Drejtori ekzekutiv i “SC Gjilanit”, Sevdail Robelli, në intervistën e dhënë gazetës sportive “Sheshi”, foli për sfidat e shumta, prioritet në të ardhmen dhe punën e madhe që prej ardhjes në Klub të Presidentit Zuka.
Fillimisht numri një i ekzekutivit në klub, Sevdail Robelli, foli për të arriturat në organizim dhe punën e madhe të Presidentit Zuka, në implementimin e të arriturave brenda klubit.
“Ky është viti i tretë më radhë që marrim licencën për garat ndërkombëtare. Kjo tregon seriozitetin e klubit tonë dhe punën e madhe të stafit drejtues të bërë gjatë tërë këtyre viteve. Por, mbi të gjitha ky sukses mban një emër dhe ai emër është Florim Zuka. Kryesia e re që erdhi në klub, e mbështetur nga presidenti Zuka, ka punuar gjatë tërë kohës që të gjitha çështjet organizative rreth klubit të trajtohen me profesionalizëm”, nisi fillimisht rrëfimin Robelli.
I pari i stafit menaxhues të klubit ka numëruar sfidat me të cilat janë përballur gjatë kësaj periudhe tre vjeçare dhe krijimin e një ekipi tejet professional që punon në këtë institucion.
“Gjatë kësaj periudhe tre vjeçare kemi punuar në organizimin e administrates së klubit, me ç’rast njerzëve profesionist u është krijuar hapsira e nevojshme për t’i implementuar të gjitha rregulloret në fuqi, si dhe aplikimin e praktikave më të mira të ekipeve evropiane”.
“Përveç administrates e cila është e kompletuar me staf të kualifikuar, rëndësi të madhe i është kushtuar edhe çështjeve financiare. SC Gjilani është treguar tejet korrekt me çdo palë që kemi patur bashkëpunim”, potencoi Robelli.
Ai më pas shtoi se akademia e klubit është një fokus tjetër me rëndësi për menaxhmentin e ri të klubit.
“Një çështje tjetër për të cilën kemi punuar ka qenë edhe organizimi i Shkollës së Futbollit. Tashmë në Shkollën e Futbollit “SC Gjilani” punojnë ish-futbollistë të këtij klubi dhe të kualifikuar me licenca nga UEFA”, deklaroi Robelli.
Ky mund të jetë viti i parë i daljes së Gjilanit në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që Robelli konfirmon se klubi mund të arrijë të organizojë pa ndonjë problem të madh një ndeshje të rankut ndërkombëtar.
“Në rast të daljes në Evropë mund të ju konfirmoj që klubi ka kapacitetet e mjaftueshme për të organizuar ndeshjet ndërkombëtare të edicionit të ri të garave. E kemi dëshmuar edhe në organizimin e ndeshjeve të mëdha kampionale, me ç’rast ka patur numër rekord shikuesish dhe jemi ndarë të kënaqur”, u prononcua Robelli.
Infrastruktura mbetet sfida më e madhe jo vetëm për këtë klub. Mungesa e një stadiumi alternativ dhe vonesa e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjilanit po shkakton jo pak telashe.
“Infrastruktura mbetet sfida më e madhe. Mungesa e një terreni ndihmës për t’i zhvilluar seancat stërvitore po na pengon në implementimin e një plani të ri për zhvillimin e akademisë. Po ashtu vonesa e punimeve në stadiumin “Agim Ramadani-Katana” po paraqet problem serioz për klubin”, potencoi Robelli.
Ai më pas deklaroi gjithashtu se synimi i Gjilanit do të jetë në çdo edicion Evropa.
“Plasmani në garat ndërkombëtare do të jetë gjithmonë synim i Gjilanit. Gjithashtu ne do punojmë shumë për të sjellur futbollistët më cilësorë që janë në treg dhe gjithashtu do të krijojmë mundësi për lojtarët e rinj të cilët vijnë nga akademia për të luajtur në ekipin e parë”, u shpreh, Sevdail Robelli, për mediumin “Sheshi”