Afati i janarit në SC Gjilani nuk ka sjellë shumë ndryshime. Gjilanasit që janë në garë për vendin e parë në Superligë janë munduar që të përforcojnë vijën e sulmit, andaj në ekip kanë sjellë tre lojtarë, një shqiptar, një malazez dhe një boshnjak. Që të tre janë lojtarë të rryer dhe në moshë, që është një garancë se sulmi i Gjilanit ka fituar edhe më shumë në përvojë.
Pa dyshim se largimi më i madh i SC Gjilani është Bedri Greca, lojtar i shpejtë i krahut. Qëndrim Dautaj, mesfushori që nuk gjeti shumë hapësirë tek SC Gjilani, gjithashtu është larguar e bashkë me të edhe lojtarët e rinj që ishin në huazim Arbër Mustafa, Kujtim Dubova dhe Altin Aliu, të cilët do të gjejnë më shumë hapësirë në klube të tjera, edhe pse ata ishin formuar si lojtarë pikërisht te SC Gjilani.