Gjilan

Haziri: Nga një numër i madh i testeve të realizuara tri ditët e fundit, nuk ka raste të reja

Shtabi i Emergjencave Civile në komunën e Gjilanit, në këtë ditë fundjave ka vlerësuar gjendjen në 24 orët e fundit dhe sipas rezultateve të Institutit Kombëtar, në Gjilan nuk ka raste të reja nga një numër i madh i testeve që janë realizuar në tri ditët e fundit.

 

Një gjë të tillë e ka pohuar Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, i cili pas mbledhjes u është drejtuar gazetarëve. Sipas të parit të Komunës së Gjilanit, shpresojnë që nga mbrëmë është mbyllur cikli i burimit të katërt të infeksionit, i cili ka rezultuar në total me 24 të infektuar dhe që si burim ishte klinika private në Prishtinë me të cilën dy qytetare të Gjilanit janë infektuar që në ditën e parë, një lehonë e cila lindi një djalë të shëndoshë  dhe një infermiere e cila punon në atë klinikë.

 

“Lajm i mirë për Gjilanin është se në dy ditët e fundit kemi shkuar në mbylljen e kontakteve dhe sot do të vazhdohet me 15 teste të reja të kontakteve dhe presim kontaktet e institutit për të parë numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga 67 sa janë në komunën e Gjilanit”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

 

Ai theksoi se 49 të infektuarit janë shëruar tërësisht, janë integruar në jetën e përditshme dhe nuk kanë asnjë lloj problemi dhe ata llogariten si të imunizuar e të shëruar plotësisht dhe dy raste të tjera për pasojë edhe të sëmundjeve të tjera fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.

 

Haziri ka thënë se kanë ndërmarrë edhe veprimet për hapin e pakos së dytë të hapjes së masave ekonomike në komunën e Gjilanit sipas vendimit të qeverisë së Republikës, duke shtuar se Komuna e Gjilanit është përgatitur dhe përmes sektorëve të saj të ekonomisë dhe të inspeksionit të shërbimeve publike e të shërbimeve të tjera siç janë Stacioni i Autobusëve dhe Tregu i Gjelbër do të marr veprime konkrete që nga e hëna ta normalizojë aktivitetin e këtyre shërbimeve.

 

“Tregu i Gjelbër në Gjilan është në punim e sipër dhe nuk hapet, por tregjet mobile sipas planeve do të trajtohen dhe do të kërkohet leje nga organet qendrore për organizimin e këtyre shërbimeve. Qytetarëve u është rritur e drejta e daljes dy herë në ditën nga 120 minuta dhe kjo duhet të shfrytëzohet sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit për aktivitete të domosdoshme e jo për aktivitete të tjera, takime sociale, rekreacion në mënyrë që të mos lejojmë që të bartet virusi i mundshëm, ngase ai edhe më tej po sjell problem”, tha Haziri.

You Might Also Like