshje sa ka zhvilluar, ka korrur 5 fitore, 3 barazime dhe një humbje. Si ekip vendas, Gjilani radhitet i treti, pas Ballkanit dhe Dritës. Në fushë të vet, futbollistët e tij kanë shënuar 13 gola, kurse kanë pranuar 8 gola, pra mesatarisht për ndeshje shënuan 1,44 gola, kurse pranuan 0,89 gola.

E veçantë e SC Gjilani është se në ndeshjet si mysafire nuk ka asnjë humbje e në fushat që ka vizituar ka shënuar 4 fitore dhe 5 barazime. Si mysafir Gjilani ka shënuar 10 gola apo 1.11 për ndeshje, kurse ka pësuar 5 gola apo 0,56 gola për ndeshje. Gjilani dhe Llapi ishin ekipet më të mira si mysafire dhe ndajnë vendin e parë në këtë aspekt.

Golashënuesi më i mirë i Gjilanit dhe i stinorit vjeshtor në Kampionatin e Kosovës ishte Gerhard Progni, i cili ka shënuar 12 gola, pesë nga të cilët nga penaltia. Pra, ai shënoi 0,67 gola për ndeshje. Në bazë të këtyre statistikave del se Progni ka shënuar 52,18 përqind të golave për Gjilanin, pra më tepër se gjysmën e golave të gjithmbarshëm të Gjilanit. Ndër golashënuesit më të mirë të Gjilanit është edhe Albert Dabiqaj që ka shënuar 4 herë, derisa asnjë lojtar tjetër i tyre nuk ka shënuar më shumë se një herë.

Portieri i Gjilanit, Enea Koliqi, ka mbajtur rrjetën të paprekur në 7 ndeshje.

 

Kryelajmi.com

You Might Also Like